Publicisti shqiptaro-amerikan “godet” opozitën: I cenoi interesat e shtetit dhe të popullit, ja pse nuk mund të ketë unitet për asociacionin

10 months ago 24

Presidentja Vjosa Osmani, sot në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka dhënë mesazhin e unifikimit.  

Ajo ka thënë se uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.  

Presidentja, pozitës dhe opozitës u kërkoi që të bëhen bashkë për t’i përgatitur komentet lidhur me shqetësimet që kanë kurdo që drafti përfundon në instancën më të lartë gjyqësore në vend. 

Në lidhje me këto zhvillimet për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti shqiptaro-amerikan, njëherit veprimtar i shquar i çështjes kombëtare Hafiz Shala.  

“Të ndërpriten bisedimet” 

Shala nuk e konsideron të mundur unifikimin e subjekteve politike në lidhje me asociacionin. 

Prandaj, ai kërkoi që të ndërpriten bisedimet direkte me Serbinë dhe Qeveria e Kosovës ato t’i vazhdojë me faktorin ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-të.  

“Opozita nuk është për unitet, ata janë të interesuar për pushtet. Qëllimi i tyre është rrëzimi i kësaj Qeverie, marrja e pushtetit dhe vazhdimi nga aty ku e kanë lënë: Krimi, hajnia, pasurimi dhe pazare me territorin e Kosovës.   

Bashkësia Ndërkombëtare me theks të veçantë ato të BE-së, në raport me Serbinë, pa kurrfarë turpi e as mëshire, Kosovës iu ka lëshuar në qafë duke i kërkuar asaj që të jetë kontsruktive dhe mos të “provokojë me deklarata të pa matura”.  

Image

Publicisti shqiptaro-amerikan, njëherit veprimtar i shquar i çështjes kombëtare Hafiz Shala.  

Ndërsa, agresioni dhe kërcënimet e Serbisë, jo vetëm ndaj Republikës së Kosovës por edhe NATO-s e cila sipas Rezolutës 1244 është përgjegjëse për ruajtjen e kufijve dhe paqes në raport më këto dy shtete, tolerohet”, vlerësoi Shala. 

Sipas tij, qëndrimet rreth sulmit terrorist ndaj një shteti sovran kanë mbetur në deklarata stereotipe, bajate dhe pa përmbajtje në raport me seriozitetin e paqes, qetësisë dhe sigurisë. 

Ai tha se kjo situatë nuk i rrezikon vetëm raportet ndërmjet të dy shteteve, por të Ballkanit dhe më gjerë. 

“Lidhur më këtë situatë, Presidentja Vjosa Osmani në Samitin e Bashkimit Evropian, ishte shumë e qartë dhe direkte se, Serbia është ajo qe po provokon, rrezikon e, jo Republika e Kosovës sepse, ajo, nuk po afron trupa në kufi, por po e lufton krimin, grupet terroriste dhe zbulimin e grupeve destabilizuese deri të planifikimi, riorganizimi dhe sulm ndaj Kosovës”, shprehet Shala. 

Prandaj, ai tha se duke parë zhvillimet rreth marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit për zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara, të pranuara nga Kurti, e të refuzuara nga Vuçiqi, takimet direkte në mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, tani e kanë humbur kuptimin. 

“Draft Statusi rreth Asociacionit të komunave më shumicë serbe, është përpiluar nga BE-ja me përkrahjen edhe të SHBA-ve prandaj, mendoj se Qeveria ka bërë mirë qe nuk e ka propozuar një Draft Statut pasi, Serbia apriori do ta refuzonte në mënyrën më arrogante, nënçmuese e poshtëruese sepse, pasi nuk e njeh Dardaninë, nuk ta pranojë një dokument “jo zyrtar nga një pjesë e shtetit të Serbisë”. 

Takimet direkte të përfaqësuesve të këtyre dy shteteve duhet të zhvillohen vetëm përfaqësuesit e ndërmjetësuesve sepse, ata duhet t’i sqarojnë dhe shpjegojnë nenet e Draftë Statutit sipas kërkesave të palëve duke i eliminuar disa nga ambiguitetet- dykuptimësitë të cilat mund të krijojnë probleme gjatë zbatimit”, potencon Shala. 

Ai komentoi po ashtu se SHBA, nëpërmjet ambasadorit Jefrey Hovenier, tha se asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk mund ta pengojë Republikën e Kosovës të funksionojë si shtet demokratik e unitar dhe, nuk mund të krijohet një Republikë serbe në trupin e Kosovës. 

“Zoti Ambasador, pajtohem me deklaratën tuaj që, njëherit e nënkupton edhe qëndrimin e SHBA-së por, në Draft Statut duhet të sqarohen, të ndryshohen nenet kontestuese të cilat do të vijnë në kundërshtim me paraqitjen tuaj, nëse ato nuk precizohen qartë kur bëhet fjalë për arbitrazhin, arsimin i cili duhet të jetë unike sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, investimet e Serbisë në territorin e shtetit, politikat e planeve zhvillimore në komunat me shumicë serbe nëse ato janë në kundërshtim me ato qe i ka Asociacioni i Komunave në kuadër të Republikës. 

Z. Ambassdor, deklaratat i merr era dhe po qe se nuk konkretizohen në dokument, shumë lehtë mund të anashkalohen dhe mos të zbatohen sepse, Serbia gjithmonë iu ka ikur dhe i ka refuzuar”, nënvizoi Shala.  

Publicisti shtoi se delegacionet shtetërore mund edhe duhet të thirren në takim të përbashkët atëherë kur, Serbia defakto ta njeh Kosovën, ndërsa Kosova të pajtohet me Draft Statutin, që do të thotë realizim i pjesës së parë. 

“Shtrëngimi i duarve në mes të përfaqësuesve zyrtarë shtetëror të dy palëve, do të ndodhe kur, Serbia ta njeh de-jure Dardaninë, ta heq nga Kushtetuta klauzolën ku, Kosova (Dardania) paraqitet si pjesë e Serbisë, të kthehen të pa gjeturit dhe bien në dakord për vendosjen e Ambasadave në të dy vendet. 

Me rastin e kësaj ceremonie e cila, nëse do të ndodhe, njëherit do të shënoj një periudhe të re të marrëdhënieve reciproke, që do të shënohej si datë historike meritat duhet t’u takojnë të gjitha palëve progresive në ketë proces. Pak sa ideale ani pse shumë e vështirë e besueshme dhe e realizueshme”, theksoi ai. 

Pse opozita nuk është gati për unitet? 

Shala shtoi po ashtu, se opozitën nuk e sheh të gatshme për unitet. 

“E kam drojën se opozita nuk është e interesuar që gjendja të merr kahun e një paqeje pozitë-opozitë sepse, funksionimi i drejtësisë së pa kapur e pa interferuar nga pushteti siç ka ndodhur në të kaluarën, pastaj, funksionimi me përkushtim dhe përgjegjës i prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve, organeve të sigurisë, për opozitën do të thotë se po krijohet një rend kushtetues. 

Kjo sepse, po qe se rishikohen lëndët e krimeve të rënda, hajnive të mëdha siç ka ndodhe në dhomën e dëshmive, rasti me vjedhjen e arit në Pejë, lëndët e krimeve të rënda e shumëçka tjetër, kjo do të jetë me fatalitet për ata që ishin në pushtet për njëzet vite, ama, gjërat shkuan në mënyrë stihike derisa u themelua Gjykata Speciale për krime lufte e cila, përditë po ballafaqohet me ndërhyrjet në drejtësi sipas porosive nga të burgosurit e Hagës, siç e ceka edhe dje në një shkrim timin se, përpos kërcënimeve, po ofrohen edhe shuma marramendëse të parave dëshmitarëve për t’i ndryshuar deklaratat fillestare të tyre”, potencoi publicisti. 

Ai shtoi se opozita gjatë sundimit të saj, asnjëherë nuk i ka analizuar e shqyrtuar sjelljet e saj, të cilat i cenonin interesat e shtetit dhe të popullit të cilin e udhëhiqnin. 

“Mjafton t’i rikujtojmë veprimet si, falja e territoreve dhe tentim korrigjimi-ndarja e veriut, temë e cila  po aktualizohet edhe në ditët e sotme. Këto ide dhe kërkesa po vijnë nga të burgosurit e Hagës më ndihmën e ideologëve, pjesëmarrësve  dhe angazhuesve në këto marifete tradhtie ndaj vendit, tani të udhëhequr nga ideologu  Edvin Kristaq Rama i cili, në Samitin e Bashkimit Evropian, bashkë më kryeministren serbe Ana Bërnabiq, ishin përfaqësues të denjë të Serbisë, bashkë më “vëllain” e tij Vuçiqin. Edi Rama, i “përmalluar” për Thaçin, turrë e vrap ia mësyu Hagës për ta takuar bashkëveprimtarin e këtyre ideve me fatale për shtetin e Kosovës, edhe, për t’u u dakorduar për veprimet e më tejme”, theksoi tutje Shala. 

Në këtë drejtim ai tha se PDK, drejtohet nga qelia e Hagës në koordinim dhe bashkëpunim më ish partitë, AAK dhe LDK. 

“Këto dy të fundit janë parti të koalicioneve të pas luftës, të cilat me ndihmën e Listës serbe u vunë në majat e pushtetit duke u pasuruar, abuzuar me pushtetin dhe duke i kontrolluar organet e gjyqësisë, prokurorisë e hetuesisë sepse, këta i vendosën në ato poste dhe detyra me qellim qe t’i heshtin, të mbulojnë e t’i asgjësojnë dëshmitë. Nuk është aspak lajm shpresë-dhënës rizgjedhja e Blerim Isufajt, Kryeprokuror i Prokurorusë Speciale me mandat 4 vjeçar, i miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Sipas asaj që thuhet publikisht e zyrtarisht nga përfaqësuesit e lartë shtetëror, ky njeri mban mbi supe gjynahe të mëdha të cilat nuk mund të kapërdihen”, përfundoi Shala. 

Read Entire Article