Politika shqiptare uron 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

10 months ago 48

Krerët e institucioneve dhe politikanët shqiptarë urojnë 11-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqipëria është vendi i secilit prej nesh dhe i të gjithëve ne bashkë, shprehet presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një video të shpërndarë nga Ministria e Jashtme, me momente nga Samiti i Diasporës dhe plane nga qytetet e Shqipërisë.

“Nuk i përket dikujt më shumë e dikujt më pak. Nuk i përket më shumë atyre që janë brenda vendit se sa atyre që janë jashtë tij”.

Kryeministri Edi Rama uroi këtë festë nga Vlora, aty ku sikurse e do tradita, u ngrit flamuri kuqezi, ashtu sikurse Ismail Qemali bëri 111-vite më parë.

“Dita e Flamurit kremtohet dhe nderohet sot nga mbarë shqiptarët, si festa e krenarisë kombëtare dhe përkujtimit të 111 vjetorit të Pavarësisë. Vlora mikpriti, siç e do tradita, qindra qytetarë, në ceremonialin shtetëror të ngritjes së Flamurit, nën tingujt e himnit kombëtar dhe me praninë e personaliteteve më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët nderuan aktin e lartë kombëtar të shpalljes së pavarësisë”, shkruan kryeministri në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në urimin e saj, ka zgjedhur një citat nga Themeluesi i Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemali: “Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë.

Dhe më poshtë, për të treguar se pavarësia, liria dhe integriteti i shtetit shqiptar, kërkon edhe sakrifica sublime, vijon: I drejtoj një lutje Zotit të Madh, që bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut”.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, u ndal te roli i Shqipërisë në orientimin euroatlantik të rajonit.

“Ne shqiptarët kemi ditur të konsolidojmë rolin tonë si garant të orientimit euroatlantik të rajonit. Kemi ditur po ashtu të promovojmë në sytë e të gjithë botës një model bashkëjetese e dialogu, mikpritje dhe tolerance, që kanë bërë që ne shqiptarët të fitojmë respektin dhe admirimin e aleatëve, miqve dhe partnerëve”.

Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi shqiptarët me një postim në “Facebook”.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri! Uroj nga zemra të gjithë shqiptarët për festën e flamurit kuq e zi, simbolit tonë të shenjtë të lirisë dhe krenarisë kombëtare”.

Pasi vendosi kurorën me lule në monumentin e Pavarësisë në Vlorë, kryetari i Partisë së Lirisë uroi Ditën e Flamurit.

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit që bashkon të gjithë shqiptarët, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Adem Jasharin!

Nderimin më të thellë për Atin e Shqipërisë, themeluesin e shtetit tonë modern, Ismail Bej Vlorës dhe veprës së ndritur të shumë patriotëve të tjerë që përjetësuan 28 Nëntorin e vitit 1912! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!”

Top Channel

Read Entire Article