Protesta e 27 Dhjetorit/ Berisha: Mbrojmë logon dhëmb për dhëmb, do të zgjojmë “luanin”

9 months ago 20
14:21 23/12/2023

Kryedemokrati Sali Berisha shprehet se do të mbrojnë logon dhëmb për dhëmb teksa ka shtuar se nuk ka shqiptar që nuk e di se logoja e Partisë Demokratike është e tyre.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Berisha thotë se në datën 27 Dhjetor, ditë kur do të mbahet dhe protesta e opozitës, gjykata që e quan të Edi Ramës, sipas tij, tenton ose vendos t’i japë vulën e PD, vulën e 600 mijë demokratëve një njeriu që tradhtoi për 10 vite me radhë besimin e popullit opozitar.

Fjala e Sali Berishës:

Ata që mendojnë se do shkatërrojnë opozitën, i kanë bërë llogaritë gabim sepse atë mjeranë shohin vetëm taktikat tona, por nuk kuptojnë strategjinë tonë. Në çdo sulm që na kanë bërë, e vërteta te shqiptarët është bërë më e qartë. Për 10 vite shqiptarët ishin në një lloj gjumi, në një narkozë të tmerrshme dhe të pafalshme, një narkozë e përgatitur nga Edi Rama, Xhorxh Soros, disa media të korruptuara dhe korrupsioni transnacional. Vetëm e vetëm që të grabisin pasurinë e shqiptarëve, ndërkohë që shqiptarët dëbohen nga tokat e tyre.

Por me burgosjen time, kjo perde mashtrimi bie përfundimisht. E vërteta do dalë e zhveshur para shqiptarëve. E vërteta se Shqipëria është një vend ku nuk ka votë të lirë. E vërteta se parlamenti i Edi Ramës i ka mohuar të drejtën kushtetuese opozitës së zgjedhur nga 600 mijë shqiptarë. E vërteta se lideri i opozitës arrestohet pa prova, fakte duke shkelur Kushtetutën e vendit dhe Konventën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut.

Duke thënë këto, ky ndryshon Shqipëria nga Rusia e Putinit apo Venezuela e Maduros, Kuba e pasardhësit të Kastros apo vende të tjera ku janë vendosur diktatura? Si mund të jemi ne Europa e Ballkanit? Ne më shumë ngjajmë me otomanët e Ballkanit me këto akte. Si mund të jemi ne Europa e Ballkanit me një opozitë të adresuar, logo të vjedhur, të drejta të mohuara, kryetar të arrestuar njësoj si në Rusinë e Putinit. Prandaj në këtë kuadër, arrestimi i Sali Berishës, të sigurt jeni ju, shënon fitoren e parë madhore të këtij dyvjeçari, të rikthimit të opozitës së vërtetë.

Kjo sepse shembëm mashtrimin e madh të Edi Ramës dhe u mësuam shqiptarëve të vërtetën. Sot Shqipëria është një diktaturë po aq sa Rusia, po aq sa Mianmari, sa Irani, Uganda, Mianmari, Venezuela. Këtu ne mbyllim një fazë shumë të rëndësishme të çmontimit të diktaturës, ekspozimit të të vërtetës. Tani nis një fazë krejt e re e aksionit opozitar. Shqiptarët e kuptojnë se kur të ikë me votë Putini e Maduro, atëherë do të ikë me votë Edi Rama. Ne jemi parti e të vërtetave dhe jo parti e mashtrimit.

Pra, nëse Edi Rama nuk ikën me votë, çfarë duhet të bëjmë? Do zgjojmë luanin. Zgjimi i luanit është misioni i kësaj faze të re të aksionit opozitar. Dhe kjo do realizohet vetëm me betejë pa kthim, mosbindje civile. Kështu që o sot, o kurrë, kundër aleancës së qelbësirave, narkoqeveritarëve me në krye Edi Ramën që po u pi gjakun shqiptarëve. O sot o kurrë të frymëzojmë shqiptarët me guximin dhe trimërinë tonë. O sot o kurrë të jemi ne pishtar i të vërtetës. O sot o kurrë të përmbushim misionin tonë të shpëtimit të Shqipërisë. O sot o kurrë të zgjojmë luanin dhe të tregojmë të vërtetën e madhe se populli shqiptar është luani i këtij vendi dhe rilindësit e Edi Ramës janë hienat e këtij vendi.

Në këtë fazë të re të aksionit opozitar, vetëm dy fjalë do drejtojnë veprimet tona: Mobilizim dhe mosbindje. Koha për t’u komunikuar shqiptarëve se jemi në diktaturë, mbaroi. Këtë betejë e fituam. Tani është koha e përballjes me diktaturën. Gjithë vëmendja e shqiptarëve sot është te ne: A do jemi ne në lartësinë e misionit tonë të shenjtë? A do frymëzojmë ne shqiptarët me qëndresën tonë, me guximin tonë, me vendosmërinë tonë? 27 dhjetori është një datë për këtë dëshmi. Në këtë datë, gjykata e Edi Ramës, tenton ose vendos t’i japë vulën e PD, vulën tonë, vulën e 600 mijë demokratëve, një njeriu që tradhtoi për 10 vite me radhë besimin e popullit opozitar. Gjykata e Tiranës do i japë logon tonë një njeriu lëvozhgë që as kritiku ynë më paranojak nuk e mohon dot se ai është peng i Edi Ramës. Me këtë vendim do tentojnë të hyjnë në shtëpitë tona, në shtëpinë tonë, në shtëpinë e 600 mijë demokratëve. Do të mbrojmë logon, do e mbrojmë shtëpinë tonë, dhëmb për dhëmb pa hezitim sepse nuk ka shqiptar sot që nuk e di se ajo logo është e jona. Kjo betejë do jetë vetëm për logon tonë por edhe për inspirimin e çdo shqiptari që të zgjojë luanin e tij dhe të përballet me diktaturën e Edi Ramës. Prandaj o sot o kurrë bashkë për kauzën tonë të drejtë me të vërtetën në anën tonë.

/tvklan.al


Read Entire Article