Paketa e sigurisë në shkolla, Balla paralajmëron ashpërsim të dënimeve

11 months ago 23
11:03 24/10/2023

Ministri i Brendshëm Taulant Balla paralajmëron ashpërsim të dënimeve sa i takon veprave penale që kryhen në mjediset e shkollave apo në perimetrin e sigurisë rreth tyre. Në një reagim për mediat Balla rendit veprat penale, për të cilat pritet të ketë ashpërsim të dënimit.

“Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:  

“Dhuna seksuale (neni 107/a); Pornografia (neni 117);  Trafikimi i të miturve (neni 128/b); Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278); Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279); Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283); Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a); Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b); Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286); Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291)”.

Ministri i Brendshëm shprehet i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article