“Prapaskenat” e përplasjes në krye të shtetit! Mësohet pse nuk u konsultua Presidentja Osmani

4 months ago 9

Gjatë javës së kaluar një përplasje në distancë shpërtheu mes presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Krejt shkak për këtë u bë letra që kjo e fundit i dërgoi Këshillit Evropian me zotimin që do të dërgojnë në Kushtetuese, draft statutin për Asociacionin, letër që nuk u mor parasysh nga Këshilli Evropian, ku Kosova dështoi të bëhet pjesë e këtij mekanizmi evropian.

Osmani deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për letrën e dytë që qeveria e Kosovës i dërgoi Këshillit të Evropës dhe këtë e konsideroi të papranueshme.

“Jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, tha presidentja Osmani, duke iu kundërpërgjigjur Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili kishte thënë se Osmani kishte qenë jashtë vendit.

Por se a ka përçarje dhe hatër mbetje mes koalicionit qeverisës dhe presidentes, për gazetën “Bota sot” kanë folur analistët politikë, Gani Qarri dhe Faton Mehmeti.

Mos koordinimi qeveri-presidencë

Me shumë së përçarje, Mehmeti thotë se ka mungesë koordinimi mes qeverisë dhe presidencës, duke përjashtuar mundësinë e një krisje të brendshme.

Image

Faton Mehmeti

“Nuk besoj se ka përçarje, më tepër shoh mungesë koordinimi se krisje të raporteve. Në këtë kuptim nuk ka arsye të besuar se mund të këtë përçarje të mëdha. Në demokraci ndodhin edhe mendimet ndryshe, shpesh edhe mungesa e koordinimit sjellin edhe keqkuptime, kur  parimet janë të shëndosha atëherë çdo gjë kalohet”, deklaron Mehmeti.

Ai thotë se po tentohet që të krijohet një lloj tensioni artificial nga mediat që janë anti qeveri.

“Besoj se s’ka ndasi dhe as që pritet të ketë, më tepër janë fushatë e mediave pro opozitës për të krijuar tensione artificiale për konsum të brendshëm”, thekson Mehmeti.

Pse nuk u konsultua Vjosa Osmani?

Image

Gani Qarri

Kurse analisti Gani Qarri shprehet se Vjosa Osmani nuk u konsultua, pasi nuk pranon që asociacioni të nxjerrej nga marrëveshja bazike, për çka e ishte e gatshme ta bënte qeveria.

“Duke e ditur se presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani, nuk do ta pranonte kushtëzimin politik të BE-së, që çështja e asociacionit, të veçohej nga marrëveshja bazike, ashtu siç deklaroi edhe këshilltari Bekim Kupina, ajo nuk u konsultua paraprakisht nga Qeveria as ministrja Gërvalla, për letrën që i dërguan Këshillit të Evropës (KiE) përmes të cilës, në momentet e fundit, u përpoqën ta bindnin asamblenë e KiE-së, me qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin, në mënyrë që Kosova të pranohej në KiE. Për aq më tepër, siç deklaroj edhe vet ajo, Presidentja përkrah vetëm qëndrime të konsultuara e të dakorduara paraprakisht, si dhe veprimet e koordinuara të institucioneve shtetërore bashkë me Presidencën, e cila lidhur me këtë çështje, as që ka ndërruar qëndrim dhe e vërtetoi edhe personalisht, se as tani, nuk e  përkrah letrën e Qeverisë dhe ministres Gërvalla dërguar Asamblesë së KiE-së!”, thotë Qarri.

“Në fakt letra nga ministrja Gërvalla me zotimin e Kosovës për ta hartuar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese një statut për Asociacionin u dërgua, vetëm pasi vendet më të fuqishme të BE-së, si Franca, Gjermania dhe Italia, kushtëzuan Kosovën që të ndërmarrë "hapa konkret" për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që anëtarësimi i Kosovës të futej në agjendën e KiE-së dhe vendet e BE-së, të votonin për anëtarësimin e saj, në Këshillin e Evropës. Përndryshe Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, vjen nga partia Guxo, të cilën, siç dihet, përkohësisht, e kishte udhëhequr vet presidentja aktuale Dr. Vjosa Osmani, deri në momentin kur mori detyrën e presidentes së Vendit në prill të vitit 2021, dhe ashtu siç e kërkojnë rregullat e Kushtetutës, dha dorëheqje nga partia”, shton Qarri.

Ai thotë se letra që Gërvalla e dërgoi në Këshillin e Evropës, nuk duhet të behet shkas i një përçarje të re politike.

“Presidentja Dr. Vjosa Osmani, sqarojë publikisht edhe opinionin e gjerë se me letrën e dërguar nga Qeveria dhe ministrja Gërvalla, në Këshillin e Evropës,  ka rënë në ujë oferta e nënshkruar nga tre liderët institucional të shtetit, që nuk duhet të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova. Dhe fatkeqësisht me gjithë letrën e dërguar, Kosova serish, pa fajin e saj, nuk u vendosë as në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj, ku pritej të votohej për pranimin në këtë organizatë të rëndësishme, gjë që dëshmon se Kosova ende ka shumë punë përpara dhe i nevojitet kontributi i secilit, andaj letra e dërguar, nuk duhet të bëhet shkas, që të thellohet përçarja e Osmanit me Qeverinë dhe as me Listën Guxo!”, deklaron Qarri, sipas të cilit, Guxo e ka vështirë të mbijetojë në skenën politike pa mbështetjen e Vjosa Osmanit.

“Parti e cila e ka mese të vështirë të "mbijetojë", pa mbështetjen e themelueses së saj, Presidentes Dr. Vjosa Osmani, pikërisht në kohën e stërmbushur me frymë paraelektorale, kur njëri nga deputetët e Listës “Guxo”, deklaron se vijat e kuqe, nuk janë të mira në politikë, as me partitë tjera, veçanërisht në momentet kur përflitet rregullisht mbi mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të lira!”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

Read Entire Article