Policia informacion se një grup planifikonte eliminimin e Gledis Nanos, ish-kryepolici nuk vihet në dijeni për situatën, asnjë masë shtesë sigurie për të dhe familjen

9 months ago 9

News24 dhe BalkanWeb mëson se Policia e Shtetit ka administruar së fundmi një informacion se një grup kishte planifikuar të ekzekutonte ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nanon.

Po ashtu News24 dhe BalkanWeb ka konfirmuar edhe faktin se policia nuk e ka vënë në dijeni për situatën ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë së shtetit, Gledis Nanon.

Policia e Shtetit vijon hetimet lidhur me këtë informacion, të cilat po zhvillohen në mënyrë sekrete dhe ende nuk asnjë informacion zyrtar. Burime bëjnë me dije se dyshohet se plani për eliminimin e Gledis Nanos po organizohej nga një grup që Nano e ka hetuar kur ka qenë në detyrë në polici më parë si drejtues i Antiterrorit.

Po ashtu gazetari Igli Çelmeta bën me dije për News24 dhe BalkanWeb se Gledis Nano jo vetëm që nuk është vënë në dijeni nga Policia, por ndaj Nanos dhe familjes së tij nuk janë shtuar as masat mbrojtëse nga policia e shtetit.

Kujtojmë që Nano u shkarkua si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 31 gusht 2022 vetëm pas 10 muajsh në detyrë, me argumentin e qeverisë se nuk kishte realizuar objektivat dhe deri sot ende ndodhet jashtë policisë së shtetit.

Gledis Nano vjen nga një karrierë 19-vjeçare në Polici, ku para se të emërohej kryepolic, drejtoi për 5 vite Antiterrorin, ku u vlerësua edhe nga Ambasada amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.

Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia. Pak ditë më parë Nano ishte në një vizitë në SHBA.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article