Plani serb për atentat ndaj Kurtit, alarmojnë ekspertët e sigurisë – kërkojnë informacione nga shërbimet inteligjente të SHBA-së

8 months ago 18

Sot, vendi u trondit nga raportimet për planifikim të një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Kurti u kërcënua me vrasje, për këtë arsye u vendosen edhe masa të rrepta sigure gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, thanë për televizionin publik se me të marrë informacionin, institucionet e sigurisë së Kosovës i kanë njoftuar institucionet relevante në Shkup.

Menjëherë janë bërë grupe të përbashkëta pune, të cilat kanë qenë të dislokuara në gjithë Shkupin, dhe veçmas në perimetrin e lokacionit ku ka qëndruar Kurti”, thekson burimi.

Madje, u bë e ditur edhe arsyeja se pse u zgjodh Shkupi si vend për realizimin e atentatit.

“Plani serb është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku me pas, do të mund të interpretohej si qërim hesapesh në mes të shqiptareve”, bënë të ditur burimi.

E për këtë, u deklarua edhe kryeministri Albin Kurti, ku tha se këto kërcënime vijnë nga Beogradi zyrtar.

Kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup”, u shpreh ai.

Softa: Rreziku i një atentati ndaj Kurtit po rritet

Image

Fatojn Softa

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatojn Softa.

Së pari, ai tha se rreziku për vrasjen e Kurtit po vazhdon të rritet, madje tha se qeveria duhet të kërkojë informacione nga nga shërbimet e inteligjencës së SHBA, në lidhje me planet serbe për atentat.

Rreziku i një atentati ndaj Kurtit po rritet. Qeveria e Kosovës dhe shërbimi i saj i inteligjencës duhet të kërkojnë informacione nga shërbimet e inteligjencës së SHBA për rrezikun apo një plan të mundshëm nga forca të dyshuara serbo-maqedonase me mbështeje dhe suport nga Rusia.

Koha që vlerësimi i rriskut dhe shkalla e rrezikut për ta eliminuar kryeministrin Kurti, kërkon masa sigurie të larta.

Kujtojmë eleminimin e ish-kryeministrit serb Gjingjiq, ai u vra më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së qeverisë në qendër të Beogradit.

Qeveria e Gjingjiqit ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte dhe ka arrestuar dhe ekstraduar në këtë gjykatë disa të akuzuar”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, Softa potencoi grupet radikale serbe janë të forta dhe kanë mbështetje politike, ku pushteti i tyre shtrihet edhe jashtë Serbisë.

Grupet kriminale dhe radikale serbe që vijnë nga pushteti Miloshevicit, sot janë të forta, kanë mbështetje politike, kanë ekonomike të fuqishme dhe mendohet që pushteti i tyre shtrihet edhe jashtë territorit të Serbisë.

Kujtojmë që, vizita e kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Çair të Shkupit solli një valë reagimesh shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Këto reagime u shfrytëzuan nga propaganda shtetërore serbe për të akuzuar Kurtin se po promovon “Shqipërinë e Madhe” e se madje në rrethana të tjera Kurti do të sulmonte Serbinë, dhe Malin e Zi”, theksoi ai

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë tha se Kurti duhet t’i kufizoj lëvizjet e tij për shkaqe sigurie.

“Mendoj që duhet të kufizohen lëvizjet e Kurtit për element sigurie dhe jo lëvizje të pakontrolluara dhe të panjoftuara, si rasti i vizitës në Tiranë për të ndjekur ndeshjen e Kombëtares së Futbollit në Tiranë apo lëvizje në rajon.

Çdo ngjarje do krijonte destabilitet në rajon dhe me gjerë. Duhet të detyrohet me vendim të parlamentit kufizimi i lëvizjes së tij dhe ndërkohë të rriten masat e sigurisë së tij dhe Presidentes së Kosovës”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.

Halimi: Është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të reflektoj ndaj Serbisë

Për raportimet mbi planin e një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti, në një prononcim për gazetën ‘Bota sot’ foli edhe Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Image

Armend Halimi

Fillimisht, ai tha se nëse raportimet mbi këtë janë të vërteta, atëherë do thotë se Serbia po reflekton dobësinë e saj në dy aspekte.

Nëse ky raportim rezulton i vërtetë, atëherë Serbia me këtë akt do të reflektonte dobësinë në dy aspekte:

-Përballjen me institucionet e Kosovës, përkatësisht disfatën në propagandë, njëherit kapitulimin edhe diplomatik pas atij ushtarak në vitin 99;

-Zgjedhjen e luftës si mjet para atij të krijimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore”.

Gjithashtu, Halimi potencoi se është koha që ndërkombëtarët të reagojnë ashpër.

Ai tha se populli i Kosovës është unik më tepër se kurrë për t’i rezituar padrejtësisë.

Prandaj, ripërsërisë, nëse ky raportim del të jetë real, është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të reflektoj ndaj Serbisë, përkatësisht një krimineli të vogël të krimeve të mëdha të së kaluarës dhe potencialit të tanishëm, siç është Vuçiq, pra në disiplinimin e tij.

Ndryshe, nëse Kosova sfidohet në vazhdimësi nga agresioni serb dhe diskriminimi ndërkombëtar, bashkësia ndërkombetare duhet ta di, se populli i Kosovës është unik më tepër se kurrë për t’i rezituar padrejtësisë, por nëse prap paraqitet nevoja për rezistencë, konfilikti do të shpërndahet me një shpejtësi marramendëse, për pasojë dëmet do të jenë të mëdha, e herëdokur që ndalet, Ballkani do të merr kthese të madhe me kapitulimin përfundimtar dhe të dhimbshëm të Serbisë”, shpjegoi ai.

Në fund, Halimi kërkoi që të rritet siguria ndaj liderëve të shtetit, në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik.

Kurse, kërcënimet e çfarëdo qofshin, më së paku ato që vijnë nga Serbia nuk bën assesi të zmbrasin Kosovën në qëndrimet e saj të drejta, ngase si asnjëherë më parë, sot Kosova gëzon unitet, për çka i gjithë populli di t’i dal zot vendit kur është në pyetje ekzistenca si komb e shtet.

Megjithatë, në aspekt të politikave të sigurisë, sigurisht që vigjilenca duhet rritur në ofrimin e sigurisë liderëve, varësisht nivelit të pasigurisë që regjistrohet, duke qenë proaktive të gjitha institucionet e sigurisë për identifikimin dhe parandalimin me kohë të çdo burim rreziku”, përmbylli Armend Halimi për “Bota sot”.

Read Entire Article