Përparim i rëndësishëm në bisedimet për lirimin e pengjeve

11 months ago 20
20:38 19/11/2023

Shtëpia e Bardhë tha se është arritur mirëkuptim mes palëve, por jo i plotë

Marrëveshja për lirimin e pengjeve dhe shkëmbimin e tyre me të burgosur palestinezë është shumë pranë finishit. Bisedimet që zhvillohen në Katar përparuan me shpejtësi pasditen e së dielës.

Zëvendës këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jon Finer, i tha televizionit ABC News se negociatat për lirimin e pengjeve janë në një “fazë shumë të pëparuar”.

“Ka pasur përparim të rëndësishëm, përfshirë ditët e fundit, orët e fundit. Disa nga çështjet, qofshin mosmarrëveshje, tani ose janë ngushtuar ose – ose është arritur një mirëkuptim, por nuk është i plotë”.

Më herët ishte Kryeministri i Katarit, Mohammed Bin Abdulrahmanal-Thani, që tha se besimi i tij po rritej për një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Katari, një nga vendet më të vogla të Lindjes së Mesme po luan një rol të madh në zgjidhjen e konfliktit në Gaza.

“Pikat e fërkimit në këtë fazë janë më praktike, logjistike. Diçka që në të vërtetë nuk përfaqëson thelbin e marrëveshjes. Tani kam më shumë besim se jemi mjaft afër për të arritur një marrëveshje që mund t’i kthejë njerëzit të sigurt në vendin e tyre, qofshin pengje nga ana e Hamasit apo çfarëdo shkëmbimi që do të ndodhë, do të bëhet nga pala izraelite”.

Luftëtarët e Hamasit u ndeshën me forcat izraelite që përpiqeshin të futeshin në kampin më të madh të refugjatëve të Gazës të dielën ku të paktën 11 palestinezë u vranë nga një sulm ajror izraelit.

Ushtria izraelite gjithashtu publikoi video të për të cilat thanë se tregonin bastisje në zonën Rimal të qytetit të Gazës, ku gjeti armë dhe pajisje të tjera në zonë.

Në terren në Gaza gjendja humanitare mbetet e vështirë. Foshnjat e lindura prematurë u evakuuan nga spitali Al-Shifa në qytetin e Gazës dhe mbërritën në spitalin në Rafah në jug të territorit, afër kufirit me Egjiptin.

Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se ka evakuuar me sukses 31 foshnja. Ato u zhvendosën në bashkërendim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

OBSH lëshoi një deklaratë më herët duke thënë se 291 pacientë janë ende në spital.

Shumica e 31 foshnjave të evakuuara kanë “humbur prindërit e tyre nga bombardimet” izraelite. Prindërit e mbijetuar u urdhëruan të largohen nga qyteti i Gazës përpara evakuimit të foshnjave.

Së pari bombat izraelite ranë mbi ta, më pas shtëpitë e tyre u kthyen në rrënoja dhe tani palestinezët e zhvendosur nga lufta Izrael-Hamas dhe që jetojnë në tenda në Khan Younis po përballen me shiun e dendur, përmbytje dhe erërat e forta të dimrit të dielën. Popullata e traumatizuar është shpërngulur vazhdimisht që nga fillimi i luftës.

Në kërkim prej disa ditësh dhe në presion të madh ndërkombëtar për të shpëtuar reputacionin e legjitimitetin e operacionit ushtarak, ushtria postoi pamjet e një dhome komandimi dhe kontrolli në kompleksin spitalor al-Shifa.

“Ne gjetëm një dhomë komandimi dhe kontrolli në katin e dytë nëntokësor (të spitalit), është vetëm çështje kohe për të faktuar lidhjen midis rrjetit të tunelit dhe spitalit”, thuhet në një deklaratë.

Klan News


Read Entire Article