Një ‘emisar special për njohjen e Kosovës’ - Analistët zbulojnë si do të ndikonte kjo në sjelljen e njohjeve të reja!

4 months ago 5

Që nga pavarësia e Kosovës janë 5 shtete nga Bashkimi Evropian që nuk kanë bërë asnjë lëvizje për njohje të Kosovës si shtet të pavarur dhe demokratik.

E së fundmi ligjëruesi në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph në një raport të fundit u shpreh se Presidenti i Shteteve të Bashkuara (SHBA), Joe Biden, duhet të emërojë një ‘emisar special për njohjen e Kosovës’ nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

Joseph, në pjesën kushtuar rolit të SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, propozoi gjithashtu se paralelisht me emërimin e një të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës, administrata e Bidenit duhet t’i sanksionojë liderët në Shqipëri dhe Kosovë që promovojnë ndonjë ‘unifikim’ të këtyre dy vendeve të pavarura.

“Administrata e Bidenit mund të nxisë ofertën për konvergjencë nëpërmjet emërimit të njëkohshëm të një të dërguari të ri të posaçëm kushtuar njohjes së Kosovës, paralelisht me shpalljen e sanksioneve të SHBA-së për liderët në Shqipëri apo Kosovë që promovojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shkroi Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Ai argumentoi se emërimi i një përfaqësuesi të veçantë u tregon të gjitha palëve, duke përfshirë edhe mos-njohësit në BE, seriozitetin e administratës amerikane për konvergjencën dhe qëllimin e SHBA-së: një zgjidhje dinjitoze, stabilizuese dhe të përhershme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi që do të çojë në përmbylljen demokratike të çështjeve të hapura në këtë rajon.

“Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës… Emërimi i një të dërguari special për njohjen e Kosovës do të nënvizonte pritshmërinë amerikane për ndryshime të vonuara nga vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën”, nënvizoi Joseph.

Mirëpo duke u nisur nga kjo deklaratë sa ka bërë diplomacia e Kosovës për sjelljen e njohjeve nga këto shtete? Përse ka vonesa për njohjen e Kosovës nga Vatikani që ishte paralajmëruar tash e sa kohë?

Elezaj: Kosova duhet të plotësoj kushtet që të ketë njohje nga Vatikani

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.

Image

Rexhep Elezaj

Ai thotë se Joseph është një diplomat me përvojë të gjatë në misionin diplomatik, kështu sugjerimi i tij për një emisar special është një nga këshillat më të rëndësishme për Kosovën.

“Z. Edward Joseph, është ekspert i menaxhimit të konflikteve në botë me një përvojë pesëdhjetë vjeçare, analist i shquar i politikës së jashtme amerikane, i cili gjatë luftërave në Ballkan dhjetë vite ka shërbyer në Bosnje (1995), në Kosovë (2012) si zëvendës i shefit të Misionit të OSBE-së, dhe në Maqedoni.

Pra, si një diplomat me përvojë të gjatë në misione diplomatike për zgjidhje të krizave në botë, propozimi i presidentit J. Biden, që të emërojë një emisar special për njohjen e Kosovës nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ky emërim do të ishte tejet i rëndësishëm për Kosovën, i cili me autoritetin dhe angazhimin e tij profesional, do të bënte që këto shtete ta njohin pavarësinë e Kosovës”, foli ai.

Elezaj sa i përket aktivizimit të MPJD-së në njohje thotë se nuk kanë bërë aq sa duhet bërë për vendin, duke shtuar që është dashur të formohen ekipe ekspertësh me përvojë në politikë dhe diplomacy që të marrin njohje të reja.

“Ndërsa, pyetja juaj, se sa ka bërë diplomacia e Kosovës për sjelljen e njohjeve nga këto 5 vende, thënë më së buti, nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, që sipas mendimit tim, është ky dështimi më i madh i MPJD-së dhe udhëheqësve të saj, pranë një serë dështimesh tjera, siç ishte dështimi i para pak ditëve, mos anëtarësimi i Kosovës në KiE për shkak të gabimeve të pajustifikueshme, si pasojë e mosdijes dhe mosnjohjes së lojërave të diplomacisë ndërkombëtare nga ana e  stafit diplomatik të kësaj ministrie.

Madje, këto dështime janë pasojë e mos angazhimit adekuat të qeverisë së Kosovës në këtë plan, për shkak se për ta marrë njohjen nga këto pesë shtete, nuk mjaftojnë vetëm vizitat dhe kontaktet me përfaqësues të këtyre vendeve, veçse me kohë është dashur të formohen ekipe ekspertësh me përvojë në politikë dhe diplomaci, për secilin vend veç e veç, të cilat natë e ditë do punonin dhe lobonin tek këto vende, mbase përmes formave të veçanta të veprimit si dhe ndikimit përmes miqve tanë, që këto shtete ta ndryshojnë qëndrimin e tyre negativ ndaj Kosovës”, shpjegon analisti.

Ndër të tjera, ai përmend njohjen nga Vatikani e që sipas tij Kosova ende nuk ka plotësuar kushtet që kërkohen për një njohje të tillë.

“Ndërsa, sa i përket vonesës së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Vatikani, e cila ishte paralajmëruar qe sa kohë, mendoj se kjo është një çështje me vete dhe mjaft komplekse, krahasuar me pesë vendet mos-njohëse të BE-së, meqenëse Vatikani është shteti ku gjendet selia e Kishës katolike në botë, dhe e cila njohjen e pavarësisë së shteteve të reja, si dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, si shteti më i ri në Evropë, e mbështet mbi baza dhe parime të veçanta fetare, por edhe mbi kritere specifike, të cilat sipas mendimit tim, Kosova ende nuk i ka plotësues që ta bëjnë Vatikanin ta njoh Kosovën si shtet. Se cilat janë këto kritere, besoj se njohësit e mirë të kanonisë së kishës së shenjtë katolike në Vatikan, i dinë më për së afërmi”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Qarri: Me emërimin e Escobarit si emisar special dhe Christofer Hillit ambasador të Serbisë, Kosova vetëm sa është nëpërkëmbur

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, mirëpret një emërim të tillë të një emisari special për Ballkanin.

Image

Gani Qarri

Sipas tij, emërimi i Escobar, Hill vetëm se kanë dëmtuar Kosovën dhe penguar në avancimin e saj.

“Në fakt vetëm emërimi i një emisari të veçantë, apo special, që do të angazhohej ekskluzivisht për njohjen e Kosovës’ nga pesëshja e shteteve mos-njohëse të Bashkimit Evropian, do t’i bindte shqiptarët por edhe Serbinë dhe të gjitha palët, se SHBA, vërtetë mbetet mike e sinqertë e Kosovës dhe shqiptarëve, si populli më pro amerikan në botë. Gjithashtu dëshmon seriozitetin e administratës amerikane për zgjidhjen dinjitoze të shtetësisë së Kosovës, me angazhim për anëtarësimin e saj edhe në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, që nga pranimi në NATO e deri te anëtarësimi në OKB si shtet me të drejta të barabarta me të gjitha vendet e pavarura në botë.

Përndryshe me emërimin e Escobarit si emisar special dhe Christofer Hillit ambasador të Serbisë, Kosova vetëm sa është nëpërkëmbur e penguar dhe vënë në vijimësi, nën trysni të papërballueshme, duke mos lejuar avancimin e shtetësisë së saj. Për aq më tepër, sikur mos të mjaftonin këto veprime të hapura anti-Kosovë, që vinin pikërisht nga vet ish emisarit pro-serb Gabriel Eskobar, po ky emisar por edhe ambasadori Hovenier, filluan të merren edhe me çështjet dytësore të rregullimit të brendshëm, jo vetëm politik, por edhe ekonomik të Republikës së Kosovës, duke filluar me tentimin publik për mbrojtjen e strukturave paralele ilegale serbe, e deri te këmbëngulja e pakuptueshme, për imponimin e dinarit serb, në Kosovë, "luftë" të cilën, dorën në zemër, nuk e ka bërë, me kaq këmbëngulje as vet Rusia”, shpjegon ai.

Në bisedë e sipër analisti shton që një emërim i tillë do të bindte përfundimisht Serbinë e Rusinë, se çështja e Kosovës, po përmbyllet përfundimisht dhe nuk ka nevojë më për dialogë e diskutime të përhershme burokratike.

 “Prandaj, ashtu siç shprehet vet profesori Edward Joseph, ligjërues në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, është koha e fundit që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, pas shkarkimit me plotë të drejtë të Gabriel Eskobarit, dhe para mbajtjes së zgjedhjeve të reja turbulente, jo vetëm në BE por edhe në vet SHBA, me rastin Trump, vërtetë ta emërojë një ‘emisar special për njohjen e Kosovës’ nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

Vetëm ky veprim, do të bindte përfundimisht Serbinë e Rusinë, por edhe shtetet tjera me qëndrime jo miqësore ndaj vendit tonë, se çështja e Kosovës, po përmbyllet përfundimisht dhe nuk ka nevojë më për dialogë e diskutime të përhershme burokratike, të cilat për më tepër se një dekadë, nuk sollën, pothuajse asnjë zgjidhje, madje me ardhjen e Eskobarit si emisar special dhe Christofer Hillit ambasador në Serbi, vetëm sa u thelluan edhe më tepër mospajtimet dhe rritën orekset e Serbisë hegjemoniste, për ri gllabërimin e territoreve më jetike të Republikës së Kosovës”, foli analisti.

Në fund, Qarri potencon disa nga arsyet pse Vatikani nuk njeh ende Kosovën.

 “Ndërsa sa i takon vonesës për njohjen e Kosovës nga Vatikani, unë besojë se në njërën anë, edhe kjo lidhet pikërisht me qëndrimet aktuale të emisarëve pro-serb të SHBA-ve, vendeve mos njohëse të BE-së dhe të disa vendeve të BE-së që e kanë njohur Kosovën, ndër të parat, por që tani duket se tmerrohen nga hiper-ekspozimet turko-arabe në vendin tonë, nga njerëz të shitur, të cilët nuk duan ta shohin se vendet as feja muslimano-arabe, nuk mund të bëjë asgjë, as për Palestinën, se lëre më për Kosovën, që vendeve të përhumbura mesjetare arabe, të cilat janë të zëna, me luftëra të brendshme fisnore dhe të jashtme ndër fqinjësorë, nuk u bie kurrë ndërmend, se ekziston fare apo jo-Kosova!

Kurse, në anën tjetër, përderisa një vend i vogël si Kosova, në zemër të Evropës, e çliruar nga SHBA dhe vendet katolike evropiane e botërore, stërmbushet me xhami vend e pa vend, fyhet e shahet çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje perëndimi dhe çdo hero e shenjt shqiptar i fesë katolike, duke filluar me heroin mbarëkombëtar Skënderbeun e deri te e shenjta Nëna Tereze, si dhe ndërtohen në qendër të kryeqytetit xhami prej më tepër se 42 milion eurove, kjo vërtetë e bën botën perëndimore, dhe vet Vatikanin, të mendojë gjatë, se a i`a vlen vërtetë, të njihet një vend si Kosova”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Read Entire Article