“Për Mitrovicë nuk pyetet as Brukseli e as Beogradi”/ Skenari për hapjen e Urës së Ibrit

2 months ago 15

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi pak ditë më parë se Qeveria synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Mirëpo, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, thotë se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

KFOR-i tha se NATO-ja e mbështet këtë dialog dhe se ai është aty për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës - në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“Kjo përfshin praninë e vazhdueshme në urën në Mitrovicë dhe patrullime të rregullta në zonën përreth”, tha KFOR-i.

Qeveria e Kosovës beson se hapja e urës do të siguronte liri të lëvizjes për të gjithë, Serbia e sheh këtë çështje si “provokim”.

Më 17 korrik, kryeministri i Kosovës e ngriti çështjen e hapjes së saj në një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, pas të cilit tha se “askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë dhe korrekte”.

Ambasada britanike në Kosovë tha se qëndrim i vendit të saj është që ura në Mitrovicë të hapet në përputhje me marrëveshjet përkatëse, të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të hapur për diskutime me Qeverinë e Kosovës, se si mund të arrihet kjo”, thuhet në përgjigje.

Në lidhje me këtë çështje, është deklaruar edhe analisti politik dhe profesori Sulejman Mehazi.

Ai thotë se, Ura e Ibrit dhe Mitrovica tërësisht është nën administratën e Kosovës.

Sipas tij, ka kaluar koha e ndarjes së murit të Berlinit, prandaj shton se, është e palogjikshme që Ura e Ibrit të ndajë qytetin e Mitrovicës në dyshë.

“Mitrovica është brenda Kosovës si në veri, jug, lindje dhe perëndimi, për këtë qytet nuk pyetet as Brukseli as Beogradi, por qeveria e Kosovës. Dialogu Kosovë-Serbi ka të bëjë me njohje reciproke të dy shteteve e jo me probleme politike lokale sikurse që ështe Ura e Ibrit, për shkak se mbyllja e Urës së Ibrit ka të bëjë me qytetarët e këtij qytet, prefektura e Mitrovicës dhe qeveria”, thotë Mehazi.

Profesori pohon se, problemi i Urës së Ibrit nuk është problem ndërkombëtar që të merret Brukseli dhe BE-ja, pra, është problem i vetë qytetarëve të Mitrovicës.

“Vetëm një marrëveshje e prefekturave shqiptare-serbe të Mitrovicës do zgjidhte hapjen e Urës së Ibrit, nëse nuk bëhet ky pajtim i qytetarëve serbë të Mitrovicës së veriut atëherë pa hamendje juridike duhet të reagojnë institucionet e Kosovës për ta zgjidhur këtë urë të zezë apartaide që pengon zhvillimin e kushtetutës së Kosovës”, përfundon profesori Sulejman Mehazi.

Read Entire Article