Presidenti i Federatës Turke të Futbollit bën një deklaratë rreth rrahjes së gjyqtarit dhe tregon kur rifillon kampionati

10 months ago 6

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Mehmet Buyukeksi ka bërë një deklaratë për atë që ndodhi pas ndeshjes Ankaragucu – Caykur Rizespor, ku mbeti i rrahur gjyqtari kryesor i takimit dhe kampionati u ndërpre pas incidentit.

Fundjava e fundit ka rikthyer skenat e turpshme në futbollin turk, ku presidenti i Ankaragucu ka rrahur gjyqtarin kryesor të takimit, Halil Umut Meler, duke i lënë lëndime të dukshme në fytyrë.

Pas kësaj, presidenti i shtetit, Recep Tayip Erdogan detyroi ndërprerjen e kampionati dhe vetëm tani i pari i Federatës Turke të Futbollit, Buyukeksi ka njoftuar për rifillimin e tij në një deklaratë të gjatë ku ka përmendur gjithçka.

“Misioni ynë kryesor është të mbajmë futbollin në radhë të parë dhe ta mbrojmë atë si një zonë ku të gjithë palët e interesuara ndihen të sigurt. Në këtë qëndrim nuk ka vend për dhunë. Ajo që ndodhi në ndeshjen Ankaragucu–Rizespor është krejtësisht e papranueshme. Kujtojmë se do të kemi zero tolerancë në çdo incident të tillë brenda ose jashtë fushës dhe se nuk do të lejojmë sulme apo presione joproporcionale ndaj gjyqtarëve tanë, të cilët janë pjesë e rëndësishme e lojës”.

“Halil Umut Meler është një gjyqtar me të cilin jemi krenarë. Një familjar i mirë, një person i mirë. Asgjë nuk thotë më shumë sot se sa fotografia e gjyqtarit tonë në tokë duke u goditur brutalisht”.

“Në këtë proces, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë për Presidentin tonë. Dëshiroj të falënderoj ministrin tonë të Rinisë dhe Sporteve, Ministrin tonë të Punëve të Brendshme dhe Ministrin tonë të Drejtësisë. TFF do të zërë vendin e saj edhe në bërjen dhe zbatimin e ndryshimeve të nevojshme në ligjin 6222”.

“Drejtësia turke ka bërë atë që është e nevojshme për përgjegjësit e incidentit. Konsulenca jonë ligjore bëri atë që ne, si TFF, duhet të kishim bërë. Vendimin e saj do ta shpallë edhe PFDK të enjten. Ne planifikojmë të vendosim sanksione shtesë përveç heqjes së të drejtave dhe gjobave për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla”.

Të gjitha ligat do të rifillojnë të martën, më 19 dhjetor”, thuhet në deklaratën e presidentit të TFF, Mehmet Buyukeksi. /Telegrafi/

Read Entire Article