“Prapavija” e vizitës së Bedri Hamzës në SHBA, zbërthehen mesazhet – thuhet se lidhet me kandidaturën e tij për kryeministër?

1 month ago 12
Reklamë

Së fundi, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza zhvilloi një vizitë në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të cilës u takua me zyrtarë amerikanë, me të cilët bisedoi për "qëllimet strategjike të Kosovës". Për realizimin e tyre, sipas tij, partneriteti me Shtetet e Bashkuara “është i rëndësisë jetike”.

Takimi i Hamzës me zyrtarët amerikanë në SHBA vjen në kohën kur Uashingtoni po inkurajon Qeverinë e Kosovës që t’i kthehet “angazhimit konstruktiv” me të, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Si “krejt të natyrshme” dhe “bashkëpunim i ngushtë” i përshkroi kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, këto takime të tij me zyrtarë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

Ai thotë se ato janë si rezultat i bashkëpunimit që kishte pasur gjatë kohës sa shërbente si ministër i Financave – gjatë viteve 2011-2013 dhe 2017-2020 – dhe guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës – gjatë viteve 2013-2017.

Hamza e pranoi se kjo vizitë ndërlidhet edhe me kandidaturën e tij si kryeministër i vendit.

Ndërsa, kësaj radhe, jam duke e zhvilluar këtë vizitë zyrtare në kapacitetin tim si i nominuar për kryeministër dhe si kryetar i Mitrovicës së Jugut”, thotë Hamza për REL.

Se çfarë fshihet pas kësaj vizite dhe si mund të ndikojë kjo në fatin politik të Hamzës, folën analistët politik.

Zogaj: “Bekimi amerikan” është shumë i rëndësishëm dhe me ndikim të madh për zgjedhje e reja parlamentare

Fillimisht, publicisit Skender Zogaj, Bedri Hamzën e cilësoi si një politikan serioz dhe stabil.

Image

Skender Zogaj

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli mbi prapaskenat dhe qëllimet e vizitës së Hamzës në SHBA.

Kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza, është një personalitet i shquar që ka një karrierë të shkëlqyeshme politike dhe shtetërore, person që në të gjitha detyrat dhe postet ebesuara, i ka marrë me meritë dhe i ka realizuar me sukses.  Kjo është një vlerë e rëndësishme që Bedri Hamza e posedon, dhe e cila e prejudikon favorshëm edhe vazhdimin e karrierës së tij, prandaj edhe jo rastësisht tashmë është shpallur kandidaturë e PDK-së për postin e kryeministrit të Kosovës”, potencoi ai.

Sipas tij, vizita e Hamzës në SHBA do ndikojë në zgjedhjet e reja parlamentare, derisa tha të veprojnë të gjithë lidërët që aspirojnë të jenë udhëheqës duhet të veprojnë njëjtë.

Bedri Hamza në të gjitha etapat e angazhimeve, edhe si kryetar komune në Mitrovicë, është treguar stabil dhe serioz, duke qenë i përgjegjshëm për synimet. Këtë po e tregon edhe si i kandiduar për kryeministër, që siç po shihet, iu ka rrekur që ta arrij. Vizita në SHBA dhe takimet me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, janë nismë e mirë, sepse "bekimi amerikan" është shumë i rëndësishëm dhe me ndikim të madh për zgjedhje e reja parlamentare. Prononcimi i Hamzës është fakt dhe ogur i mirë i përcaktimit që "krejt natyrshëm" i dedikohet "Bashkëpunimit të ngushtë" me SHBA, miken kryesore që është garantuesja e lirisë, pavarësisë dhe e zhvillimit të mëtutjeshëm të Kosovës drejt realizimit të plotë të mëvetësisë shtetërore. Sikurse Bedri Hamza duhet të veprojnë të gjithë liderët kosovarë që aspirojnë të jenë udhëheqës të dobishëm për vendin dhe popullin tonë, sepse, lidhja me miqët është garanca e sigurisë!” – përmbylli Skender Zogaj për “Bota sot”.

Hoxha: Puna dhe angazhimi kryesor i BE, SHBA -së është te përforcimi i dy liderëve politikë të fuqishëm në Serbi dhe Kosovë

Kurse, edhe Hafir Hoxha zbërtheu analizën e tij mbi prapavijën e vizitës së Hamzës në SHBA.

Image

Hafir Hoxha

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë të formojnë një lider të ri, që nuk do i pengonte angazhimet e saj për Kosovën dhe Ballkanin.

“Prapavija e vizitës së Bedri Hamzës është se SHBA do që të formulojë një lider të ri të besueshëm dhe të dëgjueshëm, që t’i zhvillojë politikat në vend, ato që nuk e pengojnë ose nuk e dëmtojnë angazhimin e SHBA-së dhe të BE ndaj Serbisë, që ajo të afrohet dhe të bëhet anëtare e BE dhe e NATO-s, ku është detyra dhe synimi përfundimtar i angazhimit të tyre në Ballkan”.

Krahas kësaj, kishte edhe disa kritika për qeverinë Kurti, duke u bazuar në raportet me aleatët, siç është SHBA, e ku sipas tij nuk po vepron në koordinim me atë.

“LVV në një pauzë të politikës provokuese serbe ndaj Kosovës ka shfrytëzuar rastin të ndërhyjë në veri, duke u munduar të shtrijë në funksion organet e shtetit të Kosovës atje, por krejt këto punë janë afatshkurta dhe të paqëndrueshme. Albin Kurti e ka kuptuar mirë këtë situatë dhe e di që faktori politik shqiptar nuk mund të vendos asgjë për veriun e Kosovës. Ai zhvillon aktivitete për politikë të brendshme, krejt këto veprime i bënë së fundi duke punuar që të hapë edhe urën në Mitrovicë, ku politikë-bërësit BE dhe SHBA janë kundër këtij veprimi”.

Në fund, ai shtoi se qëllimi kyç i SHBA-së e BE-së, lidhet me përforcimin e dy liderëve të fuqishëm dhe që i dëgjojnë ata.

“Puna dhe angazhimi kryesor i BE, SHBA -së është te përforcimi i dy liderëve politikë të fuqishëm në Serbi dhe Kosovë, në të njëjtën kohë dhe të jenë të dëgjueshëm për ta dhe që t’i bëjnë këto marrëveshje.

Në Kosovë e kanë më lehtë të detyrojnë politikanët shqiptarë në dëgjueshmëri, pasi tjetër zgjidhje nuk kanë përveç që të dëgjojnë, kurse në Serbi kanë problem më serioz”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Read Entire Article