Plani për “Vatikanin e Tiranës”/ Eksperti i sondazheve publikon shifrat: Zonat ku jetojnë dhe sa është numri i bektashinjve në Shqipëri

1 month ago 28

Deklarata e kryeministrit Edi Rama fillimisht për prestigjiozen amerikane New York Times dhe më pas, një ditë më parë gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se ka një plan për krijimin e shtetit sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë, gjeti opinionin publik të papërgatitur dhe debatet pro e kundër tanimë kanë nisur.

Mikroshteti sovran mysliman synon të përfaqësojë interesat e komuniteti të besimit bektashi, të cilët nga ana e tyre përmes Kryegjyshit Botëror e kanë cilësuar këtë hap si tregues të harmonisë dhe tolerancës fetare. I ngjashëm me Vatikanin e Romës, Shteti Bektashi në Tiranë do të jetë shteti më i vogël në botë.

Por sa është numri i besimtarëve bektashinjë në Shqipëri?

Sipas CENS-it 2023, vendi ynë ka rreth 116 mijë shtetas të vetëdeklaruar si të besimit bektashi.

Por eksperti i sondazheve dhe analisti Eduard Zaloshnja në një shkrim të publikuar këtë të hënë duke iu referuar të dhënave të barometrit të sigurisë të CSDG, përmes një studimi statistikor për periudhën 6-15 prill 2024, rezulton se nga një shifër e përafërt, besiumtarët bektashinj në Shqipëri mund të jenë rreth 206 mijë banorë të shpërndarë nga veriu në jug. Rajoni Jugor ka numrin më të madh të besimtarëve dhe më pak në atë verior.

Shkrimi i plotë i Zaloshnjes

Nga Censi-23 rezultoi se në Shqipëri banojnë rreth 116 mijë shtetas të vetëdeklaruar si bektashij, por numri i madh i besimtarëve të pacilësuar (raportuar rreth 332 mijë), i atyre që preferuan të mos përgjigjen (raportuar rreth 244 mijë), dhe i atyre që nuk ishin të disponueshëm (raportuar rreth 134 mijë) – në total rreth 710 mijë – e bën të paplotë tablonë e besimeve fetare që na jep Censi-23 për Shqipërinë.

Në Barometrin e Sigurisë të CSDG-së (që u bazua në vrojtimin rigoroz statistikor që drejtova unë në gjithë territorin e Shqipërisë në periudhën 6-15 prill), kishte edhe një pyetje rreth besimit fetar, konkretisht “Në cilën fe besoni, nëse besoni?”. Dhe kësaj pyetje vetëm 0.2% e të anketuarve preferuan të mos i përgjigjen.

Kështu që ky barometër na jep një tablo të plotë statistikore për besimet fetare të popullsisë së rritur të vendit.

Nga vrojtimi mësipërm statistikor rezultoi (me ekstrapolim të përafërt statistikor) se rreth 206 mijë banorë të rritur vetëdeklarohen si bektashinj. Nga këta, më shumë se gjysma (rreth 105 mijë) banojnë në Rajonin Jugor, rreth 75 mijë banojnë në Rajonin Qendror, dhe rreth 26 mijë në Rajonin Verior (shihni tabelën e mëposhtme).

EKSTRAPOLIM I PËRAFËRT STATISTIKOR

Shifrat E BektashinjveShifrat E Bektashinjve

Shënim: Kufijtë e rajoneve në këtë tabelë janë si vijon: Rajoni Verior nga Fushë-Kruja deri lart në Vermosh, Rajoni Qendror nga Fushë-Kruja deri poshtë në Lumin Shkumbin, dhe rajoni Jugor nga Lumi Shkumbin deri poshtë në Konispol

Po sa të devotshëm si besimtarë janë bektashijtë në Shqipëri?

Në rang republike, vetëm 10.6% e bektashijve të rritur shkojnë të paktën një herë në dyjavor në teqe etj. Por kjo përqindje është më e lartë në Rajonin Jugor (14.2%).

Vetëm 18.9% e bektashijve të rritur shkojnë të paktën një herë në muaj në teqe (në rang republike). Por kjo përqindje është më e lartë në Rajonin Jugor (20.4%).

Dhe kjo diferencë gjeografike shpjegohet me faktin se më shumë se gjysma e bektashijve janë të përqendruar në Rajonin Jugor.

Shënim: Niveli devotshmërisë së bektashijve është fare pak më lart se mesatarja e të gjitha feve në Shqipëri. 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article