“Plakat e Jetës” të Kadaresë dhe magjistaret e Tiranës dhe Korçës

1 week ago 35
Reklamë

Nga Alba Malltezi/

Paolo Sorrentino do ta kishte zili një skenë të tillë për të mrekullueshmin “La Grande Bellezza”: Një Festë në qendër të Tiranës, në një lokal luksoz, të ftuar “ajka” e biznesit dhe administratës. Në sfond Ilir Meta që bërtet ndërsa mbështet Sali Berishën në katin e tetë. Muzikë fantastike dhe ushqim si në lokalet më të mira të Europës, me një ndryshim: Në qendër të lokalit në vend të një DJ, një fallxhore me nam, që me letrat e saj pret në radhë të lexojë të ardhmen e të gjithë pjesëmarrësve në festë. Radha para saj nuk pushon, deri në pushim të festës. Të gjithë duan të dinë, të gjithë duan të njohin se kush po i sulmon e kush i mbron, sa para’ do të bëjnë, ndërkohë që para’ lenë në tavolinën e letrave të fatit. Askush nuk pyet për dashurinë, për shëndetin!

Është një kohë që në Shqipërinë e 2024, në oborret e pushtetit dhe ish-pushtetit fallxhore dhe “astrologe” marrin kohë dhe vëmendje. Dikush thotë se ka qenë përherë kështu, dikush thotë se ky fenomen është shtuar marrëzisht dy-tre vitet e fundit, por të gjithë bien dakord se një pushtet të tillë të fallxhoreve e të atyre që bëjnë horoskopin, nuk e kishin parë prej kohësh.

E njëjta gjë kishte ndodhur dhe në Gjirokastrën e “Kronikë në gur” të Kadaresë, kur papritur të gjithë flisnin për magji, bënin magji dhe kërkonin se ku ishin fshehur magjitë. Por në qytetin e gurtë dhe ngjyrë gri jetonin dhe “plakat e jetës”; “…këto ishin plaka shumë të vjetra, që nuk çuditeshin nga asgjë. Ato prej kohësh nuk dilnin nga shtëpitë, sepse bota u dukej e mërzitshme, ngaqë për to, të gjitha ngjarjet, duke përfshirë këtu dhe ngjarjet e mëdha, siç ishin përmbysjet dhe luftërat nuk ishin gjë tjetër veçse një përsëritje…”

“Për magjitë, plakat e jetës thanë ca fjalë shumë të kursyera dhe përmendën ca shembuj të vjetër, prej të cilëve mund të nxirrej pak a shumë përfundimi se të tilla shpërthime magjish ndodhin zakonisht në prag të ngjarjeve të mëdha, atëherë kur shpirtrat e njerëzve janë të shqetësuar si gjethet përpara furtunës…”

Atëherë, përse janë të shqetësuar sot shpirtrat e shqiptarëve dhe cilat janë ngjarjet e mëdha që shumë presin të zbulohen nga letrat pa shpirt dhe yjet e largëta të fallxhoreve?

Dikush thotë se fallxhoret e Korçës janë bërë me nam, por të tjerë tregojnë se edhe në Tiranë, Durrës, Kavajë, ka të tilla që nuk mbeten mbrapa. Por të gjithë harrojnë se veprimet e tyre nuk kanë forcë kur “magjitë”, “gatuhen” te… “Rruga e Elbasanit” dhe te SPAK, gjithësesi luftojnë dhe shpresojnë. Këto magjistarë, askush nuk i kishte menduar e parashikuar. As plakat e jetës.

Read Entire Article