“Parafushata” e Limajt dhe Haradinajt nisi me akuza ndaj Kurtit/ Analistët: Qytetarët do të vendosin duke gjykuar edhe në retrospektivë!

4 weeks ago 6
Reklamë

9 shkurti i vitit 2025 është dita kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Kjo datë është vendosur pas konsultimeve mes presidentes dhe partive politike.

Por, tash e sa muaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Soacialdemokrate, kanë lidhur koalicion së bashku. Ato janë bashkuar me synimin për të fituar më shumë vota kësaj radhe.

Krerët e këtyre dy partive, Ramush Hahardinaj e Fatmir Limaj, së bashku kanë nisur edhe “fushatën” e parakohshme zgjedhore.

Haradinaj me partnerët e koalicionit kanë kritikuar qeverinë aktuale për mos punë, por gjithashtu ata kanë treguar zotimet e tyre nëse vijnë në pushtet.

Në mesin e premtimeve është edhe rritja e pagave, pensioneve e shtesave, si dhe ulja e taksave.

Haradinaj ka premtuar se në qeverisjen e tij nuk do të ketë pagë mesatare nën 1 mijë euro, dhe s’do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.

E deri në fund të mandatit 2028, ai tha se paga minimale do të jetë 1000 euro.

 “AAK me partnerët e vetë në koalicion janë bërë bashkë të përballën me këtë qeveri që ka shkelur mbi çdo vlerë dhe që ka fyer e nënçmuar besa edhe shpifur për vlerat kombëtare, që ka tradhtuar besimin e qytetarit, të varfrit, dhe diasporën. Jemi bashkuar për t’ia kthyer Kosovës zhvillimin, për t’i rritë pagat, pensionet e shtesat dhe për t’i ulur taksat, të cilat rëndojnë mbi qytetarët e Kosovës. Që nga ditët e para të qeverisjes sonë nuk do të ketë pagë mesatare nën 1 mijë euro, dhe s’do të ketë asnjë pagë nën 500 euro. E deri në fund të mandatit 2028, paga minimale do të jetë 1000 euro”, tha ai.

Ahmeti: Retorikë boshe e pa përmbajtje substanciale është një manipulim

Image

Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti, thotë se për këso gjërash jemi mësuar të dëgjojmë nga njerëz që e kanë zhvatur shtetin por që ata nuk munden të vijnë në pushtet.

“Retorikë boshe e pa përmbajtje substanciale është një manipulim që jemi mësuar ta dëgjojmë nga ish pushtetarët. Nuk më duket interesante, por as e papritur, pasi njerëz të tillë si ta, të cilët e kanë zhvatur shtetin e qytetarët dhe brenda pak vitesh janë bërë milioner nuk munden, por as nuk duhet lejuar të jenë pjesë e pushtetit”, thotë ai.

Sipas tij, tashmë qytetarët janë mësuar e vetëdijesuar, duke parë llojet e qeverisjeve, këta që janë aktualisht edhe ata që kanë qenë në të kaluarën.

“Qytetarët janë vetëdijesuar dhe dinë të gjykojnë drejt e objektivisht, këta që qeverisin dhe ata që kanë qeverisur. Nëse mendojnë se qeveria e tanishme ka bërë politika të mira mund t'ia zgjasin mandatin, por nëse gjykojnë të kundërtën mund ta ndëshkojnë.

Tash votuesit kanë përballë dy koncepte të qeverisjes, atë para kësaj qeverisje dhe këtë të qeverisjes së tanishme. Prandaj, qytetarët e emancipuar do të vendosin mbi të ardhmen e tyre, por çdoherë duke gjykuar edhe në retrospektivë”, thekson ai.

Duhanaj: Tanimë nuk e kemi asnjë subjekt relevant, i cili në një mënyrë apo tjetrën, nuk ka qenë pjesë e ndonjë qeverie

Image

Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se jo vetëm koalicionin mes AAK-së e NISMA-s, por ai nuk sheh asnjë parti relevante, e cila në një mënyrë apo tjetrën, nuk ka qenë pjesë e ndonjë qeverie.

“Tashmë zgjedhjet e rregullta u shpallen edhe zyrtarisht. Për herë të parë kemi një subjekt i cili përpos që ka qeverisur me mandat të plotë, ka pasur edhe fuqi ekzekutive për të marrë vendime sipas agjendës programore.

Për të ju përgjigjur në pyetjen se çfarë mund të pritet nga një koalicion i përbërë nga parti të cilat veç se kanë qenë në qeveri, apo pjesë e ndonjë koalicioni qeverisës. Kjo pyetje tashmë e ka përgjigjën e vetë. Tanimë nuk e kemi asnjë subjekt relevant, i cili në një mënyrë apo tjetrën, nuk ka qenë pjesë e ndonjë qeverie.

Madje edhe qeveria e tanishme, (Kurti), edhe përkundër mandatit të plotë dhe me numra të mjaftueshëm doli të jetë qeveria më e dështuar në të gjitha periudhat.

Në këtë kontekst, konsideroj se tashmë qytetarët do të duhej ta kenë me të lehtë për t'i vlerësuar kandidatët.

Për mendimin tim, qytetarët e Kosovës e kanë një ofertë të mirë dhe të dëshmuar për mirë siç është Bedri Hamza, i cili është dëshmuar se ka zotësi menaxheriale por edhe dije, sidomos në rrafshin ekonomik, ku edhe i kemi problemet me të mëdha, që të zgjedhin si ofertë të sigurt, e mos të bien pre e mashtrimeve siç ranë me Kurtin dhe kastën e analfabetëve hajdut të tij”, përfundon ai për “Bota sot”.

Read Entire Article