Plagosja e efektivit të policisë, ministri Balla e takon në spitalin e Vlorës: Dënim ekzemplar për autorin

1 year ago 25
Reklamë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar sot në spitalin e Vlorës efektivin e policisë, i cili u plagos mbrëmjen e djeshme.

Balla deklaron i vendosur se kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie po kryen një krim të rëndë kundër shtetit duke kërkuar dënim ekzemplar për autorin.

“Mbrëmë, pak para mesnatës jam informuar nga Drejtori i Përgjithshëm dhe nga drejtori vendor i policisë për këtë ngjarje të rëndë, ku në fakt oficeri ynë ka qenë jashtë shërbimi, por i ndodhur pranë një ngjarjeje dhe një konflikti ka ndërhyrë me qëllimin për të qetësuar palët dhe për të shuar konfliktin ku ka mbetur edhe i plagosur. Falenderoj të gjithë stafin e spitalit rajonal të Vlorës që bënë të mundur që gjendja shëndetësore e efektivit të policisë të stabilizohet. Sot është momenti për të thënë shumë qartë dhe duhet të jetë e prerë se kushdo që do të tentojë të ngrejë dorën kundër një punonjësi policie, të mos i bindet urdhrit të një punonjësi policie, reagimi ynë do të jetë shumë i fortë. Jo vetëm atë që parashikon Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë, por është momenti që edhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, t’i kërkoj publikisht që ky rast të hetohet plotësisht. Dhe ndaj personit që guxoi të godasë punonjësin e policisë, të kemi një dënim ekzemplar. Që kushdo tjetër pas këtij rasti, të tentojë më të godasë një punonjës policie, duhet të ketë parasysh që ka goditur shtetin. Dhe shteti do të reagojë me të gjithë forcën e vet ndaj kujtdo që tenton të godasë punonjësin e policisë. Policia është për të ruajtur rendin dhe qetësinë, për të garantuar sigurinë publike”, shprehet Balla.

Balla gjithashtu është shprehur se falë angazhimit edhe të Drejtorisë së Policisë Vlorë janë parandaluar një sërë ngjarjesh të rënda kriminale. Balla thekson se angazhimi i forcave të policisë dhe bashkëpunimi me të gjitha organet e tjera ligjzbatuese, do vazhdojë të jetë intensiv për të garantuar sigurinë publike maksimale për të gjithë.

Falë angazhimit të DVP Vlorë, kemi parandaluar në ditët e kaluara një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, të cilat, nëse policia nuk do të kishte reaguar në kohë, – dhe këtu gjej rastin të vlerësoj edhe bashkëpunimin e mirë që kemi me prokurorinë Vlorë – të dëmtojmë dhe shkatërrojmë rrjete të caktuara kriminale, që kanë vepruar prej vitesh në Vlorë dhe që kanë shkaktuar ngjarje kriminale; dhe kjo goditje do të vazhdojë deri sa të çrrënjosim, deri sa të kemi mundësi, çdo lloj veprimtarie kriminale në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë. Dhe dua ta ripërsëris atë që e kam thënë në takime të herëpashershme, ju e keni parë që kam qenë pothuajse çdo javë në Vlorë, sepse jam nisur nga e shkuara. Në të shkuarën kemi pasur plot ngjarje kriminale në Vlorë, të cilat fatkeqësisht kanë ndodhur dhe përgjatë sezonit turistik. Porosia ime, prej ditës së parë në këtë detyrë ka qenë që, duke qenë se, qoftë gushti, apo fund dhjetori, janë momente kur bashkë me gjithë vëllezërit dhe motrat tonë që kthehen nga emigracioni për të kaluar pushimet me familjet e tyre, kthehen edhe elementët kriminalë, të cilët tentojnë që hesapet e tyre kriminale, t’i kryejnë veprat kriminale gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, gatishmëria e forcave të policisë duhet të jetë dhjetëfish më e lartë. Kështu që angazhimi i forcave të policisë dhe bashkëpunimi me të gjitha organet e tjera ligjzbatuese, duhet të vazhdojë të jetë intensiv për të garantuar pikërisht sigurinë publike maksimale për të gjithë, për qytetarët, banorët e Vlorës, por edhe për miqtë e shumtë, për turistët që kanë zgjedhur Vlorën dhe gjithë rivierën shqiptare për të pushuar”, u shpreh Balla.

Top Channel

Read Entire Article