Pr/buxheti 2024, Berisha: Abuzime të paimagjinueshme

10 months ago 10
17:49 04/12/2023

Ish-Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për abuzime me fondet në sektorët e bujqësisë, infrastrukturës dhe energjisë.

Në një takim me ekspertë për projekt-buxhetin e vitit 2024, kryedemokrati Berisha u shpreh se qeveria e sheh si armik sektorin e bujqësisë.

“Të lexosh buxhetin për bujqësinë dhe Shqipërinë rurale, shumë nga ju keni fatin e mirë të mos e keni lexuar, por ata që e lexonin, që kujtojnë planet 5 vjeçare të regjimit diktatorial mendojnë se janë duke lexuar një dokument të atij karakteri. Një dokument që natyrisht në diktaturë kishte domethënien e vet, kurse sot ai është një përqeshje, tallje, cinizëm ndaj jetës, punës, të mbi 40% të shqiptarëve.  Ky sektor i cili ka specialistë të mrekullueshëm, të përkushtuar, të aftë, që e njohin mirë atë, kanë vendosur në krye një person, e cila flet sikur vjen nga Marsi. Flet sikur nuk ka asnjë lidhje me atë sektor apo me këtë vend, shpall shifra dhe përqindje që turpërojnë çdo njeri dhe në fakt me të gjitha mbulon një mashtrim të madh, ndaj këtij sektori jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Nëse ka një sektor të cilin kjo qeveri e ka shpallur prej vitesh armik, është sektori i bujqësisë dhe Shqipëria rurale.

Po të studioni sistemin fiskal, nuk e gjen mbi tokë një sistem të tillë ndëshkues për prodhuesin siç është sistemi aktual. Por po të dëgjosh ministren e re që thotë, se Shqipëria është me 6 milionë lopë, tani e kuptoni vetë ju se çfarë lidhje ka kjo me fshatin dhe Shqipërinë. Ky pohim i saj është skandaloz dhe lexohet në çdo paragraf të buxhetit që kanë paraqitur për fermerët. Në të gjithë statistikën e përqindjeve në tërësi nuk ndalet në vitin 2024, por flitet për vitin 2025-2026, mbasi gjithçka është falsitet dhe duhet të rreshtojnë përqindje, shifra se si të mbulojnë injorimin e plotë të këtij sektori të një rëndësie shumë të madhe, për jetën e 40% të popullatës, por edhe për ekonominë e vendit në tërësi. I gjithë qëndrimi i qeverisë aktuale ndaj këtij sektori përbën një piramidë të vërtetë mashtrimesh dhe falsifikimesh dhe në fund reduktohet në një shifër dhjetëra milionë Euro, e cila në shumicë përfundon në xhepat e qeveritarëve hajdutë”.

Sali Berisha denoncoi edhe vjedhjen e fondeve sipas tij për infrastrukturën, që siç u shpreh, rrugët ndërtohen me kosto 10 herë më të lartë.

“Në rast se ndaleni te infrastruktura nuk ekziston një sektor tjetër në Shqipëri, Europë dhe botë ku vidhen paratë e taksapaguesve si në rrugët e Shqipërisë. Tashmë është e faktuar se çmimi i rrugëve në Shqipëri është të paktën 10 herë më i madh se sa çmimi që del nga manualet e tyre.

Ndodh ndarja në lote, me të cilën çmimi i ndërtimit të unazës në Tiranë shkon 50% më shumë se çmimi i ndërtimit të tunelit të Kalimashit, i cili kushtoi sepse siç e dini pati dhe problemin e vet. Me gjithë problemin që pati, çmimi që paguajnë qytetarët e Tiranës për të ndërtuar unazën kudo në fushë ishte mbi 50% më shumë se çmimi që u pagua, nuk po them për Kërrabën se është edhe akoma më i lirë, por çmimi i ndërtimit të Tunelit të Kalimashit për kilometër.

Rruga e Arbrit shkon 11 milionë në një kohë kur një autostradë në Kroaci, 27 metra e gjerë, ndërtohet me 2.8 milionë Euro. Rruga e Arbrit shkon 11 milionë Euro kur një autostradë e përmasave më të mëdha me të gjitha veprat e artit, 27-28 metra e gjerë, ndërtohet në SHBA me 12 milionë Euro. Rruga Kardhiq-Delvinë, përfundon pjesa e pambaruar sepse një pjesë e madhe u mbarua para vitit 2013, nga 70 milionë Euro shkon në 240 milionë Euro. Rruga që nuk përfundon ndonjëherë Qukës-Qafë Plloçë. A mund të imagjinoni ju që rrugës ja ndryshojnë projektin vetëm e vetëm që lotet të mos përputhen me njëri-tjetrin”.

/tvklan.al


Read Entire Article