Një thirrje e rëndësishme nga Gjermania: Duhet të përgatitemi për ditë të vështira të një konflikti – Këto janë gabimet e politikës në Kosovë

4 months ago 7

Muaji maj u karakterizua me zhvillime politike nga më të ndryshmet e madje edhe nga më të pabesueshmet.

Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, për shkak të Asociacionit që iu vendos si kusht nga shtetet evropiane në momentet e fundit. Nga ana tjetër, po në momentet e fundit të këtij procesi krerët e shtetit (pa Presidenten Osmani) përkatësisht ministrja e Jashtme Donika Gërvalla ia dërgoi një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos, ku e njoftoi se Kosova po e shkruan një draft-statut për Asociacionin dhe se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit.

Gjithë kjo situatë shoqërohej më kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, të cilën kërkesë e përkrahu edhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Por, derisa LDK e AAK donin zgjedhje me dorëheqje të kryeministrit Kurti, LVV e PDK preferuan që vendi të shkojë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Madje, aq dakord me njëra tjetrën u panë të jenë PDK e LVV sa edhe procesin gjyqësor për rrahjen e tyre në Kuvend vitin e kaluar, u pajtuan që ta zgjidhin me ndërmjetësim!

E gjithë kjo situatë, sipas veprimtarit dhe ish kryetarit të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi dëshmon se Kosova është vend i eksperimenteve dhe pazareve politike për të vazhduar lojën!

Image

Osman Ferizi

“Mendoj që takimet dhe komunikimet për tema të caktuara dhe rrethana të veçanta mes subjekteve politike janë normale, por jo edhe për partitë tona politike, në veçanti VV e PDK, që janë skenaristë për të shkaktuar kriza dhe momente për të kamufluar situata, siç ishte rasti i dështimit të Kosovës për të bërë anëtare të KE, dihet se këto dy parti kanë një orientim dhe bazë ideologjike, janë produkt i ish-LPK-së marksiste-enveriste që janë mjeshtër të megalomanisë, populizmit dhe puçeve. Prandaj, edhe kjo ishte një lojë dhe pjesë e skenareve, fushatës së mashtrimit mediatike se ne jemi të gatshëm për zgjedhje dhe për të hequr përgjegjësinë për dështimet në çdo fushë, në veçanti të imazhit të Kosovës, duke e futur në sanksione ekonomike dhe izolim ndërkombëtar”, shprehet Ferizi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kjo gjendje status quo po i konvenon vetëm Serbisë. Ai thotë se në gjendjen aktuale ku ndodhet e gjithë bota, Kosovës i duhet një strategji kombëtare për të vazhduar tutje.

“Po të kishim drejtues shtetërorë seriozë, do duhej të uleshin bashkërisht të gjitha partitë politike, akademia dhe institutet e shtetit tonë, Shqipëria dhe gjithë bota shqiptare, me gjithë miqtë që na bëjnë shtet, për ta hartuar një strategji kombëtare, sepse bota ndodhet para sfidave dhe ndryshimeve të mëdha gjeo-politike, mes superfuqive ushtarake dhe ekonomike, ku ne si një popull i vogël mes ujqërish duhet të përgatitemi për ditë të vështira të një konflikti”, shprehet ai.

Nga ana tjetër, Ferizi kritikon opozitën që sipas tij nuk kishte kauzë e bashkëpunim për tema që e brengosin qytetarin.

“Sjellja e opozitës për periudhën gati katër-vjeçare ishte e zbehtë, pa kauzë, pa krijuar një frymë për shumë tema që e preokupojnë qytetarin, i cili për mungesën e një perspektive po largohet çdo ditë nga vendi, pa një bashkëpunim opozitar për temat e nxehta.

Vetë fakti që Albin Kurti ka pranuar një Marrëveshje shtesë nga ajo e 2013 dhe aneksin e marrëveshjes së 2015, që degradon në një Autonomi të zgjeruar, tregon që ai ka dështuar në të realizuar asnjë nga premtimet elektorale. Pra, një kryeministër jo pragmatik, konfliktual, që mbijeton njëjtë si Viçiqi me forma dredharake, krijon situata konfliktuese, inskenon për të mbajtur pushtetin e tij.

Ai e di që tani është i pabesuar nga SHBA dhe BE dhe kërkon një konfirmim popullor, por zgjidhja e problemit të veriut është një gur i varur në qafën e tij, pa një zgjidhje politike, pa një de-eskalim të gjendjes, dërgimin e draftit nga ekspertët vendorë në Gjykatën Kushtetuese, pa zgjedhje të reja në veri, nuk do të ketë ecje dhe integrim të Kosovës në strukturat e BE dhe Euro-Atlantike, pa shtytjen dhe mbështetjen e SHBA, se do të vendosim, ata kërkojnë veprime konkrete në terren e jo zotime”, nënvizon ai për “Bota sot”.

Sa i përket procesit gjyqësor të “grushteve” në Parlament, mes deputetëve të PDK-së dhe Qeveritarëve të VV, Osman Ferizi thotë se ky ishte vërtet një akt skandaloz.

“Për çka ishte edhe më i rëndë kur në seancën gjyqësore, kur gjyqtari z. Eroll Gashi kërkon që të bëhet pajtimi mes ndërmjetësimit për ta mbyllur procedurën, tregon naivitet, primitivizëm, patriarkalizëm. Në çdo shtet ligjor, ajo do merret si rrethanë lehtësuese, por kurrsesi për pushim të procedurës gjyqësore, sepse në organin më të lartë të shtetit, ku sillen, propozohen dhe miratohen ligjet, aty janë bërë veprime arrogante deri në përleshje fizike, që duhet të dënohen sipas ligjit në fuqi. Pra, ky veprim paraqet një perversitet politik që krijon imazh negativ për shtetin tonë”, përfundoi Ferizi.

Read Entire Article