“Nga parajsa në ferr”, banorët e Be’eri përshkruajnë transformimin e qytetit

10 months ago 19
12:28 03/12/2023

Edhe pse shtëpitë e tyre janë shkatërruar, ata dëshirojnë të kthehen në qytet

Për banorët nga Be’eri, qyteti izraelit do të kishte qënë perfekti për të jetuar nëse nuk do të ndodhej afër Rripit të Gazës.

Afërsia e Be’erit me Gazën, e cila është vetëm disa kilometra larg, e ka bërë qytetin një objektiv të shpeshtë të sulmeve nga Hamasi. Qyteti nuk u kursye as ditën e 7 Tetorit.

Pas asaj dite, militantët e Hamasit lanë pas një shkatërrim të përmasave të paimagjinueshme.

Ata vranë më shumë se 120 banorë, përfshirë fëmijë, dhe rrëmbyen shumë të tjerë. U vunë flakën shtëpive dhe plaçkitën, vodhën dhe shkatërruan gjithçka që gjetën.

Mes shtëpive të shkatërruara është edhe ajo e Alon Pauker i cili pyet veten nëse do të rikthehehet në shtëpinë e tij. Por dëmi psikologjik i  tij dhe i shumë banorëve të mbijetuar shkon përtej atyre materiale.

Shumë prej tyre kanë të afërm të cilët janë vrarë nga militanët e armatosur të Hamasit që hynë në shtëpitë e tyre. Në disa shtëpi të tjera, familje të tëra u shuan.

Kushdo që do të vizitonte qytetin përpara 7 Tetorit do të kishte hasur në pamje që i ngjajnë peisazheve të përshkruara në libra.

Lodra, biçikleta dhe topa të lënë nga fëmijët përgjatë një vargu kopshtesh dhe shtigjesh e bënin qytetin e gjallë.

Kishte shumë vende ku fëmijët mund të luanin fshehurazi, nën tarraca, në shkurre të cilat në sulmet e 7 Tetorit do të shpëtonin shumë jetë.

Qyteti ishte një parajsë e gjelbër para asaj të shtune. Më pas u bë një ferr i vërtetë. Dhe ne duam ta rindërtojmë qytetin. Por na duhet më shumë kohë”.

“Përpiqem ta kujtoj këtë vend siç ishte. Por sigurisht, çdo vend këtu  na kujton atë që ndodhi. Ne shohim shtëpitë. Njohim çdo banesë. Çdo person që ndërroi jetë këtu. E gjitha kjo është shumë për mua. Po më gërryen. Nuk është vetëm dhimbjo ajo që po ndjej”.

Me shpresën se qyteti do të rindërtohet shpejt, banorët kërkojnë që siguria e kufijve të forcohet.

Ne mezi presim ta rindërtojmë qytetin. Një e katërta e shtëpive u shkatërruan totralisht. Ne mund t’i rindërtojmë sërish ato, kjo nuk është aq e vështirë. Si komunitet, ne jemi mjaft të fortë. Ne do të kthehemi në qytet , por do të na duhet të forcojmë kufirin. Sepse duke menduar si baba apo si nënë, ti dëshiron që fëmijët e tu që do  të rriten dhe do të kthehehen sërish këtu nuk duhet të kenë asnjë kërcënim terrorist nga kufiri. Dëshirojmë që kjo siguri të mos jetë një vit ose dy apo katër, por më shumë. Por ne kemi fuqinë për të rindërtuar qytetin tonë”.

Be’eri ndodhet rreth dy kilometra larg Gazës. Tashmë qyteti është bosh nga banorët.

Ata janë evakuuar dhe qëndrojnë në shumë hotele pranë Detit të Vdekur.

Për momentin ndodhem në hotel. Hoteli në Detin e Vdekur është  vetëm për të kaluar tre ditë pushime dhe jo një vend për të jetuar.  Por e rëndësishme është që ne jemi gjallë. Jemi me fat që jemi gjallë. 10% prej nesh u zhdukën. Kjo nuk i ka ndodhur asnjë qyteti në botën perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore”.

“Po qënroj në hotel por do të kthehem. Për familjen time, fëmijët e mi. Nuk jam i sigurt se si do të veprojmë. Do të na duhet kohë për të parë se çfarë do të ndodhë me Rripin e Gazës. Dëshirojmë të ndihemi sërish të sigurt”.

Ashtu si shumë izraelitë, ndjenja e pasigurisë ka zënë vend edhe në jetën e Pauker.

Ai dëshiron të dijë se si militantët e Hamasit ja dolën të depërtonin mbrojtjen kufitare të Izraelit dhe si mund të parandalohet që kjo të mos ndodhte më.

Qyteti ka skuadrën e vet vullnetare të urgjencës, rreth 15 persona që supozohet të mbrojnë komunitetin nga rreziku derisa të vijë ushtria.

Me një bazë ushtarake vetëm pak minuta larg, të gjithë menduan se Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të vinin në çdo moment. Por kjo nuk ndodhi.

Nga sulmi tokësor dhe ajror i Izraelit në Gaza, i nisur si hakmarrje ndaj sulemve të 7 Tetorit të Hamasit në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 240 të tjerë u morën peng, Pauker, ndonëse i vinte keq për humbjen e civilëve në Gaza, thotë se Tel Avivit nuk i mbeti zgjidhje tjetër.

Shumë civilë u lënduan, por unë e di se nuk ka zgjidhje tjetër, sepse Hamasi është organizatë terroriste. Hamasi nuk kujdeset për civilët. Kërkon që ata të vriten si presion ndaj nesh. Kështu i përdorin njerëzit siç është bërë këtu të shtunën e 7 Tetorit. Nuk i intereson qenia njerëzore. Pra, nuk kemi zgjidhje. Nuk jam i lumtur, por nuk kemi zgjidhje. Dhe mendoj se ushtria po bën një  punë të mirë”.

Të gjitha shtëpitë izraelite të ndërtuara pas vitit 1993 duhet të kenë një strehë, këto dhoma të sigurta janë krijuar për t’i bërë ballë një shpërthimi, por jo një sulmi të armatosur që e gjeti Izraelin të papërgatitur.

Hamasi ia doli të mbante të fshehta planet e veta ushtarake dhe bindi Izraelin se nuk donte një luftë.

Por teksa Izraeli  besonte se po ja dilte të kontrollonte një Hamas të lodhur nga lufta duke ofruar stimuj ekonomikë për punëtorët e Gazës, luftëtarët e grupit po trajnoheshin dhe stërviteshin.

Një nga elementët më të veçantë të përgatitjeve të tyre, është se Hamasi ndërtoi një vendbanim në Gaza, ku militanët praktikuan një stërvitje ushtarake, madje edhe e dokumentuan atë përmes videove të ndryshme.

Që nga luftimet e vitit 2021 me Hamasin, Izraeli ka kërkuar të sigurojë një nivel bazë të stabilitetit ekonomik në Gaza duke ofruar stimuj duke përfshirë mijëra leje në mënyrë që banorët e Gazës të mund të punojnë në Izrael ose Bregun Perëndimor, ku pagat në ndërtim, bujqësi ose punë shërbimi mund të jenë 10 herë më shumë  sa niveli i pagës në Gaza.

Ne besuam se fakti që ata po vinin për të punuar dhe sillnin para në Gaza do të krijonte një nivel të caktuar qetësie. Ne gabuam“, thotë  një  zëdhënës i ushtrisë izraelite për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ideja se Hamasi nuk dëshironte një luftë me Izraelin u besua më shumë nga pala izraelite kur Hamasi u përmbajt nga operacionet ushtarake kundër Izraelit, edhe kur një grup tjetër i armatosur islamik me bazë në Gaza i njohur si Xhihadi Islamik filloi një seri sulmesh me raketa.

Përmbajtja e treguar nga Hamasi synonte të krijonte përshtypjen se  ushtarët e këtij grupi kishin shqetësime ekonomike dhe nuk dëshironin një luftë të re.

Në Bregun Perëndimor, i kontrolluar nga presidenti palestinez Mahmoud Abbas dhe grupi i tij Fatah, kishte nga ata që talleshin me Hamasin për heshtje.

Në një deklaratë të Fatah-ut të botuar në Qershor 2022, grupi akuzoi udhëheqësit e Hamasit se kishin ikur në kryeqytetet arabe për të jetuar në “hotele dhe vila luksoze” duke i lënë njerëzit e tyre në varfëri në Gaza.

Por gjatë gjithë kësaj kohe Hamasi kishte punuar në heshtje për sulmin e mirëmenduar.

Kur erdhi dita e 7 Tetorit, operacioni u nda në katër pjesë.

Lëvizja e parë ishte një breshëri prej 3,000 raketash të lëshuara nga Gaza që përkoi me hedhjen me poarashutë të militantëve të Hamasit.

Pasi luftëtarët u hodhën nga avionët ushtarakë, ata siguruan terrenin në mënyrë që një njësi komando elitë të mund të sulmonte murin e fortifikuar elektronik dhe prej çimentoje të ndërtuar nga Izraeli për të parandaluar sulme të mundshme.

Luftëtarët përdorën eksplozivë për të thyer barrierat dhe më pas kaluan me shpejtësi me motorçikleta.

Një njësi komando sulmoi shtabin e ushtrisë izraelite në  jug të Gazës dhe bllokoi komunikimet e saj, duke penguar personelin të thërriste komandantët ose njëri-tjetrin.

Pjesa e fundit e operacionit ishte marrja e pengjeve nga një festë pranë Rripit të Gazës.

“Si mund të bëhet një festë e madhe shumë pranë Gazës”, thotë për agjenicinë e lajmeve Reuters një burim pranë sigurisë izraelite.

“Ata e shfrytëzuan këtë moment,” thotë më tej burimi.

Dennis Ross, një ish-negociator i Lindjes së Mesme, i cili tani është në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt, thotë se Tel Avivi ishte shpërqëndruar nga dhuna në Bregun Perëndimor.

Trupat izraelite ishin më pak në jug afër Gazës, sepse disa ushtarë të tjerë ishin vendosur në Bregun Perëndimor për të mbrojtur kolonët izraelitë pas një rritje të dhunës midis tyre dhe militantëve palestinezë.

Gjenerali në pension Yaakov Amidror, një ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i Kryeministrit Benjamin Netanyahu, i ka cilësuar sulmet e 7 Tetorit një dështim të madh të inteligjencës dhe ushtrisë së Tel Avivit.

Klan News


Read Entire Article