Paralajmëroi hapjen e urës së Ibrit, diplomati holandez këshillon Kurtin dhe jep paralajmërimin e “fortë” për veriun

2 months ago 11
Reklamë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ai ka thënë që ky veprim nuk është kundër askujt, por i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të enjten.

Deklarata e tij erdhi disa ditë pas takimit me me ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë, dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.

Por, kundër hapjes së kësaj Ure, është shprehur emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak. Ai kishte thënë javë më parë se hapja e kësaj Ure, do të nxitë tensione të reja me Serbinë.

Emisari kishte kërkuar që hapja e të njëjtës, të diskutohet në dialogun në Bruksel.

“Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut, prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet të merret në dialog. Gjithçka është në dorën e dy palëve. Unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet”, kishte thënë Lajçak.

Se hapja e saj mund të nxitë tensione të reja, e thotë edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, ai ka paralajmëruar se Serbia, do të tentojë të krijojë probleme të reja në veri të Kosovë.

Image

Robert Bosch

“Sigurisht që do të krijonte më shumë tensione pasi regjimi i Beogradit sigurisht që përmes miqve të tij në veri nuk do të krijojë asnjë mundësi për të krijuar probleme të papërdorura”, ka pohuar Bosch.

Ai ka kujtuar se situata për këtë urë, është e ngrirë qe 15 vite.

“Ne e kemi përdorur tashmë këtë argument prej më shumë se 15 vitesh dhe kemi krijuar një situatë të ngrirë të pakënaqshme”, ka thënë diplomati.

Ai ka treguar “problemin e Qeverisë së Kosovës”, derisa për Serbinë ka thënë se ka përfituar përmes marrëveshjes së fundit për litiumin me BE-në.

“Problemi për qeverinë aktuale është se ajo nuk është shumë e popullarizuar me shumë vende të huaja dhe Serbia përmes marrëveshjes së tyre të litiumit ka fituar politikisht”, ka nënvizuar Robert Bosch.

Në fund, ai ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, që hapjen e Urës së Ibrit ta bëjë, në momentin kur QUINT-i ia jep miratimin.

“Edhe nëse do të doja ta shihja urën të hapej përfundimisht, mund të mos ishte momenti i duhur. Bëni atë vetëm kur QUINT jep dritë jeshile”, ka deklaruar Bosch për “Bota sot”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndanë qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Aktualisht aty mund të kalojnë vetëm këmbësorët, ndërsa ura ruhet nga KFOR-i Italian.

Çështja e urës mbi lumin e Ibrit u ri-aktualizua për shkak se në maj të vitit 2024 asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik./Botasot

Read Entire Article