Ngjarja në Korçë në ’75-ën, që alarmoi Tiranën: Pasi u përleshën, hetuesi nxori revolen për ta qëlluar dhe Maqo u hodh nga dritarja e, kapërceu murin e Degës, duke u ngjitur në tarracën e një pallati…

3 weeks ago 12
Reklamë

Nga Nestor Topençarov

Jemi në fundin e vitit 1975, kur në qytetin e Korçës, filloi vala e internimeve dhe e burgimeve. Familje të tëra, një mëngjes, panë policët dhe kamionët te dera…! Por edhe kjo ishte tragjedi më vete. Motra e Pirros, ishte martuar dhe kishte dy vajza të vogla.

Burri i saj, një njeri i ndershëm dhe i thjeshtë, ishte me origjinë nga fshati dhe familja e tij, nuk kishte patur probleme politike. Pasi bëhet mbledhja në lagje, vendosën ta internojnë këtë familje. Në atë kohë Aliu sa kishte dalë nga burgu, kurse Skënderi, po bënte burgun e dytë, për arratisje.

Në mbledhje mori pjesë edhe Aliu. Ai në fillim mbrojti familjen e motrës, që nuk kishte lidhje me dënimet e tyre politike. Më pas kërkoi që në këmbim, të internonin atë si ish-i burgosur politik. Por nga ana tjetër, kërkesa ra në vesh të shurdhër. Askush nuk ndryshoi vendimin. Atëherë Aliu, filloi të shajë me rrënjë e me degë, organet e pushtetit e të diktaturës. I vunë hekurat në vend dhe i dhanë dhjetë vite. Sakrifica e Aliut, nuk evitoi internimin e familjes së të motrës.

Në këtë kohë, Pirro mbaron internimin. Tani që ishte i lire, mund të kthehej në Korçë. Por e kishte të qartë se komunizmi, nuk ishte ngopur ende me burgjet dhe internimet e tij. Ai kishte tani një eksperiencë të madhe. Për këtë duke vlerësuar situatën, mendoi që e mira ishte, të mos binte në sy në qytet.

Do qëndronte mes maleve, në sharrat. Në atë zonë ishte internuar edhe familja e të motrës dhe ai kishte mundësi t’i ndihmonte ekonomikisht. Edhe pse nuk u kthye në qytet, prapë nuk mundi të evitojë arrestimin e tretë, në korrik të vitit 1977.

Kur pas arrestimit e kishin çuar në Degë, Pirro ia kish bërë të qartë krerëve të saj, që në birucë, donte të ishte vetëm. Në rast të kundërt, provokatorin që do të fusnin në qeli, do ta gjenin kufomë. Dega dhe hetuesia, kuptuan se me Pirron nuk mund të bënin lojëra. Ai njihte mirë metodat e tyre të ulta dhe kur dëgjuan paralajmërimin që u bëri, e lanë atë natë vetëm në birucë. Të nesërmen, e futën në kaush tek ne.

Atë kohë pas dënimit, na sollën edhe një djalë rreth të tridhjetave. Quhej Pandi. E kishin arrestuar pas vetëvrasjes të vëllait më të vogël, Maqos. Në atë kohë, kjo histori bëri shumë bujë në qytet. Maqon e kishin arrestuar dhe si hetues, kishte të njëjtin që ushtroi dhunë fizike mbi mua.

Si duket ky hetues, nuk e kishte problem të rrihte të burgosurit. Këtë metodë, kishte provuar edhe me Maqon, i cili gjeti momentin dhe e goditi. Në kohën kur kishte nxjerrë revolen, për ta qëlluar, ata ishin përleshur dhe ishte dëgjuar një e shtënë. Më pas Maqo, ishte hedhur nga dritarja dhe kishte kapërcyer murin e Degës.

Pas kësaj ngjarje që tronditi Sigurimin, u dha urdhër të përforcohej kufiri. Erdhën trupa specialë nga Tirana dhe kontrolle të mëdha, u bënë në qytet. Maqo rezistoi disa ditë, në tarracën e një ndërtese të lartë, nga ku kontrollonte lëvizjet e Sigurimit. Më në fund, duke imagjinuar trajtimin që do t’i bëhej, nëse do të binte në duart e tyre, vrau veten.

Flitej që ministri i Brendshëm i asaj kohe, kishte thënë:

– “Njerëz trima si Maqo na duhen, po t’i kishin në anën tonë”. Fatkeqësi që ky djalë humbi jetën në moshën më të bukur. Por për këtë, as ministri e, askush nga organet e Sigurimit, nuk foli. Pas kësaj tragjedie, kishin kontrolluar shtëpinë, ku Pandi kishte edhe një ofiçinë të vogël.

Aty i gjejnë një kalibër dhe disa çelësa anglezë dhe e dënojnë për përvetësim të pasurisë socialiste. Këtë sigurisht e bënë për t’u hakmarrë. Pandi ishte djalë me edukatë. Rridhte nga një familje e vjetër dhe e respektuar qytetare. Ishte krenar për të vëllanë.

Në këtë kohë, nga Spaçi na sjellin një të dënuar. Quhej Leonard Prifti. Kishte qenë pedagog letërsie, në gjimnazin e Bilishtit. Gati dy vite më parë, e kishin arrestuar e dënuar me 10 vite për agjitacion e propagandë. Leonardi ishte i ri në moshë dhe njeri me kulturë. Zotëronte disa gjuhë të huaja, ndërmjet të cilave edhe gjuhën angleze.

Më tregoi një roman mbi jetën e Pirros së Epirit, të cilin ma kërkoi t’ia ritregoja po në anglisht. Më pas nga letërsia e Tolstoit një tregim, që edhe sot nuk e kam harruar, një nga ato tregime ku Tolstoi kritikohej nga regjimi, pasi predikonte falje, pajtim me të keqen, përulje, besim në zoti, etj.

Kjo njohje me Leonardin, ishte një eksperiencë e re për mua. Atë e kishin sjellë, pasi kishin arrestuar një kushëririn e tij oficer, Thomanë, dhe i bënin presion, që t’i dilte dëshmitar. Ai nuk u përkul dhe hetuesia për t’u hakmarrë, nuk ia lajmëroi familjen, për t’i sjellë ndërresa dhe ushqime. Për ushqimet, nuk kishte problem, se ndërmjet nesh u krijua një solidaritet.

Në dhomën tonë na sollën edhe një djalë të ri me një fizik mundësi. E quanin Adem. Kishte hyrë e dalë shumë herë në birucat e Korçës, për zënkat e shpeshta që bënte. Kur e njoha, kuptova se jo gjithmonë kishte qenë faji i tij.

Ishte një njeri që përpiqej të merrte nën mbrojtje më të voglin, më të dobëtin. Vëllanë e madh të Ademit, Xhetën, e kishin dënuar për agjitacion e propagandë, kur, pas një provokimi, në një çast nervozizmi, kishte sharë pushtetin. Për këtë Ademi, ndjehej krenar.

Ishte i kënaqur që ishte mes të burgosurve politikë. Kur mori vesh që Leonardi në periudhën e dënimit, ishte njohur me të vëllanë, çdo ushqim që kishte e ndante në mënyrë të barabartë me të. Ademit i lejonin mjaft ushqime, pasi ai kishte probleme nervore, ashtu si dhe vëllai i tij. Gjatë periudhës që ishim bashkë, i jepnin ilaçe për ta mbajtur të qetë.

Një pasdite na sjellin një djalë të vogël, rreth 12 vjeç. Ai u ul në mes të dhomës dhe me qetësi na tregoi atë çfarë i kishte ndodhur. Ishte me disa shokë të moshës së tij dhe me lekët që kishin mbledhur, kishin blerë një shishe me vodkë.

Si të vegjël që ishin, në kontaktin e parë me alkoolin, pija kishte bërë efektin e saj. Kalamajve iu dukej sikur bota ishte në këmbët e tyre. Filluan të bëjnë zullume në bulevard. Personazhi ynë shkoi më tej.

Mori një gur dhe theu xhamin e një vitrine. Një kalec, që u ndodh aty pranë, e kishte kapur dhe sjellë në Degë. Këtë të mitur nuk e zinte ligji, por për t’i dhënë një mësim e sollën tek ne.

Me këtë veprim hetuesia gaboi, se ky vogëlush kur pa ambientin, në vend që të trembej, krijoi siguri. Syri nuk i bëri terr dhe për të biruca, nuk ishte më problem. Më pas Ademi i bëri vend afër tij, këtij trimi të vogël.

Kishim ndonjë orë që kishim rënë për të fjetur, kur më zgjoi zhurma e çelësave të portës me hekura, të korridorit të brendshëm. Ishte ora 23.00. Ndërroheshin rojet. Pas pak dëgjova të hapet sporteli i derës sonë. Polici, nga ana tjetër, mundohej, nën dritën e zbehtë, të dallonte të dënuarit që flinin.

Si duket nuk arriti të shihte atë që donte dhe filloi të trokasë lehtë në portë. Më pas të trokiturat u bënë më të forta. Pothuajse të gjithëve iu doli gjumi. Vetëm djalka i vogël, flinte si qingj.

Kur polici dalloi të voglin, filloi t’i fliste, që të ngrihej dhe të afrohej te sporteli. Nga zëri dalluam që polici ishte Qemali. Në këtë çast Ademit i kërcyen kacabujtë. Iu afrua me të shpejtë sportelit. Për fat të mirë që dera ishte e fortë, se do ta kishte shqyer. Filloi ta shajë me rrënjë e me degë. Mezi e ulëm se ishte bërë si i tërbuar. Menjëherë Qemali kishte vrapuar te telefoni për t’i denoncuar ndodhinë, oficerit të rojës.

Kur morën vesh që bëhej fjalë për Ademin ia prenë Qemalit, të mos merrej me të. Atëherë, si i menderosur, vjen përsëri te sporteli ynë për t’u pajtuar me Ademin. Sa iu drejtua, dëgjoi të sharat, nga nëna dhe gruaja. Pas kësaj, atë natë, sporteli nuk u hap më. Si mistrec që ishte, Qemali kishte dëgjuar për këtë djalë të vogël dhe donte ta njihte, që kur ta shihte në qytet, ta provokonte dhe t’i bënte keq. Por plani iu prish.

Të nesërmen në mëngjes vjen Haxhiu, që pasi e ngacmoi me shaka çunin, e liroi. Ademi ishte i shqetësuar, gjithë ditën, dhe pothuaj tërë kohën eci nëpër dhomë. Kështu vazhdoi edhe të nesërmen, edhe pse Leonardi përpiqej ta qetësonte dhe ne të tjerët i thoshim ndonjë fjalë të mirë.

Kjo gjendje i vazhdoi deri pasdite, kur dëgjoi zërat e policëve që po na sillnin darkën. Midis tyre njohu zërin e Qemalit. U kthye me shpejtësi nga ne dhe kërkoi që të palosnim batanijet. Këto i vuri njëra mbi tjetrën pas derës, duke krijuar një lloj dysheku të lartë. Pastaj troket te sporteli dhe ngjitet mbi batanijet, ul pantallonat dhe bashkë me to edhe mbathjet dhe ngjesh prapanicën, te rrjeta e sportelit, pikërisht aty, ku në anën tjetër, nxirrte fytyrën polici.

Në këtë çast hapet sporteli dhe mbretëron një heshtje e madhe. Me sa kuptohej ai që ishte nga ana tjetër kishte mbetur pa gojë nga pamja e papritur që i ishte shfaqur. Meqë heshtja zgjati pak si shumë, Ademi kthehet nga ana e sportelit dhe vuri re një polic tjetër. Filloi të kërkojë ndjesë: – “U more komandant Nevzati, nuk e bëra për ty, e kisha me atë qenin, Qemalin”.

Më pas Nevzati, i foli dhe ai nja dy fjalë për ta qetësuar dhe kështu u mbyll kjo komedi. Pas disa ditësh, në kaush hyri shefi i hetuesisë, Reshati. Pasi i hodhi një sy dhomës dhe ne të gjithëve, iu drejtua Pirros:

– “E more Zogist, mendoje se do të linim të lirë”?

Menjëherë erdhi përgjigja e Pirros:

– “Juve jua do interesi, të dënoni njerëz të pafajshëm”.

Furia e Reshatit ishte e papërmbajtur. E kapi Pirron nga zverku e tërhoqi në qendër të dhomës dhe pasi e vërtiti 3-4 herë e lëshoi të binte. Por as këtij qëllimi nuk ia arriti, pasi Pirro i rezistoi kësaj dhune. Më erdhi mirë për forcën e këtij bashkëvuajtësi.

Pas Pirros isha unë. Reshati me kaloi afër, duke marrë frymë me vështirësi. Nuk e di nëse për shkak të sforcimit që bëri, nga dhjami i tepërt që e kishte mbuluar, apo nga të dyja bashkë. Ndaloi para Gaqos.

– “Mirë ky (për mua), është jugosllav, ti je fillo jugosllav”! (bashkëshortja e Gaqos, ishte maqedonase).

Më pas i drejtohet Leonardit, duke i thënë:

– “Revizionist”!

E pastaj me radhë epitetet që iu vuri të tjerëve:

– “Vëllai i armikut! Puçist! Zjarrist! Ballist”!

Dukej si një anormal.

Më në fund u ndal përpara Yzeirit dhe pyeti Haxhiun, që e shoqëronte:

– “Përse e keni vënë këtë djalë në mes të armiqve? Sa më parë t’i gjeni një vend tjetër”!

Pas këtij urdhri, u largua.

Më sipër ju tregova që Yzeirin, e kishin dënuar me shtatë vite për agjitacion e propagandë. Edhe ai kishte qenë një viktimë e kohës. Rridhte nga një familje e thjeshtë, e një fshati të thellë në malësitë e Korçës. Të varfër sa më s’bëhet. Një ditë kishte veshur xhaketën ushtarake të zborit dhe kishte dalë në qendër të fshatit. I dukej vetja i bukur, të shkretit, dhe donte që ta shihnin vajzat e fshatit.

Dikush i kishte bërë vërejtje, se urdhri i ministrit ishte që këto rroba të visheshin vetëm në zbor. Mbase i ndikuar nga ajo që ministri i mëparshëm i mbrojtjes kishte dalë “armik”, Yzeiri u shpreh:

– “Ku dihet, edhe ministri mund të jetë armik”.

Kjo bëri jehonë në fshat. E arrestuan dhe e dënuan për armik, jo për mik. Mbase Reshati kishte të tjera plane për të. Pas pak Haxhiu, na e hoqi Yzeirin. Me mamanë dhe motrën, nga fundi i qershorit, na bënë një takim te dera e brendshme, të ndarë me shufra hekuri. Isha i qetë. U thashë të mos kishin merak për mua, edhe pak muaj bëhej viti dhe diçka do të fitoja me punë. Të kishin kujdes babanë, se ishte i vjetër. Ky ishte takimi i parë dhe i fundit që më bënë në Korçë.

Memorie.al

Read Entire Article