Përveç Serbisë, analisti tregon se kush nga ndërkombëtarët është kundër hapjes së Urës së Ibrit

2 months ago 13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.

Kurti i ka bërë këto deklarata një ditë pas takimit me ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Kosovë, dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Sipas Kurtit, hapja e urës i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.

“I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.

Ai ka përmendur që para shumë vjetësh, zyrtarë të Bashkimit Evropian i janë referuar hapjes së urës në tërësi për qarkullim si “simbol i normalizimit”.

“Kundër askujt, por për të gjithë”, ka thënë mes tjerash Kurti, kur e ka përmendur nevojën e hapjes së urës.

Pas kalimit të më tepër se një viti, nga kërkesa zyrtare e asamblistëve komunal të Mitrovicës veriore, për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër,  Qeveria e Kosovës, pak ditë më parë ka diskutuar këtë çështje edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ani pse de fakto, këto nuk janë punë të ambasadorëve dhe përfaqësive të huaja në vendin tonë, por veprime të detyrueshme kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilat Qeveria e vendit e ka për obligim ligjor e kushtetues që t’i zbatojë.

Kështu është shprehur analisti politik Gani Qarri teksa komenton deklaratat e fundit ku po flitet për hapjen e Urës së Ibrit.

Ai thotë se, tashmë kanë kaluar mbi 25 vite, nga mbyllja e dhunshme arbitrare e kësaj ure, nga grupet kriminale dhe terroriste serbe, si të ashtuquajturat "rojat e urës" e më vonë edhe organizata tjetër terroriste serbe, e ashtuquajtura "birigadë e veriut" të cilat Qeveria Kurti ka kohë që i ka ndaluar me ligj dhe dëbuar edhe kriminelët serb në Serbi.

Sipas tij, tanimë janë pjekur të gjitha kushtet dhe është koha e fundit për hapjen e Urës së Ibrit, e cila në vend të ndarjes së pretenduar nga Serbia hegjemoniste, duhet të kthehet në simbol të bashkimit dhe të kryej funksionin e saj normal, për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e qytetit historik të minatorëve, për çka kjo urë edhe është ndërtuar.

“Në anën tjetër, duhet cekur se kundër hapjes së kësaj ure, nuk është vetëm Serbia hegjemoniste e cila vazhdon të shpreh pretendime të hapura territoriale dhe mbanë publikisht qëndrim të vazhdueshëm armiqësor ndaj Kosovës, por sipas deklaratave të shprehura publike, mjerisht edhe SHBA dhe vendet e QUINT-it, të cilat përveçse kanë kundërshtuar pa asnjë arsye edhe vendosjen në zyrat e tyre të punës, të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në komunat veriore, si dhe ndalimin nga BQK të dinarit të kundërligjshëm serb në Kosovë, tani deklarohen direkt edhe kundër hapjes së urës, veçanërisht diplomatët amerikanë, duke bërë aq shumë zhurmë, se edhe hapja e një ure në qendër të Kosovës, u dashka diskutuar me Serbinë në Bruksel, duke lënë pa mend qytetarët më pro-amerikan të Kosovës”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai potencon se, kjo fatkeqësisht dëshmon se edhe hapja e urës, mbi lumin Ibër, pa dritën e gjelbër të SHBA-ve dhe vendeve të QUINT-it, do të jetë mjaft problematike edhe për faktin tjetër morbid, se mbi urë, në anën veriore të saj, qëndrojnë ushtarët e KFOR-it, italian, largimin e të cilëve dhe lirimin e urës për qarkullim të lirë të automjeteve, nuk mund ta urdhërojë Kosova, por duhet ta bëjë NATO e cila edhe nëse nuk urdhëron tërheqjen e ushtarëve italian nga ura, Kosova nuk ka interes as mundësi të konfrontohet me Aleancën më të madhe veriperëndimore.

“Përndryshe pas vendimit për mospranimin e Kosovës në KiE, me gjithë plotësimin e kushtit për kalimin e 40 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, si dhe heqjen e vizave, për serbët me pasaporta të kundërligjshme të strukturave ilegale paralele të Serbisë, nga BE kur dihet se me vendimin e  paprecedent, për njohjen e dokumenteve të kundërligjshme të strukturave ilegale, paralele serbe, BE përveç mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës,  politizon skajshëm edhe çështjen e minoritetit serb, forcon pretendimet territoriale të Serbisë, cenon në mënyrën më të rëndë ligjin e kushtetutën, paraqet vendin tonë edhe si shtet ilegal, konteston publikisht tërësinë territoriale të vendit tonë dhe vë ndërkombëtarisht, në pikëpyetje edhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, hapja e urës, do duhej bërë pa pyetur më askënd, veçanërisht përfaqësuesit pro-serb të BE-së!!!”, shton ai.

Tutje ai shprehet se, vendimi i BE-së për njohjen e dokumenteve të strukturave paralele serbe, dëmton pariparueshëm përpjekjet afatgjata të institucioneve tona, për integrimin e minoritarëve serb, dhe shkatërron jo pa qëllim edhe lidhjen e krijuar me aq mund e përpjekje, mes minoritarëve serb dhe shtetit të Kosovës, ndaj Kosova, sikur të kishte fuqi, nuk do duhej ta pyeste fare më, askënd dhe ta hapte menjëherë Urën kryesore mbi lumin Ibër, që pas më tepër se 25 vitesh të mbylljes së saj arbitrare, përfundimisht të mundësohet e drejta kushtetuese për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e qytetit.

Përndryshe, siaps tij, mbajtja mbyllur edhe më tej, e urës mbi ibër, mund të konsiderohet edhe si kontestim territorial dhe shkelje e të drejtave të njeriut, si dhe cenim i kushtetutshmërisë së shtetit të pavarur të Kosovës.

“Reagimet e ndërkombëtarëve e kundërshtimet e hapura të vendeve të QUINT-it dhe diplomatëve të SHBA-së, veçanërisht në këto momente të rëndësishme, kur në SHBA, vazhdon fushata intensive elektorale dhe së shpejti, pritet të mbahen edhe zgjedhjet e reja presidenciale, duket se kanë për qëllim, ta detyrojnë medoemos Kosovën, që edhe çështjen e hapjes së Urës kryesore mbi lumin Ibër, ta diskutoj me Serbinë në Bruksel, gjë që është ndërhyrje flagrante në punët e brendshme dhe detyrim i formës më të rëndë, i cili nuk mund të quhet assesi si zgjidhje e mirë, kur dihet mirëfilli, se bëhet fjalë, për një çështje kryekëput të brendshme të shtetit të Kosovës”.

“Kështu që për fatin e keq të Kosovës, pas mospajtimeve të diplomatëve amerikan dhe atyre të shteteve të QUINT-it edhe për raste të thjeshta ligjore, në kompetencë të Qeverisë së votuar nga qytetarët e Kosovës, si kundërshtimi i mbylljes së objekteve të “zajednicës”, në Dragash, ku vepronin strukturat ilegale të katër komunave paralele serbe etj, tendencave të hapura, për imponimin e dinarit serb dhe përpjekjeve për mbajtjen gjallë, me çdo kusht, të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, deri te moslejimi i hapjes së Urës mbi lumin Ibër edhe 25 vite pas çlirimit, shteti ynë i brishtë, për shkak të pafuqisë për veprime të njëanshme, ndoshta do të detyrohet, që pa dëshirën e tij dhe në formë të imponuar, të pres kohë "më të mira" e mbijetojë edhe më tej, me qytete të ndara, ura të mbyllura, strukturat ilegale serbe dhe institucione të kundërligjshme të Serbisë në vend, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe të pa kompromis, të Qevrisë për eliminimin definitiv të tyre”, përfundon analisti Gani Qarri.

Read Entire Article