Privatizimi i ish-kompleksit “Partizani”/ Berisha: Procesi më legjitim, prokurorët e Ramës nuk gjetën asnjë provë kundër meje

11 months ago 23
12:24 28/10/2023

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se privatizimi i ish-kompleksit “Partizani” është procesi më legjitim i bërë ndonjëherë. Në një bashkëbisedim me qytetarët në “Facebook”, Berisha pretendon se në dosjen hetimore të SPAK nuk ka asnjë provë për të ngritur akuza penale ndaj tij.

Sali Berisha: Ju garantoj se ai është procesi më legjitim që mund të jetë kryer ndonjëherë. Në 3 vjet hetime, prokurorët politikë të Edi Ramës, nuk arritën të gjejnë asnjë provë dhe as fakt, asnjë dokument që të ndërtojnë akuzë penale ndaj meje, dhëndrit tim, Jamarbër Malltezit sepse nuk gjetën asnjë shkelje ligjore, përveç njërit, të Edi Ramës me ndryshimin e orientimit nga sport në zonë banimi, i kryer nga Edi Rama në 2006. Nuk ka asnjë shkelje ligji. Janë pyetur me dhjetra e dhjetra punonjës, asnjë prej tyre nuk del të thotë se Sali Berisha më ka bërë presionin më të vogël apo Malltezi shkeli në zyrën time apo më bëri presion.

Në fjalën e tij, Berisha thotë se kryetari i opozitës vihet nën sanksione nga një gjykatëse e lidhur sipas tij, direkt me kryeministrin Edi Ramën pa autorizimin e Parlamentit.

Sali Berisha: Unë jam para jush së pari për t’u përgjigjur çdo pyetje tuaj për çdo gjë që dëshironi. Së dyti, do bëj një deklaratë të shkurtër. Siç jeni informuar, në një akt të paprecedent në ndonjë vend tjetër, kryetari i opozitës vihet nën sanksione nga gjykatëse e lidhur direkt me Edi Ramën dhe skapistë të kontrolluar plotësisht prej tij, si në asnjë vend tjetër dhe si kurrë ndonjëherë në Shqipëri, vihet në sanksione pa autorizimin e parlamentit. Ndaj tij, gjykatësja e lidhur direkt me Edi Ramën, skapistët e kontrolluar plotësisht prej tij, vendosin masën e paraqitjes dy herë në javë, vendosin kufizimin e lëvizjes duke i marrë pasaportën. Këto veprime janë në kundërshtim flagrant me disa nene të Kushtetutës, por më specifik me nenin 73, pika dy, në të cilin sanksionohet se deputeti nuk mund të arrestohet, nuk mund t’i kufizohet në asnjë lloj formë liria e tij, nuk mund të kontrollohet pa autorizimin e parlamentit. Mbi bazën e këtij neni të mbartur që në fillimet e pluralizmit, gjer sot asnjë deputet nuk ka pasur sanksione nga prokurorë apo gjykatës pa autorizimin e parlamentit. Në rast se u kujtohet, ka qenë rasti Bllako, rasti Tahiri e shumë të tjera. Kjo do të thotë se Edi Rama, Kushtetutën e zbaton për miqtë e tij, për deputetët e tij, dhe jo për deputetët e opozitës që i ka armiq në konceptet e tij mjerane. Pra, një nen i Kushtetutës që vlen për hajdutë si Alqi Ballako, trafikantë si Saimir Tahiri, nuk mund të vlejë për kryetarin e opozitës, Sali Berishën. Kjo demonstron në mënyrën më flagrante karakterin tmerrësisht politik të këtij procesi të ndërmarrë nga Edi Rama me frikën e tmerrshme se opozita nisi 10 ditë më parë në parlament, betejën pa kthim.

/tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article