Po bëhet kërdia në Ukrainë/ Zbulohet pse Zelensky refuzoi negociatat me Putinin, ja dekreti që nuk e dinim

2 months ago 8
Reklamë

Dy vjet e gjysmë janë bërë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “operacion special”. Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.

Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike dhe Ndërtimin e Paqes, Rosemary DiCarlo në shkurt të këtij viti ka thënë se 10.382 persona janë vrarë dhe 19.659 janë plagosur që nga dita e parë e luftës Ukrainë-Rusi.

Më tej DiCarlo ndau informacionin se sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, në Ukrainë kanë humbur jetën 10.382 persona, përfshirë 579 fëmijë dhe se 19.659 persona, përfshirë 1.285 fëmijë u plagosën në mënyra të ndryshme.

Gazetarja ukrainase Marina Loseva, ka folur për “Bota sot”, rreth gjendjes në Ukrainë, duke treguar se qytete të tëra janë bërë rrënoja.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon edhe më e vështirë. Fatkeqësisht, bombat dhe raketat ruse kanë për qëllim spitalet e fëmijëve dhe shtëpitë e lindjes - e gjithë bota mbajti zi për viktimat e Okhmatdyt një ditë tjetër - ky është një spital ku trajtohen fëmijët me kancer. Një valë e re refugjatësh drejt Evropës ka nisur për shkak të krizës energjetike dhe sulmeve të reja të fuqishme raketore ruse. Qytete të tëra në rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson, Kharkiv dhe Zaporizhia tashmë janë bërë rrënoja. Në veri të vendit, kufiri i rajoneve Sumy dhe Chernihiv granatohet çdo ditë”, ka treguar Loseva.

Image

Marina Loseva

Sipas saj, ushtria ruse po shkatërron strukturën energjetike të Ukrainës dhe vende të sigurta në Ukrainë nuk ka.

“Përveç kësaj, ushtria ruse po shkatërron strukturën energjetike të Ukrainës dhe energjia elektrike furnizohet sipas planeve me ekonomi të madhe. Sot fola në telefon me shoqen time nga Ukraina Lyudmila, ajo është gjithashtu gazetare dhe jeton në Kiev. Ajo thotë se - dritat ndizen për disa orë në ditë (4-6 orë) në mënyrë që njerëzit të kenë kohë të përgatisin ushqim, të karikojnë bankat e tyre të energjisë dhe pajisjet e tyre - të tilla si telefonat ose laptopët. Për të mbajtur ushqimin në frigorifer më gjatë pa energji elektrike, ukrainasit e ngrijnë ujin në shishe plastike dhe i vendosin disa prej tyre në rafte - është si një mini-frigorifer. Nuk ka më vende të sigurta në Ukrainë. Harta e alarmit ajror për çdo ditë është "e kuqe", dhe e kuqja tregon rrezikun nga ajri”, shprehet gazetarja.

Gjersa, bombardimet nuk ndalen Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, para disa javëve është zotuar se do të urdhërojë “menjëherë” armëpushim në Ukrainë dhe fillim të bisedimeve, nëse Kievi fillon t’i tërheqë trupat nga katër rajonet e aneksuara nga Moska më 2022 dhe të heqë dorë nga kërkesa për t’iu bashkuar NATO-s.

Kushtet e parashtruara nga Putin, të cilat janë paraqitur nga zyrtarët rusë disa herë në të kaluarën, u refuzuan edhe një herë nga Ukraina.

Për refuzimi e Zelenskyt, ka folur edhe gazetarja ukrainase e cila shprehet se ai ka nënshkruar një dekret që Ukraina nuk do të hyjë në asnjë negociatë me Rusinë, derisa Putin është president i saj.

“Volodymyr Zelensky nënshkroi një dekret që Ukraina nuk do të hyjë në asnjë negociatë me Rusinë derisa Putin është presidenti i saj. Kjo u bë një përgjigje e qartë ndaj tentativës për aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës - Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson. Dua të citoj këshilltarin e shefit të zyrës së Presidentit Mykhailo Podoliak, i cili tha se negociatat janë një fjalë e mirë, por Rusia nuk ofron kurrë negociata, ofron ultimatume të llojeve të ndryshme dhe ofron miratimin e këtyre kërkesave ultimatum, por atje është një pozicion që Ukraina e ka rregulluar. Ju lutem, nëse doni një proces negociatash, është mirë, por fillimisht duhet të tërhiqni të gjitha trupat tuaja në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të vitit 1991, të pushoni zjarrin dhe më pas do të fillojmë procesin e negociatave. Gjithçka është thënë qartë, tani është e dokumentuar, në mënyrë që askush të mos ketë tundime, - shpjegoi qëndrimin e Ukrainës, këshilltari i kreut të Zyrës së Presidentit, z. Podolyak, në momentin e nënshkrimit të këtij Dekreti. Në vend të kësaj, një sinjal vjen nga Rusia drejtpërdrejt në fjalimin e drejtpërdrejtë të Vladimir Putin në televizionin rus, se Ukraina duhet të lëshojë dy rajone - Luhansk dhe Donetsk, dhe Krimea propozohet të jetë nën administrimin e dyfishtë të Rusisë dhe Ukrainës. Propozimi i Putinit i referohet gjithashtu statusit të mosangazhimit të Ukrainës”, deklaron Loseva.

Tutje, ajo tregon se lufta vazhdon kundër një ushtrie të fortë që urren ashpër gjithçka ukrainase dhe dëshiron të shkatërroj plotësisht gjithçka ukrainase.

“Presidenti i Ukrainës nuk lodhet duke përsëritur në të gjitha platformat politike botërore se nuk po zhvillohet një luftë e shkurtër, por një luftë e gjerë. Lufta vazhdon kundër një ushtrie të fortë që urren ashpër gjithçka ukrainase dhe dëshiron të shkatërrojë plotësisht gjithçka ukrainase. Është veçanërisht e vështirë për ata që e mbajnë mbrojtjen në vijën e parë. Ukrainasit nuk kanë alternativë tjetër veçse të mbrojnë tokën e tyre. Po, duhet të ketë disa hapa diplomatikë, por para se të ulemi në tryezë për negociatat e paqes, duhet të ketë arritje në fushën e betejës falë moralit të ushtarëve mbrojtës ukrainas dhe ndihmës materiale të partnerëve tanë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, thotë: “Është e rëndësishme që kjo ndihmë materiale nga partnerët të jetë në kohë. Kjo është shumë e rëndësishme: ndihma nuk duhet të jetë fjalë, por praktikë, jo retorikë, por një teknikë konkrete, jo një herë atje, por tani, dhe më mirë, siç thonë, dje””, shton gazetarja.

Read Entire Article