Presidenti Begaj i kërkon njohjen e Kosovës Presidentit të Kenias, Presidentit të Botsvanës dhe atij të Sudanit të Jugut

11 months ago 16
Reklamë
16:47 22/09/2023

Gjatë takimeve që Presidenti Begaj po zhvillon në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Debatit të Përgjithshëm të  Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kreu i Shtetit u takua me Presidentin e Kenias, Presidentin e Botsvanës, Presidentin e Sudanit të Jugut, të cilëve u kërkoi njohjen e Republikës së Kosovës.

Fillimisht, Presidenti Begaj u takua me Presidentin e Republikës së Kenias, Sh.T.Z. William Samoei Ruto. Gjatë takimit, presidentët nënvizuan se shkëmbimi i vizitave të nivelit politik, do t’i japë një shtysë zhvillimit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kenias, veçanërisht në kuadër edhe të organizatave ndërkombëtare.

Kreu i Shtetit u ndal më tej te zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Begaj i kërkoi Presidentit Ruto njohjen e Republikës së Kosovës, të cilën e cilësoi një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Të njëjtën kërkesë Presidenti Begaj i ripërsëriti dhe Presidentit të Botsvanës, Sh.T.Z. Mokgweetsi Masisi.

Të dy presidentët inkurajuan identifikimin e mundësive për bashkëpunim, veçanërisht në ekonomi, apo edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Sipas Presidentit Begaj, ky takim është një mundësi për t’i dhënë një tjetër dinamikë marrëdhënieve ndërshtetërore. 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj u takua gjithashtu me Presidentin e Sudanit të Jugut, Sh.T.Z. Salva Kiir Mayardit.

Në takim të dy presidentët vlerësuan vendosjen e kontakteve direkte mes dy shteteve. Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria mbështet aspiratat e popullit të Sudanit të Jugut për ndërtimin e një shteti të begatë.

Presidenti Begaj u ndal  veçanërisht tek Republika e Kosovës, duke kërkuar njohjen e saj nga ana e Sudanit të Jugut. Sipas Kreut të Shtetit, Kosova është një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj duhet mbështetur që të vazhdojë të luajë të njëjtin rol edhe në vijim.

Të dy presidentët diskutuan edhe për nevojën e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article