Paralajmëroi “rrezikun e madh” për Vuçiqin dhe kushtin e Macronit lidhur me Radoiçiqin, eksperti i kundërpërgjigjet Trajkoviqit

1 month ago 7
Reklamë

Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq ka deklaruar dje se arrestimi i Milan Radoiçiq është një nga kushtet për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.

Trajkoviq ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të duhet ta arrestojë Radoiçiqin për muajin e ardhshëm, kur, siç është paralajmëruar, pritet ardhja e presidentit francez.

Ajo ka thënë se arrestimi është një nga kushtet për vizitën e Macron, “e cila nuk diskutohet publikisht”.

Trajkoviq kujtoi se në prill, gjatë vizitës së Vuçiqit në Francë, Macron kishte thënë se është e rëndësishme që pjesëmarrësit e sulmit në Banjska të arrestohen.

“Vuçiq është nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Milan Radoiçiq. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në Beograd, që do të thotë se nuk ka presion për ekstradimin e Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit të tij në Prishtinë. Vuçiq ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiqin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez Emmanuel Macron”, ka thënë Trajkoviq.

Por, në arrestimin e Radoiçiqit nga Vuçiqi, nuk beson eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Shala ka thënë se ndaj terroristit serb, do të ngritet aktakuzë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Image

Drizan Shala

“Arrestimi nuk do të ndodhë, por thirrja për ftesë nga prokuroria dhe ngritja e aktakuzës për armëmbajtje pa leje patjetër që po dhe me këtë do të arsyetohet që "pushtetet" janë të ndara”, ka theksuar eksperti.

Ai ka hedhur akuza të rënda ndaj Trajkoviqit, duke thënë se qëllimi i saj është shfajësimi për të kaluarën e saj.

“Për deklarimet e kësaj zonje që ka të kaluar të dyshimtë, nuk do të duhej të binim në provokimin e saj për të "shfajësuar" të kaluarën në emër të një deklarimi që ka bërë rreth grupit terrorist të Banjskës”, është shprehur më tej Shala.

Sipas tij, çështja e Radoiçiqit, është shumë më e thellë.

“Situata do të jetë ndryshe nga ajo që shohim, në njërën anë dëshira për rikthim të "pseudopolitikanëve serbë" në skenën politike, në anën tjetër çështja e Milanit është shumë më e thellë se sa që mund të pranojë dituria e kësaj politikaneje të dyshimtë serbe”, ka shtuar Drizan Shala për “Bota sot”.

Trajkoviq dje ka thënë se arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe do të jetë një rrezik i madh për Vuçiqin.

“Për Vuçiqin ishte shumë më e lehtë të hiqte dorë nga një pjesë e territorit të Serbisë, ose tani ta pranonte shfrytëzimin e litiumit, sesa të heqë dorë nga njerëzit që i zbatuan urdhrat e tij, dhe përveç kësaj, ata janë nga një mjedis kriminal. Arrestimi i Radoiçiqit do të jetë një rrezik i madh për Vuçiqin”, ka deklaruar ajo.

Read Entire Article