PS: Buxhetin e 2024 do e votojmë edhe pa debat parlamentar

11 months ago 15
15:31 17/11/2023

Gogu në Klan News: PS e ka bërë pjesën e saj, e ka diskutuar me qytetarët

Teksa të hënën në mëngjes pritet të nisë seanca maratonë për të diskutuar dhe miratuar buxhetin e vitit 2024, opozita nuk ka bërë asnjë hap pas sa i përket aksionit për bllokimin e parlamentit. Nga ana tjetër as socialistët nuk parashikojnë të ndryshojnë skenar.

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Toni Gogu në një intervistë për Klan News thotë se buxheti mund të kalohet edhe pa debat parlamentar.

“Të bësh debat parlamentar duhen dy veta, pra ne nuk mund të debatojmë me veten tonë. Në rast se opozita do të vazhdojë sjelljen e saj vetëshkatërrimtare ne do të miratojme buxhetin. Presin shqiptarët.”

Socialistët duket se nuk kanë bërë asnjë tentativë konkrete për të hyrë në negociata me opozitën.

“Debati parlamentar nuk është qëllim në vetvete. Për ne është shumë e rëndësishme ta debatojmë me ato që unë thash. Me njerëzit që i impakton ky buxhet dhe ky është interesi i opozitës, por ne nuk e kemi debatin parlamentar qëllim në vetvete.”

Sipas deputetit socialist, buxheti për vitin 2024, është ndër paketat më të mira financiare ndër vite.

“Unë besoj që paketa jonë sociale është një paketë jashtëzakonisht e mirë. Vazhdojmë rritjen e pagave sepse kemi realizim të ardhurash të lartë, më të lartë edhe se viti i vjetshëm që vjen edhe si pasojë e rritjes së turizmit.”

Seanca plenare maratonë për buxhetin vitit 2024, do të nisë paraditen e së hënës, ndërsa pritshmëritë janë që opozita sërish të bllokojë parlamentin, ashtu si prej disa javësh ka vijuar këtë aksion.

Opozita nuk ka marrë pjesë as në shqyrtimin e projektbuxhetit në komisione, të cilat janë zhvilluar online. PS, me shumicë votash ka kaluar cdo ndryshim, ashtu sic pritet të veprojë edhe ditën e hënë.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article