Një vit qeverisje shqiptarësh në veri, politikani serb tregon gjendjen atje: Këto janë dy ‘kërkesat’ për Kosovën dhe Serbinë

4 months ago 12

Kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut tashmë kanë bërë një vit që nga betimi dhe fillimi zyrtarisht i punës.

Lulzim Hetemi, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri vazhdojnë punën tash e një vit, pas protestave të shumta madje edhe të dhunshme të serbëve të cilët nuk pranonin qeverisjen komunale të tyre.

Kryetarët shqiptarë në veri vazhdojnë punën edhe pas referendumit të mbajtur në janar të këtij viti për largimin e tyre, referendum ky i cili dështoi për shkak të bojkotit të serbëve.

Aktivisti politik në Zubin Potok dhe politikani, Miko Bisevac, ka komentuar për “Bota sot”, qeverisjen e kryetarëve shqiptarë në Zveçan dhe Zubin Potok, që sipas tij asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas një viti.

Administratat janë absolutisht jo funksionale dhe nuk shërbejnë si shërbim për qytetarët, deklaron Bisevac, gjersa shton se deri më tani nuk është realizur asnjë projekt infrastrukturor dhe as nuk ka kontroll se ku përfundojnë mjetet e destinuara për qytetarët.

“Një vit pas ardhjes së kryetarëve të rinj në godinat e Bashkisë, asgjë e rëndësishme nuk ka ndryshuar. Sot, dy kryetarë komunash (Zveçan dhe Zubin Potok) nuk i kryejnë funksionet e tyre nga ndërtesat komunale por nga zyrat administrative (Çabra dhe Lipa). Besoj se administratat janë absolutisht jofunksionale dhe nuk shërbejnë si shërbim për qytetarët. Shumica e punëtorëve administrativë janë të punësuar nga të afërmit apo linjat partiake dhe në përgjithësi nuk kanë kompetencë adekuate për ta kryer atë punë, gjë që tregon fakti se kryetari i komunës së Zubin Potokut ka punësuar vajzën e tij si drejtore, për të cilën më vonë është gjobitur nga Agjencia e Korrupsionit. Mendoj se ata po bëjnë gjëra identike si paraardhësit e tyre, lista Srpska, sundimi i së cilës u karakterizua nga krimi, korrupsioni dhe nepotizmi në punësim. Deri më tani nuk është realizuar asnjë projekt infrastrukturor dhe as nuk ka kontroll se ku përfundojnë mjetet e destinuara për qytetarët”, shprehet Bisevac.

Image

Miko Bisevac

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila udhëheq me vendin ka publikuar një video në një vjetorin e marrjes së detyrave të kryetarëve në katër komuna.

Sipas tyre, pavarësisht sulmeve të grupeve të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi, institucionet e Kosovës ngadhënjyen.

“Sot bëhen një vit prej kur kryetarët në katër komunat në veri morën detyrat. Grupe të organizuara kriminale me dirigjim nga Beogradi bën sulme të përditshme ndaj Policisë, gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it me qëllim pengimin e punës së kryetarëve në këto komuna dhe luftimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Por, institucionet e Republikës të vendosura ngadhënjyen”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, aktivisti Bisevac thotë se për hir të politikës keqpërdoren temat serioze.

“Në deklaratën e partisë në pushtet, në të cilën kërkon të paraqitet si “pushtues”, për të përhapur dhe vazhduar politikën e populizmit, shihet qartë se po keqpërdoren tema serioze për hir të politikës. pikë. Edhe pse me sa duket sistemi është i instaluar, mendoj se është ende jofunksional dhe mund të zgjidhet vetëm me dialog”, deklaron Bisevac.

Tutje, sipas tij, palët duhet të bëjnë një kompromis, të reduktohet prania e njësive speciale dhe njerëzit të kthehen në institucione.

“ Është e nevojshme që të dyja palët të bëjnë një kompromis, të reduktohet prania e njësive speciale dhe të kthehen njerëzit në institucione në mënyrë që komunat të jenë funksionale dhe t'u shërbejnë qytetarëve. Kjo është mënyra e vetme për të arritur paqen e qëndrueshme. Unë si politikan dhe aktivist flas çdo ditë si me serbët ashtu edhe me shqiptarët dhe mendoj se nuk ka aq shumë probleme mes komuniteteve etnike, gjegjësisht njerëzve të thjeshtë, problemet i krijojnë politikanët dhe institucionet, me njëanshmërinë e tyre. lëvizjet dhe fjalimet populiste”, shprehet Bisevac.

Me 25 maj 2023 Lulzim Hetemi, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri u betuan si kryetarë të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, mandate këto të cilave iu kontestua legjitimiteti pas numrit të vogël të votave që ata morën.

Shkaku i sigurisë së brishtë, që të tre betimin e kishin dhënë në objekte alternative.

E, pikërisht situata e sigurisë eskaloi kur serbët lokalë dhe grupet kriminale u mobilizuan që t’i pengojnë kryetarët të hyjnë në objektet kryesore të komunave.

I vetmi që arriti të hyjë në komunë ishte Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje me ndihmën e policisë, i cili për shtatë muaj nuk doli nga aty.

Read Entire Article