Profesori i njohur i Gazës u vra në një sulm ajror, disa javë pasi i tha CNN se ai dhe familja e tij nuk kishin “ku tjetër të shkonin”

10 months ago 6

Në tetor, Refaat Alareer po diskutonte nëse do të qëndronte në shtëpinë e tij në zemër të qytetit të Gazës, apo të ikte më në jug me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij.

Bëhet fjalë për një kohë kur aeroplanët luftarakë izraelitë bombarduan Gazën veriore dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u thanë civilëve që të evakuonin menjëherë shtëpitë e tyre dhe të shkonin në jug.

Kështu, civilët si Alareer u përballën me një zgjidhje, pothuajse të pamundur.

Të qëndrojnë në shtëpi dhe të rrezikojnë të vriten, ose të përpiqen të ikin pa mbrojtje, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Dhe në atë kohë, shkrimtari dhe akademiku 44-vjeçar i tha CNN se ai dhe familja e tij nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të qëndronin në veri, sepse ata “nuk kanë ku të shkojnë tjetër”.

“Është një imazh tipik palestinez, i një debati mbi atë nëse duhet të qëndrojmë në një dhomë, kështu që nëse vdesim, vdesim së bashku, apo duhet të qëndrojmë në dhoma të ndara, që të paktën dikush të mund të jetojë?”, tha ai.

Një profesor i letërsisë krahasuese në Universitetin Islamik të Gazës, Alareer ishte i famshëm për rolin e tij në kronologjinë e ngjarjeve të Gazës.

Ai ishte i rëndësishëm në edukimin e shkrimtarëve të rinj palestinezë dhe i ndihmoi ata të tregonin historitë e tyre në anglisht, sipas miqve dhe kolegëve.

Alareer foli për CNN nga Gaza City, më 12 tetor dhe 13 tetor.

Por pak javë më vonë, më 7 dhjetor, Alareer u vra nga një sulm në Shajaiya, në Gazën veriore, konfirmoi për CNN miku dhe kolegu i tij, Jehad Abusalim.

Ai po qëndronte me vëllain, motrën dhe katër fëmijët e saj, të cilët gjithashtu u vranë, sipas Abusalim, një shkrimtar, 35 vjeç, me bazë në Uashington, DC.

Ai la pas gruan dhe fëmijët e tij nga 7 deri në 21 vjeç.

CNN thotë se ende nuk ka mundur të kontaktojë anëtarët e familjes së Alareer. /Telegrafi/

Read Entire Article