Policia plan për protestën e PD, 700 efektivë në terren vetëm në Tiranë, në gatishmëri edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë

2 hours ago 19

Policia ka hartuar masat për protestën e Partisë Demokratike që pritet të zhvillohet nesër në orën 17:00. Forca më e madhe opozitare ka depozituar pranë drejtorive të policisë shkresën për zhvillimin e tubimit, duke i informuar për kohën dhe akset rrugore që do të bllokohen.

Sipas PD, protesta do të zgjasë 3 orë nga ora 17:00 deri në 20:00. Ndryshe nga tubimi i fundit, opozita do e shtrijë mosbindjen civile në disa segmente rrugore duke bllokuar qarkullimin.

Në Tiranë protestuesit do të paralizojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës. Jo pa qëllim është zgjedhur ky aks rrugor, pasi ai është pika kryesore e hyrjes së kryeqytetit që e lidh atë me jugun dhe veriun.

Jo vetëm kaq, por ky është aksi rrugor kryesor që lidh metropolin edhe me aeroportin Nënë Tereza, çka do të detyrojë qytetarët që pritet të udhëtojnë ditën e martë pasdite të dalin e të jenë në Rinas disa orë përpara fluturimit. Afro 700 forca policie pritet të angazhohen në Tiranë për mbarëvajtjen e protestës, ndërkohë që në gatishmëri do të jenë edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, nëse do të ketë përshkallëzim të dhunës nga ana e mbështetësve të Sali Berishës.

Bllokim do të ketë dhe në akse të tjera, dhe konkretisht në rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan.

Në njoftimin e PD nuk është specifikuar nëse ka një skenar që do të ndiqet,  thjesht do të bllokohen këto akse, apo do të zhvendosen në pika të tjera.

Policia në planin e saj të masave pritet që të orientojë qytetarët që të zgjedhin rrugët alternative për të shmangur bllokimin e mjeteve. Gjithashtu policia rrugore do të jetë e plotë në gatishmëri pasi në akset alternative do të ketë radhë të gjata trafiku. /vizionplus.tv

Read Entire Article