Opinion – Kukësi, nga tradita mikpritjes në tunele të nëndheshme!

10 months ago 11

Autori: Blendi Fevziu

01:14 14/12/2023

#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Fevziu i bie çiftelisë në Kukës, mahnitet me interpretimin e rapsodëve

Emisioni i kësaj mbrëmjeje në “Opinion” në Tv Klan i dedikohet plotësisht qytetit verilindor të Kukësit, për të cilit pak ditë më parë BBC Travell i kushtoi një artikull të plotë për mikëpritjen e kosovarëve në vitin 1999. Por Kukësi përpos mikëpritjes ka bukuri të veçanta!


Personi i parë që e priti gazetarin Bledi Fevziu në Kukës ishte Rexhep Kovaçi, një rapsod që ka më shumë se 5 dekada që kontribuon në jetën artistike të Kukësit dhe foklorit të tij.

-Rexhep sa vjeç je?

Rexhep Kovaçi: 70.

-Sa vjet ke me çifteli?

Rexhep Kovaçi: Prej ’68-ës e deri më sot, jam pjesëmarrës në të gjitha festivalet.

-54 vjet! Dhe vazhdon akoma ë? Kush është instrumenti më karakteristik i Kukësit?

Rexhep Kovaçi: Çiftelia. Po flasim për Lumën e Kukësin.

(Rexhepi e mëson Fevziun si t’i bjerë çiftelisë.)

Më tej, rapsodët kënduan një këngë për “Djemtë e Lumës”, interpretim që la pa fjalë Fevziun.

-Si ishte “hajt se shkoj vatani”?

Rexhep Kovaçi: Dilni bre djem se na shkoj vatani.

-Po, po atdheu. Sa e bukur qenka! Kur është bërë kënga?

Rexhep Kovaçi: Fill pas luftës. Është transmetuar përmes këngës historia.

-Është shumë interesante në fakt sepse lufta e Lumës është ndër më të rëndësishmet që shqiptarët arritën të realizonin ende pa filluar pavarësia. E gjithë zona këtu u mobilizua për të penguar ushtrinë serbe. I mbajti disa javë që serbët të mos kalonin drejt bregdetit të Durrësit.

Gjylja i tregon flinë e Kukësit, reagimi i Fevziut i tregon të gjitha: Auuu, po hëngra këtë unë…

Nuk ka asgjë më interesante në Kukës sesa flija. Siç thonë në Kukës, flija aty është më e mirë se e çdo zone tjetër të Shqipërisë, duke përfshirë dhe atë të Kosovës.

Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu, ka shkuar pikërisht në Kukës, për të parë se si bëhet flija, nga Gjyle Elezi, një banore e cila prodhon fli për të gjithë Shqipërinë. Ajo i bën gati për t’i shpërndarë në Tiranë, në Durrës, në Vlorë dhe në qytete tjera, madje edhe të veriut.

Fli me porosi, por mbi të gjitha fli e bërë me duart e jashtëzakonshme të Gjyle Elezit, e cila rrëfen se këtë teknikë e ka mësuar kur erdhi nuse nga Hasi, në Kukës.


Blendi Fevziu: Ma trego njëherë flinë. Auuu, flija. A ia vendos të ngrohtë atë?

Gjyle Elezi: Po.

Blendi Fevziu: Edhe këtë e vendos tek zjarri prapë që të ngrohet?

Gjyle Elezi: Po.

Blendi Fevziu: Po pse, tre kapakë përdor për një fli?

Gjyle Elezi: Tre…

Blendi Fevziu: Edhe më shumë ë?

Gjyle Elezi: Edhe më shumë se duhet me u (hap kapakun ku po piqet flija)…

Blendi Fevziu: A e bëj dot unë flinë?

Gjyle Elezi: Tani nuk e di unë a e bën, por nuk mund ta bësh kollaj.

Blendi Fevziu: Po pse mund të mos e bëj unë? Çfarë është ai që po i hedh?

Gjyle Elezi: Qulli.

Blendi Fevziu: Me se e bën qullin, me qumësht?

Gjyle Elezi: E bëjmë me 5 kile ujë.

Blendi Fevziu: 5 kile ujë edhe?

Gjyle Elezi: 2 lugë kripë edhe 3 kile mjell.

Blendi Fevziu: Po yndyrë?

Gjyle Elezi: Jo yndyra në qull nuk hyn.

Blendi Fevziu: Sa vjet ke që e bën flinë?

Gjyle Elezi: Që kur jam martuar.

Blendi Fevziu: Po të shkoje tek burri, pa fli nuk quhej?

Gjyle Elezi: Jo jo, po tani duhet me mësuar, të gjitha veset e burrit duhet që t’i mësojmë.

Blendi Fevziu: Pse burri flinë kishte qejf? Po edhe në shtëpinë tënde do kesh bërë fli?

Gjyle Elezi: Po me nënën.

Blendi Fevziu: Kam 1 muaj e gjysmë që nuk ha që të bie nga pesha, po e hëngra këtë unë, sa kile shkoj?

Gjyle Elezi: Jo më burrë as një kile nuk je duke shtuar për një fli.

Blendi Fevziu shpërthen në të qeshura.

‘Qyteti’ 11 kate nëntokën e Kukësit, Fevziu e eksploron: Sa i madh qenka!

Gazetari dhe moderatori i emisionit “Opinion” në Tv Klan na tregoi këtë të mërkurë Kukësin që nga traditat e mikpritjes deri tek tunelet e nëndheshme.

E kur vjen fjala tek tunelet, aty ndodhet një “qytet” i tërë nëntokën e Kukësit. Meqenëse konsiderohej si qyteti i parë që mund të sulmohej nga Jugosllavia, qeveria komuniste e asaj kohe ndërtoi një qytet të tërë me fabrikë buke, spital, zyrën e administrimit, zyrën ushtarake dhe depon e municioneve.

Nuk ishte pak, por 7.5 kilometra i gjatë dhe me 30 hyrje.


Blendi Fevziu: Po hyjmë në një tunel që shtrihet nën Kukës i ndërtuar në vitin 1969, 7.5 kilometra i gjatë. Pra që do të thotë 7 kilometra e gjysmë nën tokë me 30 hyrje. Inxhinier, u sa i madh qenka, qenka akoma dhe më i thellë.

Feti Gjici ishte një prej inxhinierëve që punoi aty pothuajse 20 vjet në zonën e tunelit. Madje puna ishte sekret e ai nuk duhej t’i tregonte as familjes se çfarë bënte. Gjici ishte ai që shoqëroi Fevziun brenda në tunel dhe na tregoi një detaj shumë interesant. Tuneli është ndërtuar 30 metra nën tokë, ose më saktësisht sa 11 kate.

Blendi Fevziu: Sa thellësi zbresim? Sa kate ishte tuneli?

Feti Gjici: Këtu zbresim 30 metër.

Blendi Fevziu: 30 metër nëntokë?

Feti Gjici: Po.

Blendi Fevziu: 30 metër nëntokë i bie afërsisht 10 kate.

Feti Gjici: 11 kate.

Blendi Fevziu: 11 kate nëntokë. Një tunel 11 kate nën tokë për të përballuar sulm atomik.

“Po shoh arkitekturë tipike italiane”, fotot e rralla të Kukësit të vjetër

Një nga zonat më të bukura të Kukësit dhe që të ofron pamje fantastike është restoranti “Lugina e Drinit” që shërben dhe si një dëshmi e qytetit të vjetër.


Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, pronari i restorantit Miren Dokle rrëfeu më shumë mbi të shkuarën e Kukësit.

Miren Dokle: Unë kam lind në ’73-in, mbaj mend një fragment shumë të vogël. Ne ishim me shtëpi në qytet të ri, por nëna punonte akoma atje. Ajo që më ka ngelur në kujtesë është se përballe repartit fotografik ka qenë një byrektore, se kam qenë 5 vjeç.

-Dhe më pas në ’78-ën u mbyll gjithçka?

Miren Dokle: Po gjithë qyteti i vjetër është zhytur.

-Në fakt ajo që më bëri përshtypje është se në perceptimin e parë duket sikur Kukësi ka qenë një qytet me shtëpi guri, me kulla, por shoh një arkitekturë tipike italiane.

Miren Dokle: Qyteti është bërë me planimetri, ka marrë  zhvillim pas 1924-ës. Për ca kohë Prefekturë ishte Kruma, ca kohë Bicajt dhe më pas Kukësi.

(Tregon fotot e Kukësit të vjetër)

Që nga Ura e Vezirit e deri te hotelet private, të gjitha sot janë nën ujë.

-Pra Kukësi ishte si trekëndësh, aty ku bashkohej Drini i Zi me Drinin e Bardhë. Po duhet të ketë qenë shumë i bukur si vend vendosje.

Miren Dokle: Edhe si klimë. Sepse nëse Kukësi i ri është 350 m mbi nivelin e detit, ai ishte 295 m mbi nivelin e detit. 50 metra më ulët, si luginë.

Për 3 minuta strehohej i gjithë Kukësi, çfarë do të ndodhë me ‘qytetin’ nëntokësor: Brenda kishte edhe 1 spital

Nën Kukës shtrihet një tunel i gjatë 7.5 kilometra i cili është ndërtuar në rast të ndonjë sulmi atomik në kohën e komunizmit. Arkitekt Andrit Shehu është tashmë një nga të rinjtë që kërkon që të rivitalizohet kjo galeri.

Ai shoqëroi gazetarin dhe moderatorin e emisionit “Opinion” në Tv Klan brenda tunelit, ku tregoi se ende disa pjesë të tij nuk janë ende të përfunduara. Sipas tij, galeritë janë përdorur në kohën e diktaturës për qëllime stërvitore. Ai tregoi edhe një detaj interesant në rast se duhej të strehohej qyteti.


“Për 3 minuta në rast alarmi, i gjithë Kukësi strehohej. Popullata ka qenë rreth 6 mijë – 7 mijë banorë”, tha ai.

Por cili është plani për këtë tunel?

“Ne si bashki kemi një plan për ta kthyer, për ta vitalizuar dhe për t’i rijetëzuar këto galeri. Në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar do i bëjmë një dixhitalizim edhe një planimetri të azhornuar të gjitha galerive. Plani i vjetër duke qenë galeri ‘top secret’ e kohës dhe nuk ekziston azhornimi përfundimtar i të gjitha galerive. Ne mendojmë që një pjesë mund të përdoret edhe për qëllime stërvitore ushtarake, ndërsa pjesa tjetër duke qenë se janë 7.5 kilometër galeri, do ta përdorim për zhvillimin e turizmit”, u shpreh Shehu.

“Popullsia u 100-fishua në pak ditë…”, Fevziu: Kukësi ka kryer një gjest të rrallë

Qyteti i Kukësit është ndoshta i dyti në Shqipëri, që është nominuar me çmimin Nobel. Në vitin 2000, qyteti i Kukësit u propozua për çmimin Nobel, për arsye të një prej eventeve më të rëndësishme të historisë së Kukësit dhe një prej eventeve më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.

Në vitin 1999, qyteti i Kukësit, një qytet i vogël me pak mijëra banorë, mirëpriti mbi gjysmë milionë shqiptarëve të Kosovës, të cilët u larguan nga represioni i Slobodan Milosevic.

Këtë temë e ka trajtuar edhe gazetari Blendi Fevziu, në një intervistë me pedagogen, Lenida Halilaj, ditën e sotme në emisionin “Opinion”, në Tv Klan.


Blendi Fevziu: Pjesa e pritjes të shqiptarëve të Kosovës është edhe pjesa më e rëndësishme, po e quaj, historike e Kukësit, apo jo?

Lenida Halilaj: Po po, patjetër. Është si një lloj eksodi biblik faktikisht, për nga përmasat që pati, por…

Blendi Fevziu: Patjetër, gjysmë milioni njerëz, në një qytet me 5 mijë banorë.

Lenida Halilaj: Ekzaktësisht, për pak ditë ose javë, mund të themi që janë 10-fishuar ose 100-fishuar banorët në qytetin e Kukësit. Por edhe mikpritja që ka pasur secila familje në Kukës, që ka dhënë ndaj shtetasve të Kosovës, ishte diçka që nuk ishte parë më përpara. Edhe fakti që vinim ne nga një periudhë shumë e vështirë, se Kukësi, një nga qytetet më të varfra…

Blendi Fevziu: Kukësi ishte një qytet i varfër, me infrastrukturë të dobët.

Lenida Haliulaj: Pasi u shpall thirrja, le të themi, që secila familje kuksiane duhet të mirëpriste një familje kosovare, u ngrit shtabi i përgjithshëm. Në atë kohë ka qenë zëvendës kryeministri Ilir Meta, po ashtu edhe prefekti i Kukësit, të cilët bënë një thirrje dhe me anë të televizionit të Kukësit në këtë rast.

Në fund të kësaj pjese Blendi Fevziu u shpreh se Kukësi ka kryer një nga gjestet më të rralla. Madje ai tha se liderët kryesor të globit, vinin në Kukës për t’ju thënë emigrantëve të Kosovës: “qëndroni se ne do t’ju çlirojmë”.

Blendi Fevziu: Në fakt askush nuk e besonte që mund të ndodhte, ajo që ndodhi. Kryeministri Majko, telefonoi prefektin e Korçës dhe i tha: “sa veta mund të marrësh, sa shqiptar të Kosovës mund të marrësh?”. Prefekti i Korçës tha: “ndoshta 5 mijë”. “Rrite numrin”, i tha. “Ndoshta 7”. “Rrite numrin”, i tha Majko. “Ndoshta 10”, i tha prefekti “dhe më tutje nuk shkoj dot më”. “Do marrësh 50 mijë”, i tha “sepse nuk kemi ku t’i mbajmë”. Dhe prefekti u detyrua t’i pranonte dhe në fakt, jo vetëm Korça, sepse unë po ju sjell një rast që e kam asistuar vetë, në telefonatën me kryeministrin Majko, por çdo qytet i Shqipërisë, në çdo cep filloi të merrte shqiptarë të Kosovës që vinin nga territore. Por stacioni i parë, kryesori, qendrori dhe ai që përballoi goditjen më të madhe, ishte Kukësi. Në një kohë kur rruga për të mbërritur në Kukës, për arsye të trafikut të rënduar të asaj kohe, shkonte edhe 11 orë për të arritur deri këtu. Dhe poshtë, në atë zonën aty, ku duket ajo çatia e kuqe, ishin të gjitha mediat ndërkombëtare të botës. Dhe mund të gjeje disa nga liderët kryesorë të globit, të cilët vinin për t’ju thënë emigrantëve të Kosovës: “qëndroni se ne do t’ju çlirojmë”. Ky qytet me pak banorë, ka kryer një nga gjestet më të rralla. /tvklan.al


Read Entire Article