Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim drejtoreshën e spitalit Memorial të Fierit, Rudina Degjonin. Ajo akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas hetimeve, rezulton se Degjoni ka kryer procedurat e botoksit të stomakut tek pacientet me preparate mjekësore që nuk janë blerë nga spitali, duke shkelur ligjin.
“Nga hetimet është provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik, nëpërmjet aplikimit në organizimin e brendshëm të pacientëve, të preparateve mjekësore të botoksit të stomakut që nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre”, thuhet në njoftim.