Kosovës po i kërkohet gjithnjë e më me forcë që ta krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Zëdhënësi i BE-së, Stano, e përsëriti edhe një herë këtë kërkesë para dy ditësh, duke lënë të kuptojë se BE do të sillet me ashpërsi ndaj Kosovës, derisa qeveria ta dërgojë në gjykatën kushtetuese të vendit.
E lidhur me këtë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi thotë se Kosovës në vazhdimësi për formimin e Asociacionit.
"Duket sikur BE i ka rregulluar edhe detajet me anëtarët e kësaj gjykate dhe janë aq të sigurt, sa kjo gjykatë nuk do të tentojë ta rrëzojë projektin në fjalë. Në fakt projektin nuk e ka hartuar qeveria e Kosovës. Thonë se është projekti i Bashkimit Evropian, por nuk ka as autorësi, as firmë e as vulë. Kësisoj duket qartë se ai projekt duhet të jetë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ose më e pakta e miqve të tij në Bruksel, e pse jo edhe në Tiranë. Kjo do të thotë se përfaqësuesit e Komisionit Evropian, përkatësisht Borrell e Lajçak, i kanë dhënë kryeministrit të Kosovës projektin e hartuar në Beograd dhe e urdhërojnë atë që ta dërgojë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese, se “ndryshe”... Kosova do të ndëshkohet. Presion me mos heqjen e masave ndëshkuese financiare! Presion me mospranimin në Këshillin e Evropës! Presion me moslëvrimin e fondeve të planifikuara në kuadër të integrimit evropian! Ndërkohë asnjë përparim në rrugën e këtij integrimi, madje as statusin e vendit kandidat nuk ia japin Kosovës", shprehet Bytyçi për "Bota sot".
Enver Bytyçi
Ai thotë se Kosova ka humbur besimin te Bashkimi Evropian, gjë që ka ndikuar edhe në mos pranimin e formimit të Asociacionit, ashtu siç po kërkon bashkësia ndërkombëtare.
"E gjithë kjo tablo është shumë pesimiste. Edhe optimisti më i madh, edhe ai që ka besim maksimal te Bashkimi Evropian e ka shumë të vështirë të plotësojë kërkesën për Asociacionin në kushtet që përmenda ma lart. Ndërkohë terroristët e Banjskës sillen lirshëm nëpër Serbi. Ata Serbia i financon sërishmi të stërviten për akte të tjera terroriste në territorin e Kosovës. Beogradi ka pranuar Marrëveshjen e shkurtit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023, por më pas i ka refuzuar ato. Kohët e fundit kanë shkuar në drejtimin e kundërt dhe parlamenti i Serbisë miraton ligje detyruese për t’u zbatuar në Kosovë, ndonëse ajo edhe me rezolutën 1244 të 10 qershorit 1999 nuk administrohet nga Serbia. Ligji për çështjet sociale dhe ai për dënimin e qytetarëve të Kosovës sipas ligjeve serbe, nëse “përndiqen serbët”, janë shkelje e rëndë jo vetëm e marrëveshjeve të dialogut, por edhe e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së", shpjegon Bytyçi.
Në këto kushte, Bytyçi thekson se Kosova ka të drejtën e zotit, dhe jo vetëm të drejtën që ia jep ligji ndërkombëtar që të vendosë kushte të forta për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
"Së pari, duhet të kërkojë heqjen nga preambula dhe kushtetuta serbe e përcaktimit të Kosovës si pjesë integrale e sovranitetit të shtetit serb. Pas kësaj Beogradi nuk do të ketë mundësi juridike e kushtetuese të miratojë ligje që të veprojnë në territorin e Kosovës. Këto ligje janë si ato ligje që Milosheviçi i miratoi për sundimin në Kosovë e kolonizimin e saj pas heqjes së autonomisë në marsin e vitit 1989. Për Serbinë Kosova është në atë situatë juridike", nënvizon Bytyçi.
"Së dyti, duhet që asociacioni të kushtëzohet me njohjen de jure të shtetit të pavarur nga ana e Beogradit dhe me pranimin e Kosovës në OKB, Këshillin e Evropës, në NATO si dhe me hapjen e negociatave për pranim në BE! Të gjitha këto parandalojnë cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nëse BE kundërshton, Kosova ka të drejtën që të mos hezitojë për të marrë vetë në dorë fatet e saj. Ajo ka aq resurse njerëzore dhe materiale që të ecë përpara edhe kundrejt pengesave të Brukselit, të cilat nuk do të mund të jenë të gjithmonshme. Së treti, Kosova duhet të kushtëzojë vetë dialogun me ndaljen e provokimeve të Serbisë ndaj integritetit dhe sovranitetit të saj juridik, politik e tokësor! Ky dialog duhet kushtëzuar me dorëzimin e të gjithë terroristëve që morën pjesë në aktin e Banjskës. Ndryshe nuk ka kuptim të bisedohet për çështje të tjera. Po ashtu dialogu nuk mund të vazhdojë në kushtet e vendosjes së ligjeve koloniale serbe mbi territorin dhe popullsinë e Kosovës. Duhen abroguar këto ligje menjëherë", deklaron profesor Bytyçi.
Për fund, Bytyçi thotë se evropianët duhet të heqin dorë nga trajtimi i Kosovës si një provincë serbe.
"Besoj se ka ardhur koha që përfaqësuesve të BE-së t’u komunikohen vendimet e qeverisë së Kosovës, duke vendosur afate për ta rikthyer të drejtën e saj sovrane. Evropianët duhet të heqin dorë nga trajtimi i Kosovës si një provincë serbe. Ndryshe nuk mund të bisedohet. Largimi i zotit Borrell dhe zotit Lajçak është një shenjë pozitive se dialogu do të hyjë në linjën e së drejtës. Por gjithsesi, duhet pranuar se edhe ish-kryeministrja e Estonisë si e ngarkuar për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme të BE-së, mund të vihet nën presion për shkak se jo pak politikanë në Bruksel luajnë kartat e politikës serbe në Ballkanin Perëndimor".
"Edhe nëse do të vijë një kohë, kur të mund të krijohen kushtet e favorshme për krijimin e asociacionit, statutin dhe projektin e tij duhet ta hartojë një komision me përfaqësues nga qeveria e institucionet e Kosovës, si dhe përfaqësues të komunave me shumicë serbe. Nuk është normale që dikush në Bruksel ose në Beograd të shkruajë disa nene statutore dhe t’i thonë Kosovës “Na merri dhe veni në zbatim”! Kjo është paqe e detyrueshme, jo e pranueshme, edhe nëse gjendet dikush në Kosovë që ta zbatojë urdhrin evropian. Dhe paqja e detyrueshme është gjithmonë paqe e brishtë, e përkohshme me potencial destabilizimi me efekt shumë më të madh sesa sot!", përfundon për "Bota sot" profesor, doktor Enver Bytyçi.