Pengjet përshkruajnë kushtet në robërinë e Hamasit

10 months ago 18
09:56 05/12/2023

Të gjitha gratë dhe fëmijët që janë kthyer kanë humbur 10-15 përqind të peshës së tyre trupore

Familjet e pengjeve të liruar dhe stafi mjekësor që i trajton kanë zbuluar disa nga kushtet në të cilat ata mbaheshin gjatë kohës që ishin në robëri të Hamasit në Gaza, duke përfshirë mungesën e ushqimit dhe ujit. Gjatë një armëpushimi një javor, Hamasi liroi 105 pengjet e tij në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë. Shumica e pengjeve të liruar ishin gra dhe fëmijë, por 136 pengje ende mbahen nga Hamasi.

Duke folur në një event të organizuar nga selia e Forumit të Familjeve të Pengjeve dhe Personave të Zhdukur, Moran Aloni tha se motra e tij, Sharon Aloni-Cunio, besonte se një nga binjakët e saj kishte vdekur, por lirimi i tyre sipas tij i gëzoi të gjithë.

“Ishim më shumë se dhjetë njerëz në një dhomë shumë të vogël. Kur kishin nevojë për diçka, ata duhej të trokisnin në derë dhe ndoshta dikush do të vinte tek ata pas një ore, ndoshta katër orësh, por në të vërtetë nuk vinte askush. Askush nuk na jepte ushqim as ujë”.

Daniel dhe Sharon, dy motrat e Moranit, ishin me familjet e tyre në shtëpinë e Sharonit në Kibbutz Nir Oz më 7 tetor, kur militantët e Hamasit bombarduan komunitetin, duke djegur shtëpi, duke vrarë civilë dhe duke rrëmbyer të tjerë. Një mesazh zanor që Moran mori atë ditë nga motra e tij Sharon, përshkruante sesi personat e armatosur ndodheshin në shtëpinë e tyre ku familja ishte fshehur. Kjo ishte e fundit që kishte dëgjuar prej tyre.

Hen Avigdori, babai i 12-vjeçarit Noam dhe bashkëshorti i Sharon Avigdorit, tha se vajza e tij tani refuzon të ndahet prej tij, pasi trauma që ka përjetuar është tepër e madhe.

“Noam, vajza ime 12-vjeçare, nuk më lejon të dal nga shtëpia, të largohem sepse mendon se do të përjetojë sërish të njëjtën situatë. Ajo është zgjuar ndonjëherë gjatë natës duke bërtitur. Por në përgjithësi ata janë në gjendje të mirë”.

Të gjitha gratë dhe fëmijët që janë kthyer kanë humbur 10-15 për qind të peshës së tyre trupore, sipas mjekëve në Qendrën Mjekësore të Fëmijëve Schneider. Shumë nga pengjet e liruar kishin gjithashtu higjienë personale shumë të keqe për shkak të mungesës së ujit për t’u larë.

“Kishte një kufizim të ujit të pijshëm dhe kufizim natyrisht të ujit për të bërë dush. Askush nga ata për 54 ditë nuk është larë. Dhe ju mund ta imagjinoni, higjienën mjekësore të tyre”.

Izraeli nisi sulmin e tij për të zhdukur Hamasin si hakmarrje pas një sulmi ndërkufitar në 7 tetor. Ata vranë 1500 njerëz dhe kapën 240 pengje. Mbi 15,899 palestinezë, 70% e tyre gra ose nën 18 vjeç, janë vrarë tani në bombardimet izraelite dhe mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe dyshohet se janë varrosur në rrënoja.

Klan News


Read Entire Article