Gala mbrëmjen e FFK-së “Laureatët 2023” e ka nderuar përmes një video-mesazhi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe ai i UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Kreu i futbollit botëror dhe ai evropian kanë përshëndetur të pranishmit në këtë manifestim, duke theksuar se futbolli i Kosovës që nga anëtarësimi në FIFA dhe UEFA, ka bërë përparim të madh.
Mesazhi i plotë i Infantinos:
I nderuari President, i dashur Agim, të nderuar mysafirë, të dashur miq, kam kënaqësinë t’ju drejtohem në këtë ngjarje të rëndësishme – Çmimet e vitit 2023 të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Që kur Kosova iu bashkua FIFA-s në maj të vitit 2016, në Kongresin tim të parë si president i FIFA-s, futbolli ka bërë përparim të madh në vendin tuaj dhe ekipet tuaja kanë arritur tashmë disa rezultate të mahnitshme.
Siç e dini, pata kënaqësinë e madhe t’ju vizitoja në shtator të vitit 2022, ku munda të shihja vetë disa nga punët tuaja dhe më pas t’ju uroja mirëseardhjen në shtëpinë e FIFA-s në Cyrih në fillim të këtij viti.
U inkurajova shumë nga mënyra se si jeni angazhuar aktivisht me FIFA-n në programin për zhvillimin e futbollit në Kosovë, ofrimin e ambienteve më të mira, ngritjen e standardit të lojës dhe rritjen e lojës së vajzave.
Kjo është pikërisht arsyeja që krijuam programin ‘FIFA Forward’ dhe kjo dëshmon se jemi në rrugën e duhur.
Mezi pres t’ju takoj sërish personalisht në të ardhmen e afërt dhe ndërkohë ju lutem mos harroni se gjithmonë mund të mbështeteni te FIFA.
I përgëzoj fituesit e çmimeve për arritjen e tyre këtë vit dhe sigurisht ju uroj një ceremoni të mrekullueshme të ndarjes së çmimeve.
Faleminderit edhe një herë, gjithë të mirat për të gjithë ju. Shihemi se shpejti. Mirupafshim!
Mesazhi i plotë i Çeferin:
Të nderuar anëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, mysafirë të nderuar, i dashur President Ademi. Ndërsa ju festoni një vit tjetër të rëndësishëm për futbollin në Kosovë dhe ata që lanë gjurmë në lojën tonë të dashur, dëshiroj t’ju përshëndes me këtë mesazh të shkurtër.
Ju duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja. Pavarësisht se nuk u kualifikuat në Euro 2024, Kombëtarja juaj e meshkujve ka treguar karakter dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në këtë cikël kualifikues, që premton një të ardhme të ndritshme për futbollin. Kampioni juaj, Ballkani, la përshtypje të madhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës së UEFA-s, duke shfaqur forcën dhe potencialin e futbollit të klubeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Dua gjithashtu të nënvizoj bashkëpunimin e shkëlqyer me UEFA-n në projekte të ndryshme, duke përfshirë strategjinë e zhvillimit të futbollit për femra, e cila pritet të nisë vitin e ardhshëm. Derisa festat po afrojnë, ju uroj të gjithëve gëzim, paqe dhe një kohë të mrekullueshme me njerëzit tuaj më të dashur. Le të jetë 2024-ta e mbushur me dashuri dhe futboll të shkëlqyeshëm. Dhe tani, shijoni shfaqjen. /Telegrafi/