Profesori ‘zbërthen’ deklaratën e ambasadorit amerikan për dialogun: Pas Asociacionit, a do të vjen ndarja?

2 months ago 6
Reklamë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thekuar pak ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë me urgjencë dhe pa parakushte të gjitha detyrimet e pranuara në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit, duke theksuar se Marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe se njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut.

“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier.

“Mendoj se ka disa njerëz në Kosovë që brengosen kur ne themi ‘normalizimi i marrëdhënieve’, kjo nuk është diçka që kërkohet përfundimisht. Sepse, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë në mënyrë dypartiake. Shtetet e Bashkuara besojnë se rezultati përfundimtar i këtij procesi mund të jetë vetëm njohja e ndërsjellë”, shtoi ai.

Nga një deklaratë si kjo, cila është rruga që Kosova duhet të ndjekë pas këtyre kërkesave për dialogun? A duhet Kosova që t’i besoj më shumë garancive që jep SHBA-ja, e cila thotë se si organ përfundimtar që vendos për asociacionin duhet të jetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës?

Prof.Dr. Bytyҫi: Kur bëhet fjalë për garanci për Kosovën, si në rastin konkret asosacionin, unë mendoj se rekomandimet e ambasadorit Hovenier duhen marrë me rezerva

Image

Enver Bytyҫi

Lidhur me këtë ҫështje në një prononcim për ‘Bota sot’, ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof.Dr. Enver Bytyҫi. Ai në këtë rast thekson se zgjatja e mandatit të Lajçak deri në janar të vitit të ardhshëm, duket se ka të bëjë me një përpjekje të amerikanëve dhe europianëve për ta mbyllur marrëveshjen e stabilizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi deri në fund të vitit.

“Në shtator, vjen në Bruksel Kaja Kallas dhe mesa shoh ajo dëshiron që të mos humbasë kohë, por ta vazhdojë dialogun me zotin Lajçak, si një mundësi për ta përmbyllur atë. Natyrshëm që Lajçak është në brendësi të gjithçkaje, ka krijuar tashmë një panoramë se ku gjeden pengesat dhe mund të ndihmojë, nëse do të bëhet më balancues, për t’i shkuar në fundin paraprak këtij dialogu. Në këtë kuadër, besoj se ka folur edhe ambasadori i SHBA-ve, Hovenier. Për mendimin tim, Hovenier ka të drejtë kur thotë se projekti i Asosacionit duhet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe askund tjetër. Për një vëzhgues të vëmendshëm, kjo mund të ngjallë edhe një lloj speticizmi në kuptimin se mos ndoshta SHBA dhe BE e kanë më lehtë të manipulojnë Gjykatën Kushtetuese të manipulueshme të Kosovës, sesa Komisionin e Venecias?! Kjo është thjesht një hamendje. Por që nuk besoj se nuk duhet marrë në konsideratë”, vlerëson ai.

Sipas profesor Bytyҫit, se a duhet t’i besojmë ose jo deklaratave të ambasadorit Hovenier dhe projekti i asosacionit të shkojë në Gjykatën Kushtetuese e më pas të implementohet.

“Besimi te Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetik. Sepse është aleati i Kosovës. Por ky besim është se duhet të jetë parimor, për çështje strategjike dhe jetike gjithashtu. Që do të thotë se gjithçka që është në interes të SHBA-ve dhe nuk prek interesat e Kosovës duhet të mbështetet pa asnjë diskutim dhe pa asnjë rezervë. Madje edhe nëse preken interesat e një vendi tjetër mik të Kosovës. Por kur bëhet fjalë për interesat e Kosovës duhet menduar mirë. Në jetën praktike nuk i beson vëllai – vëllait tejpërtej, kur është në diskutim një çështje që ka të bëjë me njërin prej tyre. Ah po. Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis komshiut e njërit vëlla, natyrshëm që vëllai vihet në mbështetje të vëllait tjetër. Kështu ndodh e duhet të ndodh edhe me SHBA-të. Kur bëhet fjalë për garanci për Kosovën, si në rastin konkret asosacionin, unë mendoj se rekomandimet e ambasadorit Hovenier duhen marrë me rezerva. Pse e them këtë?”

“Së pari, ka një kakofoni deklaratash. Hovenier thotë diçka, ndërsa ajo që deklaron Hill në Beograd shpesh herë është krejt e kundërta e asaj që thotë Hovenier në Prishtinë. Ok! Kosova duhet t’I besojë ambasadorit amerikan në Kosovë. Por Christophor Hill na nxit të jemi skeptikë! Sepse edhe ai është i njohur shumë për Kosovën. Ka punuar atje për gati një dekadë me qëllim përdorimin e diplomacisë preventive. Nuk ia pati arrit kësaj, prandaj ndodhën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Gjithësesi politikanët e Kosovës duhet ta dinë se Hill ka shkuar në Beograd kryesisht për ta çuar deri në fund misionin e mbylljes së konfliktit. Së dyti, po si do të mbyllet ky konflikt? Në favor të agresorit apo me respektimin e të drejtës së viktimës, Kosovës? Kjo është thembra e Akilit. Na thuhet se duhet t’i besojmë SHBA-ve dhe të veprojmë vetëm siç ata rekomandojnë. Për këtë na kujtojnë bombardimet e NATO-s në Kosovë. Edhe kjo është një arsye e padiskutueshme për të besuar në SHBA-të. Por në SHBA kanë ndryshuar shumë gjëra nga ajo kohë. Ka mbetur vetëm Christopher Hill, edhe ky më shumë pro-Serbisë e kundër Kosovës! Nuk është më Bill Clinton e as Hilari Clinton. Erdhe Barak Obama dhe ia vari teneqen Kosovës. Ia diktoi edhe bisedimet gjoja teknike, të cilat u kthyen akoma pa nis në bisedime politike. Ia diktoi edhe Gjykatën Speciale në Hagë. A shkojnë këto dy veprime me qëndrimin e Bill Clinton”, vlerëson profesor Bytyҫi.

“A nuk paskan të drejtë skeptikët të dyshojnë se pas asosacionit vjen ndarja?!”

Ai thekson tutje se, kishim një administratë amerikanë që mbështeti ndarjen e Kosovës. Do të thotë dikush se kjo nuk ka të bëjë me Biden. Por administratorët nuk ndryshojnë në SHBA pse ndryshojnë presidentët.

“Si t’ia bëjmë? Duhet besuar tani se nuk ka më një axhendë të tillë, për ndarjen e Kosovës? Hovenier thotë, jo nuk ka. Madje po ta pyesësh edhe ambasadorin Hill, thotë gjithashtu se jo, nuk ka. Mirëpo marrëveshja e pranuar dhe e panënshkruar e Brukselit flet për normailzim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk thotë asgjë për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Beogradit. Ndërkohë presidenti Biden kishte shkruar që marrëveshja duhet të përmbajë njohjen. A nuk paskan të drejtë skeptikët të dyshojnë se pas asosacionit vjen ndarja?! Pastaj pse nuk u vendos në marrëveshje njohja?! Sepse Vuçiq e di se pas njohjes nuk ka më ndarje. Prandaj ai nuk e pranon një marrëveshje me njohje de jure. Madje e kontestoi edhe marrëveshjen me njohje faktike. Kjo rrjedhë logjike na bën të jemi spektikë, të dyshojmë edhe në premtimet e ambasadorit Hovenier. Dhe unë mendoj se ambasadori Hovenier, as opozita “proamerikane”, as kryeministri “proamerikan” i Shqipërisë, nuk duhet ta kërkojnë shkakun e skepticizmit tea ta shqiptarë që dyshojnë dhe kanë të ngjallur instiktin e vetëmbrojtjes. Kjo nuk është anti-amerikanizëm. Eshtë thjesht si reagimi i asaj breshkës, që kur nuhat një rrezik, futet në korracën e vet! Pra kjo është instiktive. Nuk ka të bëjë me asnjëlloj shkaku tjetër”, thekson ndër të tjera Prof.Dr. Bytyҫi.

Mehazi: Nuk ka më mirë sesa për asociacionet e pakicave serbe të vendos Gjykata e Kushtetuese e Kosovës para Gjykatës së dyshimtë të Venecias

Image

Sulejman Mehazi

Lidhur me këto deklarime të ambasadorit amerikan, Hovenier, ka folur edhe profesori Sulejman Mehazi. Ai thekson se, deklarata e Ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka kuptimin e ultimatumit ndaj të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë, që sa më shpejtë pa eukuivoke e kushte të zbatohet Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Ohrid për njohje të ndërsjellë, kjo kërkesë apo porosi urgjente për njohje reciproke nga SHBA-të më shumë përgëzon Kosovën që e ka lindur dhe është anëtare e SHBA-ve sesa Serbinë që është kundër SHBA-ve dhe BE-së e me Rusinë.

“Deklarata e Ambasadorit amerikan është mjaftë serioze e shkurtër dhe precize, se, ka ardhur koha e përfundimit të dialogut dhe sa më shpejtë këta dy shtete të ndajnë politikisht e definitivisht shapin prej sheqerit në mes vete”, nënvizoi ai.

Profesor Mehazi thotë se nëse kryeministri Kurti nuk është i kënaqur me vendimet e përfaqësuese të dialogut, atëherë duhet besuar SHBA-së.

“Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit e BE-në nuk është i kënaqur me animet serbe të Lajçakut dhe Borrelin, atëherë logjikisht e politikisht kryeministri i Kosovës duhet të ju besojë amerikanëve të cilët janë themeluesit e R.së Kosovës, nuk ka më mirë sesa për asociacionet e pakicave serbe të vendos Gjykata e Kushtetuese e Kosovës para Gjykatës së dyshimtë të Venecias, pikërisht SHBA-të këtë kërkojnë që për asociacionet e pakicave serbe të vendos Gjykate Kushtetuese e Kosovë e jo Serbia e BE-ja. Kosovën SHBA-ja e ka lindur, përkujdesur, rritur dhe duhet dëgjuar fëmija Kosovë babain e saj SHBA-në. Nuk duhet besuar Kosova ‘njerkës’ BE-së, por nënës e saj SHBA-së”, vlerëson profesori.

Read Entire Article