Pasi heshti disa ditë, Basha flet në PPE për burgosjen e Salianjit: E arrestuan edhe pse vëllai i ish-ministrit që ai denoncoi, rezultoi të ishte i dënuar

1 month ago 32

Heshtjes së Lulzim Bashës për 5 ditë me radhë, pas dënimit dhe burgosjes së Ervin Salianjit, me sa duket i ka ardhur fundi. Ish-kryetari i PD ka folur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në KiE, ndërsa detajet i ka bërë publike përmes një postimi në rrjetet sociale. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se ka diskutuar për disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit.

Ai ka marrë si shembull mos respektimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës dhe arrestimin e deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë. “Ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia”, thekson Basha, ndërsa kërkon që këto zhvillime “të kenë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit në Shqipëri”.

Postimi i plotë i Bashës:

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane, në Këshillin e Europës. Seanca me Sekretaren e Komisionit të Venecias në këtë takim më dha mundësinë të shtroja për diskutim disa çështje të rëndësishme mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri, si bazament i demokracisë dhe zhvillimit të vendit.

Nevoja për të çuar përpara vettingun në politikë, të bllokuar nga mazhoranca por i mbështetur në parim nga Komisioni i Venecias; kriza kushtetuese e nxitur nga mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka, si dhe arrestimi i deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia, janë çështje që meritojnë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit dhe demokracia funksionale në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article