Paralajmërimi serioz i SHBA-së për Kosovën, vjen thirrja për qeverinë Kurti: Të ndryshohet kjo gjë!

1 month ago 16
Reklamë

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës u paraqiti diplomatëve perëndimorë një plan për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

Qeveria tha se “liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”.

E kjo gjë nxiti reagime të mëdha nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët kundështuan një gjë të tillë, përfshirë SHBA, BE dhe QUINT-in.

Madje, për këtë reagoi edhe Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ku tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara me vendimet e pa bashkërenduara të Qeverisë së Kosovës dhe i bëri thirrje asaj t’i rikthehet bashkëpunimit me aleatët kryesorë perëndimorë.

“Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pa bashkërenduara të udhëheqjes së Kosovës. Besojmë se ata kanë vënë në rrezik mundësitë, të cilat ne e kemi ndihmuar Kosovës t’i krijojë. Nëse shikoni zhvillimet që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara fuqishëm kanë mbështetur integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e shumetnike. Por, që të përmbushet ky synim, ne kemi bashkëpunuar vazhdimisht me udhëheqësit politikë të Kosovës në veprimet që kanë forcuar paqen e përparimin në vend dhe cojnë përpara Kosovën në rrugën euroatlantike. Ajo për të cilën e inkurajojmë qeverinë e Kosovës të bëjë është që t’i rikthehet bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtar të saj. E kemi bërë këtë të qartë këtë publikisht por edhe privatisht”, tha zëdhënësi Miller.

Kjo qasje e SHBA-së ka ngritur pikëpyetje mbi raportet e saj me Kosovën, pavarësisht se çdo vendim i qeverisë sonë është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Por, se çfarë mund të pritet pas këtyre paralajmërimeve të aleatit më të madh të shqiptarëve dhe se çfarë duhet të ndryshojë Qeveria e Kosovës, folën analistët politikë.

Elezaj: Si Kosovë duhet të jemi gjithherë falënderues për përkrahjen historike amerikan

Fillimisht, opinionisti Rexhep Elezaj i cilësoi se shqetësuese deklaratat e zëdhënësit amerikan, derisa tha se kjo duhet ta shqetësoj edhe qeverinë Kurti, pasi Kosova mund të përballet me pasoja të rënda.

Image

Rexhep Elezaj

Po ashtu, ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se sipas fjalorit diplomatik kjo nënkupton mundësinë që SHBA mund ta rishikojë ndihmën ndaj Kosovës.

“Deklarata e zëdhënësit të Departamentit amerikan të shtetit, z. Matthew Miller, se “SHBA-të janë të shqetësuara me vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës, dhe se Kosova po i vënë në rrezik mundësitë që Washingtoni i ka ndihmuar që t’i krijojë”, e që sipas fjalorit diplomatik kjo nënkupton mundësinë që SHBA-të mund ta rishikojnë ndihmën dhe përkrahjen e mëtutjeshme për Kosovën, po qese qeveria Kurti nuk e ndryshon qasjen e marrjes së vendimeve, siç është tani rasti i hapjes së urës mbi Ibër, pa u koordinuar me SHBA-në si dhe vendet e QUINT-it.

Pra, ky qëndrim amerikan duhet të jetë tepër shqetësues për qeverinë e Kosovës, për shkakun e vetëm, sepse nëse Kosova e humbë përkrahjen amerikane brenda dhe jashtë shtetit të Kosovës, kjo pa asnjë dyshim, do të ketë pasoja tepër të rënda për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj euro-atlantike”, nënvizoi opinionisti.

Gjithashtu, ai përmendi dy arsyje se pse çështjet që lidhen me veriun nuk janë vetëm çështje të brendshme, por edhe të jashtme dhe diplomatike.

Një nga ato, ishte se se çështja e sigurisë në veri që nga fillimi dialogut Kosovë-Serbi ka marrë karakter ndërkombëtar.

“Unë jam i bindur, se mos-koordinimi për gati çdo vendim tëi qeverisë Kurti me SHBA-në, sidomos kur është në pyetje veriu i Kosovës, dhe jo vetëm, duke u thirrur në sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës, se shtrirja e sovranitetit në veri, integrimi i pakicës serbe në institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe hapja e urës mbi Ibër, na qenkan çështje të brendshme të Kosovës, kjo për mendimin tim nuk qëndron për dy arsye;

E para, për shkak se çështja e sigurisë në veri që nga fillimi dialogut Kosovë-Serbi (2011) mori karakter ndërkombëtar, dhe

E dyta, sepse integrimi i pakicës serbe që jeton në atë pjesë të Kosovës në institucionet e Kosovës ende nuk ka ndodhur, qoftë sipas Kushtetutës së Kosovës, qoftë sipas marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në kuadër të dialogut, e që siç dihet, mos-formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për gati 12 vite ka qenë një alibi i fortë për Beogradin zyrtar, i cili në vazhdimësi e ka provokuar dhe kërcënuar Kosovën me sulme ushtarake, siç edhe ka ndodhur me sulmin terrorist në Banjskë me 24 shtator 2023”.

Tutje, opinionisti tha se koordinimi me SHBA-në është i domosdoshëm, duke potencuar se situata në veri asnjëherë nuk ka qenë stabile, kjo për shkak të politikave fashiste të Beogradit.

“Prandaj, duke pasur parasysh këto dhe shumë ngjarje tjera në veri, posaçërisht faktin se situata në veri asnjëherë nuk ka qenë stabile, kryekëput për shkak të politikës fashiste dhe hegjemoniste të regjimit të Serbisë ndaj Kosovës, mendoj se mu për këtë fakt koordinimi me SHBA-të nga ana e qeverisë së Kosovës, ka qenë i domosdoshëm. Kjo për faktin, ngase siç e ka thënë pardje edhe zëdhënësi i shtetit amerikan, z. M. Miller, miqtë tanë amerikanë mund t’i rishikojnë mundësitë të cilat Kosovën e kanë çliruar dhe bërë shtet të pavarur, e që ndryshe i bie tërheqje e SHBA-ve nga Kosova”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Elezaj kërkoi nga Kosova që ta ndryshoj qasjen ndaj Amerikës, duke mos harruar se pa ndihmën e saj vështirë se do arrihej pavarësia e Kosovës.

“Kështu që, duke marrë parasysh faktin e argumentuar, se në politikë dhe diplomaci nuk ka miqësi dhe interesa të përhershme, Qeveria e Kosovës duhet ta ndryshojë kursin e saj karshi rolit dhe peshës së përkrahjes amerikane ndaj Kosovës, duke mos e harruar asnjëherë faktin, se pa ndihmën dhe përkrahjen amerikane vështirë se do arrihej liria dhe pavarësia e Kosovës.

Andaj, përveç faktit se si popull dhe si Kosovë duhet të jemi gjithherë falënderues për përkrahjen historike amerikane, në të njëjtën, kohë duhet që, sidomos për çështje të sigurisë së pavarësisë së Kosovës, të koordinohemi gati gjithherë me zyrtarët e lartë amerikan, qoftë madje edhe për hapjen e një ure gati irelevante, kuptohet, gjithnjë në kontekst të ndryshimeve gjeostrategjike në Evropë dhe botë”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Mendoj së pikërisht vonesa e ka sjellë Kosovën në një gjendje të tillë

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti tha se politika amerikane nuk do të ndryshojë ndaj Kosovës, kjo pasi vendimet e qeverisë sonë janë të bazuara në kushtetutshmëri.

Image

Hidajet Ahmeti

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” përmendi edhe pakon e Ahtisarti.

“Politika amerikane karshi Kosovës do të mbetet e njëjta, pasi vendimet e institucioneve të Kosovës janë të bazuara në kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendit. Rrjedhimisht, Kushtetuta e Kosovës e cila është derivat i pakos së Ahtisarit, e cila ka buruar nga procesi negociator dhe i bazuar në parimet e akteve ndërkombëtare”, nënvizoi analisti.

Krahas kësaj, shtoi se vetëm vonesa e ka sjellë në këtë pikë Kosovën, pasi kohë më parë do duhej të merreshin veprime të tilla.

Ai potencoi se që kjo revoltë e serbëve do të pushoj shumë shpejtë dhe ata do të pajtohen me realitetin.

“Mendoj së pikërisht vonesa e ka sjellë Kosovën në një gjendje të tillë, duke krijuar status kohë për pjesën veriore, e të cilën e kanë shfrytëzu serbët, veçanërisht shteti serb duke i përdorur si instrumente. Gjykoj se ky vendim është i duhur, edhe pse i vonuar. Mund të ketë edhe një revoltë e komunitetit serb, të cilët keqpërdoren nga Serbia, por besoj shumë që kjo revoltë do të pushoj shumë shpejtë dhe serbët do të pajtohen me realitetin faktik e juridik të shtetit të Kosovës”, përmbylli Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Read Entire Article