Propozohet votimi i një rezolute në Kuvend për hapjen e urës mbi Ibër, publicisti: Kundërshtimi i QUINT-it, absurd

1 month ago 6
Reklamë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar sot (e premte) një takim me ambasadoret e vendeve të QUINT-it.

Në fillim nuk u bë e ditur tema, por pas takimit Qeveria tha se  Kurti ka deklaruar se ura e Ibrit duhet të hapet. Ai ka deklaruar se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Por, me këtë kërkesë të Qeverisë nuk u pajtuan ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Pas takimit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, tha Hovenier.

Duke e komentuar këtë situatë, publicisti Gani Qarri ka thënë se që nga dy gushti i vitit 2016, nuk ekziston më asnjë pengesë faktike për hapjen e urës mbi Ibër, veçanërisht tani kur kemi një gjendje plotësisht të stabilizuar politike edhe në veri të Republikës së Kosovës.

Image

Gani Qarri

“Përderisa qysh para 8 vitesh, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 2 gusht të vitit 2016 në Bruksel, është arritur marrëveshja e cila me Planin e Bashkimit Evropian parasheh hapjen e Urës së Ibrit të Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime, nuk ekziston më asnjë pengesë faktike, për hapjen e saj, veçanërisht tani kur kemi një gjendje plotësisht të stabilizuar politike edhe në veri të Republikës së Kosovës.

Përndryshe duke pasur parasysh ndërhyrjet e vazhdueshme të ambasadorëve të QUINT-it, të cilët çuditërisht gjithmonë dhe për gjithçka dalin kundër, duke filluar nga dalja hapur; kundër ndalimit të referendumeve dhe zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, kundër mbylljes së objekteve dhe strukturave paralele serbe në Kosovë, kundër reciprocitetit me Serbinë, kundër zbatimit të marrëveshjes për targat e Kosovës në veri, kundër vendimit të BQK-së, për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, deri edhe kundër vendosjes së tabelave që tregojnë vendbanimet dhe kahet e rrugëve në veri, etj,etj..., me daljen sot, serish edhe kundër hapjes së Urës së Ibrit, që nënkupton daljen edhe kundër garantimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, si kategori evropiane e të drejtave të njeriut, ata vërtetë konfirmuan edhe publikisht se kanë vet-marrë kompetencat e GUVERNATORËVE në një shtet të pavarur dhe vend mikpritës si Kosova”, ka thënë Qarri.

Qarri me këtë rast hodhi kritika ndaj ambasadorëve të QUINT-it, për të cilët tha se “marrin guximin të dalin edhe kundër çdo vendimi ligjor e kushtetues të Republikës së Kosovës, në territorin e saj”.

“Guvernatorë të plotfuqishëm, të cilët marrin guximin të dalin edhe kundër çdo vendimi ligjor e kushtetues të Republikës së Kosovës, në territorin e saj, që mjerisht nëse vazhdohet me këtë avaz, Kosova duket se pa iu drejtuar edhe njëherë GJND-së, për sqarimin e statusit të saj politik, enkas për ambasadorët e QUINT-it, ndoshta tani e tutje, nuk do të mund ti planifikojë as oraret e autobusëve në qytete e fshatrat e Kosovës, oraret e mësimeve në universitete e shkolla, apo edhe planifikimine fluturimeve në aeroportin e vetëm të saj, pa marrë Amin-in e Serbisë dhe të këtyre Guvernatorëve të plotfuqishëm, alias ambasador të QUINT-it, në vendin tonë.

Krejt kjo dëshmon se sikur të pyeteshin çdo herë dhe për çdo gjë këta ambasador, të QUINT-it, të cilët në vendin tonë, ka kohë që veprojnë kundërligjshëm,si "Guvernatorë" të plotfuqishëm, liria e lëvizjes, shtrirja e shtetësisë dhe sundimi i rendit e ligjit nuk do të ekzistonin sot në veri të Kosovës, siç nuk kanë ekzistuar për dy dekada me radhë, kur edhe ligjin e bënin bandat kriminale dhe organizatat terroriste serbe të udhëhequra nga kryeterroristi Milan Radojçiq gjatë të gjitha qeverisjeve të inkriminuara në Kosovë”, është shprehur Qarri.

Sipas tij, shteti i Kosovës dhe qytetarët kanë të drejtë të krenohen me faktin se në veri është shtrirë plotësisht rendi dhe ligji, derisa edhe qytetarët serbë po pajisen masivisht me dokumente të Republikës së Kosovës.

“Ndërkohë ne dhe shteti i Kosovës, sot kemi plot të drejtë të krenohemi me faktin se përveç shtrirjes së plotë të shtetësisë dhe rivendosjes së rendit e të ligjit në veri, interesimi i qytetarëve të pakicës serbe veçanërisht në tremujorin e fundit të vitit të kaluar e sidomos në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës ka shënuar rritje të jashtëzakonshme e cila përveçse,-vetëm pak kohë më parë as që mund të paramendohej, dëshmon edhe vullnetin e mirë dhe interesimin e shtuar të tyre për integrim të qëndrueshëm, në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.

Prandaj edhe për hapjen e Urës së Ibrit, Qarri rikujtoi se ka një marrëveshje të qysh para 8 viteve, që përfundimisht ka ardhur koha, edhe për tu zbatuar, njëjtë si marrëveshjet tjera, e cila përveç si simbol i integrimit, është edhe simbol i lëvizjes së lirë, e vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian.

“Hapja e saj, jo vetëm që nuk rrezikon paqen as sigurinë dhe nuk është kundër askujt, por përkundrazi ajo forcon edhe më tepër ato, si dhe afron njerëzit nga të dy anët, duke u vënë në shërbim të të gjithëve, kur dihet mirëfilli se edhe në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, thuhet decidivisht, se “riviitalizimi dhe hapja e urës, do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të anës veriore dhe jugore të qytetit të Mitrovicës, si dhe do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë.

Andaj përkundër të gjitha sfidave, ngado që ato mund të shfaqen dhe variojnë, udhëheqësit e shtetit dhe legjislativi i vendit, njëjtë si deri më tani, duhet të gjejnë forcë e mundësi dhe t’u bëjnë ballë të gjitha pengesave të brendshme dhe të jashtme, përfshi ato me ambasadorët e QUINT-it, të cilët në vendin tonë, po sillen si GUVERNATOR, dhe ta zbatojnë edhe obligimin kushtetues e ligjor, për hapjen e Urës dhe garantimin e lëvizjes së lirë, të njerëzve dhe mallrave edhe mbi këtë urë, e cila është ndërtuar, jo ta ndajë, por ta bashkojë edhe qytetin historik të minatorëve tanë heroik- Mitrovicën!”, shtoi ai.

E Qarri po i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të mos hezitojë për ta ftuar një mbledhje të jashtëzakonshme, që ta votojnë me rezolutë hapjen e urës mbi lumin Ibër.

“Dhe përkundër qëndrimeve absurde të ambasadorëve të QUINT_it, të cilët, si askund tjetër në rajon dhe botë, edhe 25 vite pas çlirimit të Kosovës duan ta mbajnë me forcë të bllokuar urën dhe ndalojnë përdhunshëm lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në brendësi të territorit të një shteti të lirë e të pavarur, si Kosova, në rast nevoje, Qeveria nuk duhet të hezitojë, që ta ftojë edhe Kuvendin në një mbledhje të jashtëzakonshme, dhe si përfaqësues legjitim i të gjithë qytetarëve të Kosovës, për dallim nga legjislativët e kaluar, që të nxitur nga partitë e tyre politike, kanë ditur të votojnë edhe krijesa kundërkushtetuese si "zajednica" një etnike serbe, apo edhe Gjykatën Speciale, tani të votojnë një rezolutë me shumicën dërmuese të deputetëve për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.

Kjo do të ishte përgjigja më e mirë ndaj qëndrimit absurd të ambasadorëve (Guvernatorë) të QUINT-it, të cilët çuditërisht edhe mbi 25 vite pas çlirimit të Kosovës, kanë sy e faqe, dhe pretendojnë në mënyrën më cinike, të dalin përdhunshëm, e pa asnjë të drejtë dhe argument bindës, kundër hapjes së urës, me arsyetimin banal, se edhe për hapjen e një ure, Kosova u dashka biseduar me Serbinë në Bruksel, që është shkelje e rëndë e sovranitetit shtetëror të Kosovës, bartje e një pjese të sovranitetit të vendit tonë, në Serbi si dhe nënçmim i pa justifikueshëm për popullin dhe shtetin tonë sovran e të pavarur, i cili tash e mbi 25 vite, rrugëton suksesshëm në shtet ndërtimin e tij”, përfundoi ai.

Ndryshe, tashmë në publik ka nisur një fushatë e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë ku bëhet thirrje për hapjen e urës mbi Ibër.

Read Entire Article