Si po e reflekton Berisha, vuajtjen për damkosjen e familjes së tij

1 hour ago 29

Nga Mero Baze/

Një nga pengjet e mëdha të Sali Berishës nuk është fundi i tij tragjik akuzuar për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazh ndaj sistemit të drejtësisë, por fakti që në këtë listë janë të certifikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe gruaja e tij, vajza e tij, djali i tij, tani dhe dhëndëri i tij. Tani për tani njeriu më i papërfillur në familje mbetet nusja e djalit.
Dhe kjo reflektohet në betejat e tij kundër Edi Ramës.

Nuk i shijon shumë të akuzojë vetëm Edi Ramën si të korruptuar, do patjetër dhe vëllain e tij, vajzën e gruas tij dhe natyrisht vetë gruan.

Fiksimi që ai të ketë një simetri në akuza me kryeministrin në detyrë, e ka bërë atë të targetojë njerëz të familjes Rama për t’i quajtur dhe ata të korruptuar.

Më i godituri natyrisht mbeti Olsi Rama vëllai i tij. Prej 7 vitesh ai përbaltet mbi një fabule të prodhuar nga opozita e tipit, “pse nuk është hetuar kush ka qenë në një makinë me x targë , në x ditë, në vitin 2016” dhe që në fakt dihet kush ka qenë në atë makinë. Ka qenë një nga ish-njerëzit e rrethit privat të Sali Berishës dikur, dhe mik i ngushtë i djalit të tij. Madje me makinën e tij të blinduar, vetë Berisha ka lëvizur deri më 2005.
Por meqë nuk është se po gjejnë ndonjë gjë tjetër dhe nuk u ka dalë përpara, i përfshirë në ndonjë aferë të tipit Gërdec, apo zaptime tokash siç dilte djali i tij, vazhdon të njëjtën këngë.

Po kështu, meqë Berishë si është kapur me prova vajza si mbledhëse e “fee success”-eve të kontratave, ku kjo ishte avokate dhe babi firmë e fundit në shtet, kërkon të gjejë dikë tek fëmijët e Ramës. Meqë djemtë e Ramës nuk merren me biznes, ka gjetur vajzën e gruas së Edi Ramës të sulmojë pse është arktikete dhe siç ndodh me një arkitekt, projektet për leje i miraton qeveria, kur objekti i projektimit është një projekt i madh. Nuk është se ka gjetur ndonjë fakt, por e ka si refren nga ballkoni.

Së fundmi i është sulur dhe gruas së Edi Ramës, pse ajo është eksperte e nivelit të lartë e PNUD dhe Bankës Botërore. Pozicion që ajo e ka prej vitit 1995, kur president ishte Berisha. Si bashkëautore e Raportit vjetor të PNUD-it në vite, ajo në fakt ka bërë kritika shumë më serioze për qeverinë Rama, se sa bën Berisha, thjesht se e di çfarë shkon keq dhe mirë në ekonomi.

Zhurma e shtypit të Berishës që PNUND dhe Banka Botërore po angazhojnë gruan e Ramës për studime tregu në Shqipëri, përveçse qesharake, është dhe një kontrast i madh me gruan e Sali Berishës-kryeministër, e cila dilte krah të Rezart Taçit dhe shiste 25 mijë euro një bluzë të lojtareve te huaj që kishin luajtur kundër “Gramozit’, dhe pastaj bënte ankande fiktive me piktura ku shqiptoheshin vetëm shifra mbi 100 mijë euro dhe biznesmenët hallexhinj që gëzoheshin se u jepej e drejta për t’i dhënë lek asaj, duke harruar rregullisht pikturat në sallë. Disa prej tyre i gjeni tek ish-zyra private e Berishës.

Pra me sa duket, do që dhe Linda Rama të shesë piktura si Liria, por dhe këtu ka konflikt interesi se mund të shesë pikturat e burrit.

Në fakt kush e ka lexuar raportin e këtij viti ku ajo është bashkëautore, ka aq shumë gjëra të rënda për qeverinë, sa opozita e sotme ose nuk i kupton, ose nuk lexon asgjë veç postimeve të Berishës.

E vetmja gjë ku ka dështuar Linda Rama në studimin e saj, është të argumentojë që Argita është shtresë e mesme siç ka thënë vet publikisht. Aty si dalin llogaritë edhe pse është eksperte e nivelit të lart në atë fushë, dhe e angazhuar dhe nga qeveria e Sali Berishës derisa u bë gruaja e Edi Ramës.

Kur e mendon që Berisha në fund të jetës së tij fizike dhe politike, përveçse del nga historia si një hajdut ordiner dhe politikani që ka hedhur në erë demokracinë në Shqipëri, del dhe si babai që ka marrë më qafë fëmijët dhe burri që ka marrë më qafë gruan, pasi u krijoi bindjen se janë të paprekshëm dhe mund të bëjnë çfarë të duan se kanë atë.

Tani atë e kanë , por e kanë si problem, në majë të penxheres dhe vetë nuk e kanë të sigurt as atë fat. Mund ta kenë më të keq.

Read Entire Article