“Një ‘tërmet’ shkatërrues për AAK-në” - Besnik Tahirit i vjen një kundërpërgjigje pas “parashikimit” të rezultatit për LVV-në

2 months ago 12
Reklamë

Akuzat dhe kundër-akuzat ndërmjet partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Qeverisë Kurti ishin në qendër të vëmendjes së skenës politike, javën e kaluar.

Debati nisi me një deklaratë nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri që  “paralajmëroi” se rezultati zgjedhor do të shkaktojë “tërmet” në Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, populli do e ndëshkojë Qeverinë Kurti për të cilën thotë se është më e dobëta në historinë e Kosovës.

“Unë ju them me përgjegjësi të plotë, rezultati zgjedhor për Lëvizjen Vetëvendosje  do të jetë tërmet, për të keq. E para, të gjitha të dhënat empirike, numerike tregojnë se kjo është qeveria më e dobët në histori të Kosovës që nuk ka bë sen, a kuptoni që nuk ka.. a bën veç një projekt me ma listu me më thënë që ky është projekti që qeveria e ka nis e ka përfundu”, tha Tahiri

Më pas Qeveria dha lajmin se Republika e Kosovës do t’i paguajë mbi 21 milionë euro kompanisë “ContourGlobal”, me të cilën kishte lidhur marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Ministri Hekuran Murati tha se një nënshkrim “i papërgjegjshëm” i ish-kryeministrit Haradinaj, tani po i kushton vendit mbi 21 milionë. Ai tha se vendime të tilla po vazhdojnë t’i ndjekin edhe pas shtatë viteve.

Kreu i AAK-së kësaj akuze i është kundërpërgjigjur duke thënë se kryeministri Albin Kurti dhe klika e tij që kanë ndëshkuar kompaninë amerikane “Contour Global” janë kriminelë.

“Kriminelët kthehet në vendin e krimit shpesh sepse nuk ndëshkohen. Kurti dhe klika e tij që e kanë ndëshkuar ‘Contour Globalin’ janë kriminelë”, tha Haradinaj.

Image

Gani Qarri

E gjithë këto polemika i ka komentuar për gazetën “Bota sot” analisti Gani Qarri. Ai ka rikujtuar veprimet e Haradinajt në kohën sa ishte në pushtet duke thënë se i njëjti do të duhej të jepte përgjegjësi.

“Në fakt nuk ka edhe një vend tjetër në rajon, as Evropën mbarë, ku politikanë të inkriminuar të opozitës, me retorikën e tyre të shpifur agjenturore, përpiqen deri në çmenduri të nxisin me çdo kusht qëndrimet më negative të mundshme kundër arritjeve të Qeverisë së vendit të vet.

Parti e grupacione të cilat keqpërdorin edhe emocionet e njerëzve të thjeshtë dhe patriotizmin e rrejshëm, si derë shpëtimi për ti shitur si arritje edhe bëmat e tyre anti shtetërorë dhe anti kombëtare, që nga grumbullimi i pasurive të kundërligjshme, grabitja e tokave të shtetit, e deri te shitja e tokave të Kosovës, si 2500 hektar FYROM-it dhe 8300 hektar tjerë, tokë autoktone të Kosovës Malit të Zi, përfshi Kullën, Zhlebin dhe Çakorrin, për mbrojtjen e të cilave, ndër shekuj kanë dhënë jetën shumë shqiptar. por aq nuk do të mund të rikthehen më ndoshta as me luftë.

Andaj sikur të kishte një drejtësi të paanshme dhe të pandikuar nga partitë e inkriminuara politike, situatat e tilla, ligjërisht janë të dënueshme, dhe frymëzuesit e tyre, do duhej thirr në përgjegjësi, sikur mos të ndodhte që po këto gjykata, të cilat kanë miratuar edhe vendimet politike të Qeverisë okupatore të Sllobodan Millosheviqit, për kalimin e 40 hektarëve tokë të shqiptarëve autokton, Manastirit të Deçanit, ligjet e Qeverisë së Kosovës të miratuara edhe nga Komisioni i Venecias, ktheheshin nga Kushtetuesja, si veprime të paligjshme të Qeverisë, gjë që nuk ndodhë askund në botë”, ka potencuar Qarri.

Sipas Qarrit, AAK nuk e ka nën kontroll as gjendjen e saj, ndërsa përmend edhe figura mjaft të rëndësishme që e kanë braktisur.

“Përderisa AAK nuk e ka nën kontroll as gjendjen e saj, ku figura të rëndësishme kohë pas kohe kanë ikur njëri pas tjetrit nga kjo parti, si kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi i cili bashkë me anëtarët e 20 nëndegëve përfshirë edhe asamblistët e AAK-së në Obiliq dhanë dorëheqje nga strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kurse nga zhgënjimet e gafeve të pafund të AAK-së, nga viti në vit janë larguar edhe kuadrat më eminent duke filluar nga ish kryeministri Bajram Kosume,ish-ministër i Tregtisë e Industrisë dhe njëri ndër themeluesit e AAK-s.

Për shkak të veprimit totalitar nga AAK ka ikur edhe Bujar Dugolli , ish kryeministri i përkohshëm Agim Çeku, i cili iu bashkua PDK-së, Ethem Çeku, edhe ky një ish ministër, Kadri Kryeziu ish-zëvendësministër i Tregtisë e Industrisë dhe ish-anëtar i kryesisë së AAK-së, Blerim Shala ish-koordinatator politik i palës kosovare në bisedimet Kosovë- Serbi, ish-deputetja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, për të vijuar me dorëheqjen e parevokushme edhe të Naim Malokut, ish-anëtari shumëvjeçar Ernest Luma dhe ish-deputetja më e zëshme e kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi, përfshi Blerim Kuçin, ish kryetar i Suharekës, dhe ish nënkryetar i AAK’së.

Madje duke parë se pushteti aktual qeverisës në Komunën e Deçanit është i infektuar deri në palcë. ku Aleanca në Deçan ka dalë nga binarët dhe pakënaqësia qytetare është ekstremisht e lartë, edhe ish-deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, ka vendosur të garojë si kandidatë i pavarur, duke bërë  që kjo mini parti të varfërohet deri në atë masë, sa të ngelë në njerëz si Besnik Tahiri e të mos ketë më asnjë figurë prominente për të garuar as në zgjedhjet vendore, cirkusmen të cilët me shpejtësi të rrufeshme po e dërgojnë AAK-në, drejt rënies përfundimtare nën pragun zgjedhor”, ka potencuar ai.

“Utopi”

Qarri i konsideron si “utopike” deklaratat e Besnik Tahirit për rezultatin e “dobët” të LVV-së në zgjedhjet e ardhshme.

“Andaj njerëz si Besnik Tahiri, të prodhojnë prognozime të tilla zgjedhore për partinë e kryeministrit Kurti,e cila është qindra herë më e mirë organizuar dhe pakrahasimisht më e madhe se AAK, e vetmja parti favorite e padiskutueshme nga të gjitha sondazhet edhe e zgjedhjeve të ardhme, të përflitet nga një zëdhënës i një parti minore, si Besnik Tahiri, derisa  përveç grupacionit jashtëparlamentarë "Nisma" të Fatmir Limës, i cili përveç akuzave për avazione të jashtëligjshme financiare është vendosur edhe në Listën e Zezë, të SHBA-ve, asnjë segment tjetër politik nuk ka pranuar bashkëpunim, as koalicion para as paszgjedhor me AAK, nuk e kuptojë se ku i mbështet parashikimet e tij utopike, Shefi i Grupit Parlamentar të një mini partie si AAK, Besnik Tahiri, që të paralajmërojë me kaq "siguri", se rezultati zgjedhor do të shkaktojë “tërmet” në Lëvizjen Vetëvendosje, në vend se ta garantojë elektoratin e kësaj partie, se të paktën edhe kësaj radhe, AAK nuk do të bie nën pragun zgjedhor.

Ajo që dihet nga përvoja e deritanishme zgjedhore, populli nuk do ta ndëshkojë Qeverinë Kurti, vetëm pse një pallavragji si Besnik Tahiri, ngriste në qiell, qeverinë e Haradinajt të formuar në koalicion me Listën Serbe të Goran Rakiqit, kurse tani propagandon pa asnjë fije turpi, se Qeveria Kurti qenka më e dobëta, pa dhënë sqarime se për çfarë qenka aq e dobët”, shtoi ai.

Madje analisti përmendi edhe punën e Qeverisë Kurti në vendosjen e rendit dhe ligit në veri, për dallim nga Qeveria Haradinaj që bashkëpunonteedhe me Radoiçiqin.

“Athua Besnik Tahiri e konsideron dobësi rivendosjen e rendit e të ligjit, shtrirjen e shtetësisë në veri të Kosovës, ndalimin e organizatave terroriste serbe si të ashtuquajturat "brigada e veriut" e "mbrojtja civile", dëbimin e kriminelve dhe terroristëve serb në Serbi, përfshi kryeterroristin Milan Radojçiq të cilin kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e priste në zyrat e kryeministrisë së Kosovës, vetëm pse me dëbimin e të cilit, Qeveria Kurti mund t`ua ketë tharë xhepat aksidentalisht edhe disa njerëzve të AAK-së që ndër vite kanë zhvilluar tregti të paligjshme me grupet kriminale serbe në veri, akt me të cilin, mund të ketë ngritur edhe nervat e z.Besnik Tahiri?!

Kështu që, përderisa zgjedhjet e rregullta kushtetuese tanimë, nuk janë dhe aq largë, është mirë që të mos e marrim seriozisht, qitjen fall dhe leximin e filxhanëve të kafes  së AAK-së, nga shakagjia Besnik Tahirit, partia e të cilit, vërtetë nuk di të ketë as një kandidatë të vetëm potencial që do të mund, ti bindet qytetarët e vendit, t`ua japin votën edhe këtë herë, ndaj le t`ia lëmë kohës, që të shihet vendimi i sovranit, i cili besojë se, edhe më tepër se në të kaluarën, do ti dënojë me votë, partitë e inkriminuara, veçanërisht AAK-në, e cila nuk di të ketë as kandidatë serioz, që do të meritonte për tu votuar nga qytetarët dhe rezultati zgjedhor, vërtetë mund të jetë një tërmet, madje shumë i keq deri shkatërrues për AAK-në”, përfundoi analisti Qarri.

Read Entire Article