“Përplasja” Stano - Osmani/ Kundërpërgjigje dhe pyetje: Cili është interesi i BE-së për ta vazhduar këtë ndarje raciste?

1 month ago 8
Reklamë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka vlerësuar si raciste deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Europian Peter Stano, i cili disa herë ka thënë se statusi i Urës së Ibrit duhet të zgjidhet në tavolinën e dialogut Kosovë- Serbi.

Osmani tha se as nuk do t’i jep vëmendje një zëdhënësi si Stano “që duket që është i Sllovakisë e që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet”.

“Deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste. Kështu që mendoj se as nuk meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste gjatë gjithë kohës”- tha Osmani në një konferencë për media.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Peter Stanos në lidhje me këtë çështje.

Ai nuk ka komentuar direkt deklaratën e Presidentes Osmani, por i ka rikujtuar asaj se është në interesin e Kosovës që të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe do të mbetet vetëm dhe të lihet pas.

“Ne vërtet nuk kemi asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës dhe as për të gjitha komentet e rastësishme që ju po iu referoheni. Mund të kujtoj vetëm për të gjithë ata që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, MB…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës të dëgjojë të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe njeriu rrezikon të mbetet vetëm dhe të lihet pas”, ka deklaruar Stano për Express.

Sipas Stanos, diskutimi i çështjes së urës në kuadër të dialogut, është diskutim rreth zbatimit të marrëveshjes së arritur, e jo marrëveshje e re. Ka rikujtuar se ky është qëndrim unanim i të gjithë miqve dhe aleatëve.

Batusha: Më vjen keq ku ka përfunduar deklarimi i zyrtarëve të BE-së

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Agon Batusha.

Ai thotë se Ura është brenda territorit të Kosovës dhe se kjo deklaratë e Stanos nuk është e përgjegjshme për tu bërë.

“Ura është brenda territorit të Republikës. Nuk është urë kufitare me ndonjë shtet. Urat bashkojnë, nuk ndajnë. Më vjen keq ku ka përfunduar deklarimi i zyrtarëve të BE-së, pra në kundërshtim me vlerat që janë themeltare të vetë BE-së dhe në kundërshtim me vetë dialogun që e ndërmjetësojnë”, thotë ai.

Image

Agon Batusha

Më tej, deputeti ia kujton disa gjëra nga e kaluara Stanos, duke filluar nga lëshimet që i bëhen Serbisë e deri tek njohja e pasaportave ilegale të qytetarëve serb të Kosovës.

“Le t’ia kujtojmë Stanos dhe të tjerëve se sa herë kanë qortuar Serbinë për qasjen e saj destruktive, për mos pranimin e planit franko-gjerman, për letrën që nuk pranon marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Le t’ia kujtojmë Stanos veprimin e njëanshëm të BE-së për njohjen e pasaportave ilegale të qytetarëve serb të Kosovës.

Ne i marrim për bazë këshillat e aleatëve, diskutojmë me ta dhe u shprehim hapur qëndrimet tona. Ne nuk duam konfrontim as kundërshtime kokëforta, por duhet të bazohemi në të drejtën, në vlerat dhe në parime”, foli Batusha për “Bota sot”.

Tahiraj: E vetmja shpresë e popullit të Kosovës ka mbetur SHBA dhe Anglia

Ndërsa veprimtari nga Diaspora Saim Tahiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet kritikues për ndërkombëtarët duke e parë këtë deklaratë të Stanos provokuese ndaj presidentes Osmani.

“Deklaratat e ndërmjetësuesve të bisedimeve Kosovë-Serbi, Lajçak dhe Borrell, si dhe zēdhënsit të BE-së Stanov, janë bërë monotone dhe të padurueshme. Kjo deklaratë e tij detyrimisht ka provokuar reagimin e drejt të Presidentes Osmani. Çdo ndarje midis popujve me tendenca nënshtrimi të njërit nga populli përkatës, është raciste. Urat janë për të bashkuar popujt e jo për të ndarë, atëherë pse edhe 25 vite pas lufte ura në Mitrovicë  është urë që ndanë një qytet padrejtësisht. Cili është interesi i BE-së për ta vazhduar këtë ndarje raciste?  Evropa mburret për ligje demokratike dhe kufi formal në mes shteteve, atëhere pse mbron me kaq fanatizëm ndarjen e një qyteti Evropian? Disa veprime të çuditshme të BE-së duke dënuar viktimën-Kosovën dhe shpërblyer Xhelatin-Serbin, kanë humbur kredibilitetin dhe besimin te populli i Kosovës”, shpjegoi veprimtari.

Image

Saim Tahiraj

Në fund, ai thotë që SHBA dhe Anglia kanë mbetur e vetmja shpresë për Kosovën dhe se Serbia dhe shtetet sllave ende kanë ndikim të fuqishëm në politikbërjen e BE-së.

“E vetmja shpresë e popullit të Kosovës ka mbetur SHBA dhe Anglia, andaj Presidentja Osmani duhet  bashkëpunuar dhe bashkërenduar çdo veprim me SHBA-të dhe Anglinë, si e vetmja shpresë e popullit tonë. Rusia, Serbia dhe shtetet sllave ende kanë ndikim të fuqishëm në politikbërjen e BE-së, andaj ndodhin këto veprime sanksionuese të BE-së kundër Kosovës”, përfundoi Tahiraj për “Bota sot”.

Read Entire Article