Paralajmërimet për një sulm të radhës nga Serbia/ Zbulohen “planet djallëzore”: Qëllimi i botës serbe është të fillojë luftën në…!

2 months ago 11
Reklamë

Deklaratat që Serbia do ta përsëris një sulm të ngjashëm si ai i Banjskës, kohëve të fundit janë të shumta.

Mirëpo vëmendjen këto ditë kanë marrë deklaratat e njëpasnjëshme të kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Nuk ka shumë kohë që Konjufca paralajmëroi kujdes nga Serbia, pasi sipas tij e njëjta po përgatit skenarin e radhës për Kosovën.

E gjatë së martës Konjufca ri-përsëriti këtë deklaratë duke paralajmëruar përsëri Kosovën për rrezik të mundshëm nga Serbia.

Konjufca në konferencën pas takimit që pati me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, tha se Serbia e pandëshkuar për sulmin në Banjskë “ka për ta përsëritur” skenarin e njëjtë, por këtë radhë ai paralajmëron se do ta bëjë në përmasa më të mëdha.

“Një temë e pashmangshme në këto rrethana të paqëndrueshmërisë globale në të cilat ndodhemi ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet me të cilat po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimin tim presidentit Nussbaumer se po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar, por me përmasa shumë më të mëdha” ka thënë Konjufca.

 Duke marrë parasysh këto deklarata paralajmëruese të Konjufcës, a jemi në rrezik nga Serbia?

Mehazi: Qëllimi i botës serbe është të fillojë luftën në Kosovë

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, tha që deklaratat e Konjufcës janë mjaftë serioze.

Image

Sulejman Mehazi

Ai shpjegon që deklarata e Konjufcës duhet të merret seriozisht nga ndërkombëtarët dhe të merren masa.

“Deklaratat e ripërsëritura të Krye-parlamentarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk janë të kota, por mjaft serioze, kërcënimet serbe që sa kohë vijnë radhazi ndaj Kosovës që nga presidenti i Serbisë, Vuçiqi, nga qeveria serbe e deri te terroristët serbë në krye me Radojçiqin, Veselenoviqat. Armatosja e ushtrisë serbe dhe manovrimet ushtarake e policore afër kufirit me Kosovën janë argumente se Serbia përgatitet për një sulm më të gjerë sesa ajo e terroristëve në Banjskë. Paralajmërimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, drejtuar presidentit të Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, janë vërejtje e sugjerime për konfliktet e mundshme serbe në veri të Kosovës, se Serbia si e qysh duhet dënuar nga Zvicra, BE-e dhe SHBA-të për ngjarjet terroriste serbe në Basnjskë dhe ndaj sulmeve të mundshme serbe në Kosovë”, foli ai.

Profesori më tej zbulon qëllimet e serbëve, duke thënë që të njëjtit kërkojnë luftë në Kosovë.

Qëllimi i botës serbe është të fillojë luftën në Kosovë, të vazhdonte në Mal të Zi e të mbaronte në Bosnjë-Hercegovinē.

Nëse bota serbe fiton në Kosovë me 4% serbë, atëherë askush nuk mund ta ndalë Serbinë që mos të sulmonte dhe Malin e Zi me 40% të serbëve, po ashtu dhe Bosnjën me republikën serbe brenda territorit të Bosnjë-Hercegovinës”, thotë profesori.

Ndër të tjera, profesori thotë që nëse Banjska nuk doli e suksesshme për Vuçiqin, Serbia do të përpiqet të hap një front më të gjerë për destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

 “Pra, strategjia luftarake e Serbisë është që sulmet terroriste lokale nga, Lista serbe në Banjskë të rikthehet në terrorizëm shtetëror serb ndaj Kosovës, nëse Banjska nuk doli e suksesshme për Vuçiqin, qeveria luftënxitëse e Serbisë do përpiqet që të hap një front më të gjerë për të destabilizuar jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin”, foli Mehazi për “Bota sot”.

Elezaj: Regjimi kriminal i Serbisë në krye me çetnikun A. Vuçiq, vazhdon ta kërcënon Kosovën çdo ditë

Image

Rexhep Elezaj

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” ka folur analisti Rexhep Elezaj.

Ai thotë se Konjufca mund të ketë informata më të detajuara dhe të drejta.

Sipas tij, derisa regjimi hegjemonist i Serbisë nuk heq dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, siç e ka thënë me të drejtë z. Konjufca, nuk mund të ketë as dialog të suksesshëm.

“Deklarata e kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca, dje në konferencë me gazetarë pas takimit me presidentin e Këshillit kombëtar të Zvicrës, z. Eric Nussbaumer, “se Serbia mund ta përsëris skenarin e Banjskës, madje në përmasa më të mëdha”, është mjaftë shqetësuese, kur një konstatim i tillë vjen nga niveli i njeriut të dytë në hierarkinë e shtetit të Kosovës, i cili pa dyshim, se posedon me informata të dorës së parë nga policia dhe shërbimi inteligjent i Kosovës, dhe jo vetëm.

Mbase, është shumë e vërtetë, se derisa regjimi hegjemonist i Serbisë nuk heq dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, siç e ka thënë me të drejtë z. Konjufca, nuk mund të ketë as dialog të suksesshëm dhe as normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje”, u shpreh ai.

Analisti më tej përmend një kronologji të ngjarjeve që Serbia ka bërë kundrejt Kosovës, duke mos hequr dorë asnjëherë nga ideja e kthimit të ushtrisë të shtetit serb në Kosovë.

“Në fakt, regjimet e Serbisë pas kapitullimit të saj në Kumanovë në qershor 1999, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga skenari i “kthimit të Kosovës nën Serbi”, nga kthimi i ushtrisë dhe shtetit serb në Kosovë, duke mos i ndalur për asnjë çast provokimet dhe kërcënimet ushtarake ndaj Kosovës, siç e dimë, herë me destabilizim të situatës në veri përmes grupeve kriminale dhe paramilitare, herë përmes deklaratave provokuese, se “Kosova është zëmra e Serbisë, se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë”, herë duke i kidnapuar policët tanë në kufi të Kosovës, ndërsa me 24 shtator 2023 duke kryer sulm terrorist në Banjskë, ku vranë policin e Kosovës, Afrim Bunjakun, etj., që të gjitha këto me qëllimin barbarë, që pavarësinë dhe shtetin e Kosovës ta de-funksionalizojnë sa më shumë”, foli ai.

Të padrejtë e sheh analisti dialogun e Kosovës me Serbinë duke thënë që kjo e ka dëmtuar shtetin tonë më shumë.

“Siç e kam thënë edhe më herët në prononcimet e mia, dhe po e përsëris, se pranimi i dialogut politik me Serbinë gjenocidale, ka qenë gjëja më e dëmshme dhe më e palogjikshme për Kosovën, përjashto me këtë rast dialogun teknik, duke pranuar që statusi i pavarësisë së Kosovës të bëhet sërish temë e bisedave në tavolinë, gjë e cila nuk ka guxuar të ndodhë me asnjë çmim.

Se kush mbanë përgjegjësi politike për këtë lëshim politik të Kosovës, besoj se fjalën e tyre do ta thonë analistët politik dhe historianët tanë, sepse pranimi i dialogut politik me Serbinë, shtet-ndërtimin dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në OKB, e ka penguar dhe dëmtuar tej mase”, thotë analisti.

Në fund, Elezaj nënvizon që përkëdhelja e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë ka bërë që e njëjta të kërcënoj në vazhdimësi Kosovën.

Një skenar për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin sipas analistit nuk i konvenon as ndërkombëtarëve.

 “Prandaj, regjimi kriminal i Serbisë në krye me çetnikun A. Vuçiq, vazhdon ta shantazhon dhe kërcënon Kosovën çdo ditë, madje pa u penguar fare nga BE-ja, por as nga miqtë tanë amerikanë, dihet, për shkak të përkëdheljes së saj për ta shkëputur nga ndikimi rus. Kështu që, mundësinë e përsëritjes së sulmit terrorist në Banjskë, siç e ka thënë z. Konjufca, nuk duhet përjashtuar, duke pasur parasysh kontekstin e rrjedhës së luftës në Ukrainë, ku siç dihet, Rusia po bën çmos që ta ndezë luftën në Ballkanin perëndimorë, në Kosovë dhe Bosnje.

 Të shpresojmë se deri tek një konflikt të tillë në Ballkan nuk do të vije, pasur parasysh faktin, se në Kosovë qe 25 vite gjenden forcat e KFOR-it, ushtarë të NATO-s, por edhe faktin, se një skenar i tillë nuk i shkon për shtati as Evropës dhe as Amerikës”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

Read Entire Article