Paga minimale në Kosovë rritet në 350 euro, Haradinaj: Poshtërim, mashtrim në kuadër të fushatës zgjedhore

2 weeks ago 33
Reklamë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën ndaj vendimit të fundit të ekzekutivit kosovar nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) rreth pagës minimale, duke e cilësuar “poshtërim e mashtrim” rritjen e saj në 350 euro, që sipas tij, vjen posaçërisht në kuadër të fushatës zgjedhore.

“Kjo pagë minimale është poshtërim. Ata që s’kanë preokupim tjetër përpos si të mbeten në pushtet, gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dalin me mashtrimet e radhës për rritje pagash, ulje çmimesh, vende pune e lloj-lloj mrekullirash të tjera. Në kuadër të një fushate për zgjedhje, qeveria e LVV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro”.

Haradinaj ka theksuar se paga minimale sot duhet të jetë 450 euro, ndërsa ajo duhet të jetë së paku 500 euro në ditën e parë të qeverisë së re. Gjithashtu, ai ka konsideruar se në këtë pagë minimale duhet të përfshihen edhe pensionistët, të ardhurat e të cilëve variojnë nga 100 deri në 265 euro.

“Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve”, ka shtuar mes tjerash ai.

Ndryshe, duke qenë se së shpejti do të hapet zyrtarisht sezoni zgjedhor – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë më shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës për betejën e radhës – kanë filluar edhe përgatitjet për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Read Entire Article