Pse nuk po ngritet aktakuzë ndaj terroristit Milan Radoiçiq? Çfarë fshihet pas?

2 months ago 8

Edhe pse kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe shteti i Kosovës e kërkon ekstradimin nga Serbia të kriminelit, Milan Radoiçiq, Prokuroria e Kosovës ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj tij dhe grupi terrorist, të cilët sulmuan Kosovën në shtatorin e vitit të kaluar, me synimin për ta aneksuar pjesën veriore të Kosovës.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Gani Qarri.

Sipas tij është për tu habitur se si edhe pas gati një viti nga sulmi terrorist, Prokuroria nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj terroristit Radojeçiq.

Image

Gani Qarri

“Në fakt, pas agresionit terrorist serb në Banjë të Zveçanit me 24 shtator të vitit 2023, kur nga terroristët e futur nga Serbia, në territor të Kosovës, u vra rreshteri i policisë, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, pretendohej se nga Drejtësia vendore, hetimet për këtë rast, shumë të rëndë, ishin duke u zhvilluar në mënyrë intensive, ndërsa paditë, për personat e përfshirë në sulm, do të kompletoheshin të paktën brenda tre muajve të parë të vitit 2024 dhe do të ngrihej aktakuza, kundër ish-nënkryetarit të të ashtuquajturës "listë serbe", kryeterroristit Millan Radoiçiq. Megjithatë, ajo që u tha atëherë, përkundër organizimit dhe kryerjes së sulmit terrorist nga kryeterroristi MIlan Radojçiq dhe terroristët tjerë serb, në thellësi të Kosovës, jo vetëm që nuk u realizua deri më tani, por ka mundësi, që edhe pas kalimit të një viti, të mos ndodhë, apo të paktën të bëhet diçka shkarazi, e jo të kryhet profesionalisht dhe në mënyrën e duhur ligjore dhe juridike”, shprehet Qarri.

Ai thotë se mos ngritja e aktakuzës po ndodhë nga frika e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Shto kësaj faktin tjetër alarmant, se ishte vet Kryeprokurori aktual i Prokurorisë Speciale, ai i cili edhe pasi e ka tërhequr aktakuzën e parë ndaj kryekriminelit Radojçiq, nuk i ka dhënë shpjegime askujt, se në çfarë argumentesh është bazuar, kur e ka bërë atë veprim të dyshimtë dhe me çfarë arsyetimi, ka guxuar ai ta tërheq aktakuzën ndaj Radojçiqit, unë kam frikë se ai personalisht nuk ka guxim, sot as pas një viti, të ringritë aktakuzë të re kundër Millan Radojçiqit dhe kjo punë, është lënë nga shteti, në dorë të njeriut të gabuar!”.

“Megjithëse njohësit e sistemit të drejtësisë në vend, shprehen se si rasti i Banjskës, na qenka ndër rastet "më komplekse" dhe kërkuaka kohë e kujdes për t’u shqyrtuar, unë mendojë, dhe do të thoja me bindje të plotë, se përveç kohës dhe kujdesit, për tu shqyrtuar, mbi të gjitha, nga shteti duhet kërkuar urgjentisht, një prokuror i pa-shantazhuar, i betuar në drejtësi, i dëshmuar profesionalisht dhe i guximshëm në veprime, veçanërisht i suksesshëm në kryerjen e punës së tij, për ta trajtuar seriozisht rastin, përfunduar hetimet dhe ngritur aktakuzën, kundër kryeterroristit Milan Radojçiq dhe pjesëmarrësve tjerë të sulmit terrorist serb në Banjë të Zveçanit”, shpjegon Qarri.

“Përndryshe, ata prokuror, a kryeprokuror të cilët, ndoshta kanë ngatërruar edhe rastet e vrasjeve dhe vetvrasjeve, dhe për më tepër se 25 vite, nuk ishin në gjendje të zbardhnin asnjë vrasje të pasluftës, as të aktivistëve politik, të partisë që i takonin, por sa hap e mbyllë sytë, merrnin guximin ta tërhiqnin, kokë më vete dhe në mënyrë arbitrare aktakuzën kundër kryekriminelit të veriut, Milan Radojçiq, madje edhe pa dhënë asnjë shpjegim, para shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, të gjitha këto kanë një domethënie tmerruese, e cila nuk është aq komplekse dhe e vështirë të zbërthehet”, shton analisti Gani Qarri.

Por cila është arsyeja pse Prokuroria Speciale nuk po ngrit aktakuzën për sulmin terrorist në veri të Kosovës sipas Qarrit?

“Madje duke pasur parasysh faktin, se si "Këshilli Prokurorial i Kosovës" tentoi dhe ritentoi, disa herë, të njëjtin, të na e impononte me forcë edhe për "Kryeprokuror" të shtetit, pra njeriun e shantazhuar i cili vet kishte tërhequr fletarrestin kundër kryekriminelit Milan Radojçiq, edhe kjo aferë duhet të ketë pasur, një arsye të fortë, ndaj është koha që përfundimisht tu sqarohet edhe qytetarëve, se për shkaqet që i dinë vet ai, apo edhe të gjithë në "Prokurorinë Speciale", jo ne, se neve nuk na i kanë thënë asnjëherë deri më sot, pikërisht njerëz të tillë, edhe pse Ministren e Drejtësisë, të Republikës së Kosovës, e morën dy ditë rresht në “intervistim”, vetëm pse ajo në rrjetin social Facebook, potencoi faktin që arratisja nga burgu i disa personave që kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim, të territorit të Serbisë, nuk besojë se të njëjtit, janë në gjendje, tash as së shpejti, të ringritin, aktakuzë të re, as "të mirëfillt", edhe kundër kryeterroristit Millan Radojçiq, rast për të cilin, një ditë duhet të vendosen në bankën e të akuzuarve!”, thekson Qarri.

Për fund, Qarri hedh dyshimet se prokurorët në Kosovës janë të shantazhuar, andaj edhe nuk po ka veprime konkrete.

“Ndaj institucionet përkatëse duhet t`ua shpjegojë sinqerisht të gjithë qytetarëve, se përveç që do të presin gjatë, mund të dalin edhe të zhgënjyer thellë, jo vetëm ata por edhe shteti i Kosovës, gjë që më së miri e vërteton argumenti se edhe pas 10 muajsh të kaluar, ende nuk kemi asnjë aktakuzë të ngritur, kundër kryeterroristit Milan Radojçiq as terroristëve tjerë serb, pa u dhënë asnjë shpjegim, nga "Prokuroria Speciale" as "Këshilli Prokurorial" i Kosovës, nëse është vërtetë në pyetje shantazhimi i tyre nga Serbia, apo pse po ndodhe një gjë e tillë dhe kush po e pengon edhe pas kalimit të 10 muajve, ngritjen e aktakuzës kundër kryeterroristit Millan Radojçiq dhe aktorëve tjerë të sulmit terrorist serb, në brendësi të territorit të Kosovës, gjë që pa futjen e VETTING-ut, ndoshta nuk do të sqarohet, asnjëherë tërësisht!”, përfundon analisti Gani Qarri.

Read Entire Article