“Qesharake, pse BE nuk merret me…”, nga Kosova reagojnë pas ‘kërcënimit’ të BE-së

1 month ago 7
Reklamë

Veprimet e qeverisë së Kosovës në veri të vendit janë duke i “penguar” Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtarëve në përgjithësi.

Insistimi i Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit dhe aksioni i fundit për mbylljen e nëntë pikave të postës serbe në veri të Kosovës, është duke u kundërshtuar “ashpër”, madje paralajmërohen edhe masa më të ashpra ndëshkuese.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.

Ai u shpreh se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.

“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, ka thënë Stano.

Për masat më të ashpra ndaj Kosovës dhe për mos ndëshkimin e Serbisë për rastin në Banjskë, ka folur analisti politik Ali Hertica në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Hertica e quan qesharake trysnin e BE-së ndaj qeverisë së Kosovës.

“Është qesharake që BE bënë këtë trysni ndaj Kosovës sa i përket hapjes së Urës së Ibrit. Urat janë lidhëse për kombet, këtë kombësi e dëshmoi edhe monedha 20 euro ku BE vendos urën në atë monedhë. Kosova ka nevojë për mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, nuk ka nevojë për kundërshtime, pasi kjo vetëm është në të mirë të shqiptarëve dhe serbëve në atë pjesë”, shprehet Hertica.

Image

Ali Hertica

Sipas tij, Bashkimi Evropian fillimisht duhet ta ndëshkojë Serbinë, pastaj të merret edhe me propaganda të saja.

“Mos ndëshkimi i Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ndërsa në anën tjetër edhe mos largimi i masave ndëshkuese dhe tani paralajmërimi për masa më të ashpra ndëshkuese, janë goditje ndaj Kosovës dhe vetëm do ta favorizionin Serbinë që të vazhdojë me sulme e propaganda të ndryshme. Bashkimi Evropian fillimisht duhet ta ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist, pasi ka mjaftueshëm fakte për këtë, pastaj duhet të merret me propaganda të tjera të saj ndaj Kosovës. Veprime e Kosovës në veri të vendit janë të vihet rendi dhe ligji në atë pjesë që dikur nuk është njohur ligji. Normalisht që edhe qeveria e Kosovës paraprakisht duhet të lajmërojë ndërkombëtarët që veprimet e saja vetëm janë pro rendit dhe ligjit”, shton analisti.

Ritheksojmë se Shtetet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t'i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Read Entire Article