“Nuk ka nevojë për filma të kësaj natyre”, analistët reagojnë ndaj BE-së dhe SHBA-së për postën e Serbisë

1 month ago 13
Reklamë

Kosova dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët nuk janë në “ditët më të mira” të tyre.

Bashkimit Evropian, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke “i penguar” çdo veprim i qeverisë Kurti në veri të vendit dhe ata për këtë nuk hezitojnë të reagojnë, të kritikojnë, madje edhe të paralajmërojnë masa ndëshkuese.

Të hënën, policia e Kosovës ka mbyllur nëntë pika të postës serbe në veri të Kosovës, veprim ky që sipas BE dhe SHBA, është i pakoordinuar dhe i njëanshëm.

"Qeveria e Kosovës të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut”, thuhet në reagimin e BE-së, duke rikujtuar se "marrëveshjet në lidhje me Telekomunikacionet janë arritur në vitin 2013 me një plan të  veprimit të vitit 2015.

 Sipas BE aty të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare në një fazë të mëvonshme, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kuadrit të bisedimeve. BE "është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të bisedimeve dhe pret që palët të dalin me ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje”.

Ndërsa, nga Ambasada Amerikane në Prishtinë bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës "që t'i jap fund çdo veprimi të mëtejshëm të njëanshëm dhe t'i kthehet angazhimit konstruktiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

 "Veprimet e pa koordinuara i vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në një reagim të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Xani: Veprimet e tilla kanë sukses kur nuk na konfrontojnë me ndërkombëtarët

Lidhur me këtë, analisti Visar Xani, thotë se BE kërkon që vendimet e rëndësishme që prekin marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të merren në kuadër të dialogut që ajo ndërmjetëson, me qëllim të shmangies së tensioneve dhe ruajtjes së stabilitetit.

Image

Visa Xani

“Duket se BE-ja është e interesuar për një qasje të koordinuar dhe të bazuar në dialog për të zgjidhur çështjet e ndjeshme në veri të Kosovës. BE-ja kërkon që vendimet e rëndësishme që prekin marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë të merren në kuadër të dialogut që ajo ndërmjetëson, me qëllim të shmangies së tensioneve dhe ruajtjes së stabilitetit. Nëse Kosova do të duhet të marrë leje nga BE për çdo aksion në veri, kjo disi nënkupton që ne akoma jemi me pavarësinë e mbikëqyrur”, shprehet Xani.

 Ai shton se veprimet e Kosovës kanë sukses kur nuk na konfrontojnë me ndërkombëtarët dhe të njëjtën kohë ruhet stabiliteti në veri.

 “Pajtohem që Kosova duhet të ndërmarrë veprime për të ndërprerë pikat paralele dhe ilegale në territorin e Kosovës, por duhet të merren edhe masa strategjike që ato të mos shfrytëzohen nga Serbia për veprime politike të saj. Pra, veprimet e tilla kanë sukses kur nuk na konfrontojnë me ndërkombëtarët dhe në të njëjtën kohë ruajmë stabilitetin në veri”, shton analisti.

Ndaj, reagimit të BE-së ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që sipas tij, BE në vend se të merret me shkeljet e shumëfishta nga Brnabiq dhe Vuçiq, shpreh gatishmëri e reagim të lartë për ta dënuar Kosovën.

“Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale”, ka thënë Bislimi, gjersa kishte treguar se postat vepronin ilegalisht.

Dështimi i BE-së

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë se ngërçi politik vazhdon, por sipas tij, nuk ka arsye pse mos të zbatohen marrëveshjet.

Ai konsideron se deklarimet janë të nivelit politik.

Image

Blerim Burjani

“Ky ngërç politik e statik mbretëron që një kohë të gjatë dhe pa zgjidhje. Nuk ka arsye pse dhe si të zbatohen marrëveshjet, vetëm thonë se me dialog çdo gjë duhet të bëhet dhe me koordinim, pra pa ndonjë bashkëpunim dhe koordinim çdo gjë do të cilësohet se është akt vetjak dhe i pa arsyeshëm. Tash po shihet edhe çështja e Urës, pra nuk do të hapet pa u dakorduar në Bruksel palët dhe kjo do të vazhdojë të mbetet kështu si është. Në lojë edhe KFOR ka hyrë me deklarime po ashtu të nivelit politik se duhet të bëhet dialog në Bruksel për të hapur Urën  tani edhe për mbylljen e nëntë postave serbe që kanë vepruar ilegalisht”, pohon Burjani.

 Sipas Burjanit, BE nuk po gjen rrugën politike për zbatimin e marrëveshjeve të pa zbatuara dhe nuk ka nevojë për “filma të kësaj natyre”.

“Bashkimi Evropian nuk po tregon apo nuk gjen rrugën politike për të zbatuar një varg të madh të marrëveshjeve të pa zbatuara, mendoj se nuk duhen bërë filma të kësaj natyre, BE dhe SHBA duhet të gjejnë rrugën sesi të zbatohen marrëveshjet dhe si të ndalohen veprimet ilegale serbe në Kosovë, e jo rrallë kjo qeveri po çuditet pse duhet të mbrohet Serbia në Kosovë, pra kjo qeveri mendon se është sovrane dhe vendos çdo gjë, në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare nuk e do këtë dhe nuk po gjendet zgjidhje në asnjë mënyrë rruga sesi të zgjidhen çështjet Kosovë- Serbi. Nëntë postat janë pasojë e paaftësisë për të zgjidhur problemet, palët pra nuk kanë gatishmëri e as vullnet  për zgjidhje”, përfundon Burjani.

Read Entire Article