Opozita, protestë para Kuvendit dhe SPAK

10 months ago 28
15:46 20/12/2023

Berisha: Betejë pa kthim deri në fitore të opozitës

Teksa Kuvendi do të votojë nesër për kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, opozita me sloganin “O sot, o kurrë” do të protestojë sërish kundër asaj që ajo e konsideron uzurpim i pushtetit të parlamentit, por edhe kundër amnistisë që sipas saj organet e reja të drejtësisë i kanë bërë pushtetarëve aktualë për çështjen e inceneratorëve. Ndaj kreu i demokratëve Sali Berisha paralajmëroi se protesta nuk do të jetë vetëm brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, por edhe para Prokurorisë së Posaçme.

“Cilido të jetë çmimi, ne do sjellim para jush çdo dokument të çdo vjedhje nga cilido që e bën atë. Por, këto nuk mjaftojnë. Duhet zgjidhja! Dhe zgjidhja nga vrasësit e ligjit dhe të drejtës në institucionin e akuzës nuk vjen kurrë. Zgjidhja vjen nga protesta juaj, të dashur qytetarë, para këtij institucioni që funksionon në mënyrë absolute njëlloj si dikur hetuesit e sigurimit të shtetit”.

I bindur se opozita ka bërë gjithçka duhet për të denoncuar me fakte çdo shkelje në hetimin e dosjes së inceneratorit të Tiranës, ai thotë se tashmë është radha e qytetarëve.

“U përket ju dhe vetëm juve të thoni fjalën tuaj. Këta nuk janë prokurorë, këta janë persekutorët tuaj”.

Është i ndërgjegjshëm se për shkak të kompleksitetit të rrethanave, vetëm një pjesë e atyre që duan të protestojnë do marrin pjesë në këtë protestë, por për të e rëndësishme është që reagimi qytetar të mos ndalet.

“Për ne e rëndësishme është që nisëm tani protestat për të mos i ndaluar më gjer ditën e fitores mbi narkoregjimin e Edi Ramës. Kjo ka rëndësi”.

Protestës thotë se do t’i prijë vetë, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë dhe jashtë tij.

“Ku do jem unë atë ditë? Kudo do jem unë. Pantotenik. Në sallë, jashtë salle, te qytetarët dhe kudo. Në betejë, betejë pa kthim… unë do e drejtoj me vendosmëri drejt fitores këtë opozitë”.

Gjatë u mor edhe me prokurorët dhe gjyqtarët e dosjes së privatizimit të klubit Partizani dhe asaj për inceneratorin e Tiranës.

“Ose ata kanë marrë restin 1 ose 2 milionë euro për të bërë këtë krim të shëmtuar, për të hequr emrin e Erion Veliajt nga 110 faqe akuzë, ose ata si pjesë e organizatës kriminale me Edi Ramën, zbatojnë urdhrat e verbra të tij”.

Sa i përket kërkesës për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij ai tha se prokurorët e SPAK nuk arritën të paraqesin para Këshillit të Mandateve asnjë provë, pasi sipas tij ato nuk ekzistojnë. Gjatë konferencës ku u paraqitën të tjera dokumente, që sipas opozitës faktojnë përdorimin e SPAK nga qeveria, Berisha publikoi edhe një dokument që vërteton pjesëmarrjen e prokurorit Arben Kraja në një proces gjyqësor të vitit 1990 ku një i ri është dënuar për mospranim të moralit komunist.

Tv Klan


Read Entire Article