“Po teston kufijtë e ...”, eksperti gjerman paralajmëron Kosovën për lëvizjen e Vuçiqit

4 weeks ago 6
Reklamë

Analistja e zhvillimeve në Ballkan, Ivana Stradner, paralajmëroi së fundmi se qeveria e Serbisë po përgatitet për një përshkallëzim të ri në Ballkan.

Ajo ka thënë se kërcënimi për një përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës “është i madh dhe i vërtetë”.

“Në të vërtetë, është qeveria e Serbia ajo që po përgatitet për një eskalim të ri në Ballkan dhe këtë vit inteligjenca e SHBA-së paralajmëroi për eskalime të reja në rajon”, ka deklaruar Stradner.

Këtë gjë e pohon edhe Kurt Bassuener nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin.

Për gazetën “Bota sot”, eksperti gjerman ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, mund të nxisë gjithmonë përshkallëzim në Kosovë.

“Sigurisht, Kosova është gjithmonë një front, në të cilin Vuçiq mund të nxisë edhe përshkallëzimin…”, ka thënë analisti.

Sipas tij, Vuçiq është duke i testuar kufijtë e Perëndimit.

“Unë mendoj se Vuçiq po teston kufijtë e sa shumë poshtërim dhe përulje mund të thithë Perëndimi, siç dëshmohet nga cirku në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kundër rezolutës së Srebrenicës, marrëveshjes së indulgjencave për litium që KE dhe Gjermania bënë me Serbinë, mashtrimi i tij i pandëshkuar zgjedhor dhe përshkallëzimi i vazhdueshëm me Republikën Serbe dhe shtytja në Mal të Zi”, është shprehur Kurt Bassuener.

Se Serbia dëshiron të marrë pjesën veriore të Kosovës dhe ta ndajë Bosnjë e Hercegovinën, për të krijuar “Serbinë e Madhe”, e ka konfirmuar edhe gjenerali i pensionuar amerikan Wesley Clark.

Në një intervistë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, në CNN, Clark ka thënë se Serbia është dora e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur të vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini që ai të bëjë”, ka thënë ai.

“Kemi parë shumë dhunë, vrasje në 30 vjetët e fundit dhe kemi menduar se NATO-ja e ka ndaluar, por nëse ka probleme në Ukrainë ai problem do të vijë në Ballkan dhe liderë, si kryeministri Kurti, duhet të përballen me të”, ka thënë ndër tjerash Clark.

Edhe më herët, zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë kanë akuzuar Serbinë se po e ndihmon Rusinë të hapë një front të ri kundër Perëndimit.

Serbia, që mban raporte të mira me Rusinë, deri më tani ka refuzuar që t’i vendosë sanksione Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

comment

Read Entire Article