Persona të armatosur hynë në burgjet e Sierra Leones, liruan të burgosurit – u filmua arratisja e njërit prej tyre

10 months ago 22

Orë policore është vendosur në të gjithë Sierra Leonen, pasi persona të armatosur sulmuan burgjet dje në mëngjes dhe liruan një numër të burgosurish.

Presidenti Julius Maada tha më vonë se shumica e atyre që qëndronin pas sulmit janë arrestuar, shkruan BBC.

Në një fjalim televiziv, Maada tha se ishte një shkelje e sigurisë dhe një sulm ndaj demokracisë. Ai shtoi se autoritetet kishin rivendosur qetësinë, por nuk dha detaje se cilët ishin autorët dhe cilat ishin kërkesat e tyre.

Gjatë fjalimit të tij, ai shmangu me kujdes që ta quante incidentin një tentativë për grushtshtet, transmeton Telegrafi.

Situata politike në Sierra Leone ka qenë e tensionuar që nga qershori, kur presidenti Julius Maada u rizgjodh në raundin e dytë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë dënuan mospërputhjet dhe mungesën e transparencës në numërimin e votave, si dhe aktet e dhunës dhe frikësimit.

Pas sulmeve në burgje, autoritetet shpallën orën policore. Banorët e të gjithë vendit u këshilluan të qëndrojnë në shtëpi dhe fluturimet nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit u anuluan.

Nuk dihet ende se sa të burgosur liruan sulmuesit. Në mediat sociale janë shfaqur video që tregojnë njerëz që po arratisen nga zona e burgut Central Pademba Road në Freetown.

Një video e arratisjes së reperit të njohur Bossa LAJ, i cili u burgos vitin e kaluar nën akuzat për grabitje, është shfaqur gjithashtu. BBC nuk ishte në gjendje të konfirmonte autenticitetin e pamjeve. /Telegrafi/

Read Entire Article